Do trafikohej në Itali me skaf, kapet 2 tonë hashash

redaktor

Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Delta-Force, sekuestruan rreth 2 tonë kannabis sativa gjatë një operacioni në orët e vona të së hënës në bregdet, që kishte për destinacion Italinë dhe si origjinë Lazaratin. Goditja erdhi menjëherë pasi policia e Gjirokastrës kapi një “Range Rover” të mbushur me 450 kg marijuanë dhe identifikoi 4 vlonjatë si korrierë, dy prej të cilëve u arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim. Dyshohet se ka qenë e njëjta ngarkesë që do dërgohej për në Itali. Policia ndaloi 3 persona që shoqëronin ngarkesën me furgon. Kurse në Kakavijë u kapën 3,1 kg heroinë me destinacion Greqinë dhe u arrestua një i dyshuar.
Aksioni në Vlorë

Pas një informacioni të marrë në rrugë operative, se përgjatë zonës së Lumit të Vlorës ka lëvizje mjetesh me lëndë narkotike, policia vendore, e mbështetur nga forcat operacionale, janë nisur ne drejtim të fshatit Kotë. Nga kontrolli i ushtruar në një mjet të dyshuar tip “Iveko”, me targa AA961AY, është gjetur një sasi e konsiderueshme, prej 2 tonësh drogë e llojit hashash, që u sekuestrua. Sipas policisë, targat e mjetit rezultuan të vjedhura. Menjëherë janë shoqëruar 3 personat të cilët ndodheshin në mjetin tip furgon, si dhe nga informacionet paraprake të mbledhura nga pyetja e të dyshuarve të ndaluar për trafik narkotikësh, destinacion final ka qenë Italia. Droga kishte ardhur nga fshati Kuç, një zonë e thellë e Vlorës, por dyshohet se origjinë është Lazarati. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe për gjetjen e bashkëpunëtorve në këtë trafikim. Vetëm këto muajt e parë të vitit, policia e Vlorës ka sekuestruar mbi 5 tonë drogë.

Heroina në Kakavijë

Agjentët e Antidrogës Gjirokastër dhe policia kufitare Kakavijë, finalizuan mbrëmë operacionin e koduar “Kuboidi”, gjatë të cilit sekuestruan 3,1 kg heroinë me destinacion Greqinë. Gjatë kontrollit në doganë të mjetit “Wolksvagen”, me targa AA084CM, që drejtohej nga Edmond Dorti, 32 vjeç, nga Patosi, u gjetën të fshehura në shasinë e automjetit, poshtë sediljes së pasagjerit, një tub plastik, në formë kuboidi, i përshtatur me ngrohje, ku brenda kishte pako me lëndë narkotike të dyshuar si heroinë. Nga këqyrja rezultoi se kishte 6 pako me peshë të ndryshme, gjithsej 3,1 kg heroinë. Ndaj të ndaluarit Dorti u ngrit akuza “trafik droge” dhe heroina kishte destinacion final Athinën.

Share This Article
1 Comment
  • Emri rrug te pa ditur perdoret me kohe nga policia.Jam I sikurt se ket rruge vetem policia e shtetit e dine shume mire sidomos kohet e fundit.Vetem te pytet Sajmir Tahiri ai I din rruget me ngarkesa te medha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *