Procesi i zgjedhjeve dhe organizimit në Partinë Demokratike jo vetëm që nuk ka kaluar pa kontestimet e anëtarësisë dhe kandidatëve të përfshirë në garë, por po shoqërohet edhe me ironizime nga ana e deputetëve të kësaj force politike. Moszbatimi i udhëzimeve të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, në të gjitha rastet dhe degët për zgjedhjen e drejtuesve të rinj ka sjellë reagimin në rrjetin social Facebook të deputetes Mesila Doda. Ligjvënësja demokrate duket se i referohet zgjedhjes së Xhelal Mziut për kryetar të degës së PD në Kamzë, proces që është bërë në kundërshtim flagrant me udhëzimin e kreut demokrat Basha, sipas të cilit në garën për drejtues të degëve të partisë nuk mund të përfshiheshin kryetarët e bashkive, komunave, deputetët apo drejtuesit që në zgjedhjet e fundit kishin arritur rezultate më të dobëta se një proces më parë. Por komenti i deputetes Doda nuk ndalet vetëm në shkeljen e udhëzimit, por ironia vijon me sugjerimin për të zgjedhur në krye të degës për Tiranën, deputetin Aldo Bumçi. “Tani që udhëzimi na e mori të keqen dhe nuk ka më asnjë pengesë, unë propozoj të nisim fushatën: “Aldo Bumçi, kryetar i PD Tiranë”, shkruan Doda në një postim në profilin e saj në Facebook.
E zgjuat kjo Mesila por ishalla s’e ka fatin e mikut të saj-Olldashi.