Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 7 vite burg të pandehurin Begzim Isa, i akuzuar për trafikim të miturisht me destinacion Kosovën.
Në seancën e fundit, trupi gjykues vendosi të shpallë fajtor dhe të dënojë me tre vite më pak të pandehurin, nga pretenca e dhënë nga Prokuroria.
Prokurori Anton Martini kishte kërkuar dënimin me 10 vite burgim, ndërsa për rastin e zhdukjes së 6-vjeçares Bleona Mata nuk u gjetën prova se Isa ishte i implikuar. Ngjarja për të cilën studenti i infermierisë u dënua ndodhi në muajin mars 2013, në fshatin Orgjost të komunës Zapod në Kukës.
Pas denoncimit të fëmijëve të fshatit, në banesën e 22-vjeçarit u gjet i mituri A. F., 8 vjeç, që është mbajtur kundër dëshirës së tij dhe dyshohej se do trafikohej në Kosovë.
Prindërit denoncuan menjëherë këtë rast dhe Isa u arrestua. I riu nuk e pranoi asnjëherë akuzën e ngritur, ndërsa ka mbetur i panjohur qëllimi i trafikimit, për adoptim, lypje apo transplant.
