Dogana Shqiptare nisi aplikimin e procedurës së thjeshtuar të deklarimit, në kuadër të krijimit të lehtësirave për biznesin. Në ambientet e një kompanie në Tiranë u bë sot aplikimi i parë i kësaj procedure, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj dhe Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali.
Në këtë demonstrim është parë nga afër sesi kryhet e gjithë procedura e zhdoganimit të mallit, i cili pas futjes në pikën kufitare tashmë nuk shkon më në ambientet e doganës, por drejt e në magazinat e kompanisë. Nga ky moment, personi i autorizuar i kompanisë përpilon deklaratën doganore, të cilën më parë e bënte një agjenci doganore dhe e dërgon atë elektronikisht në doganë, duke deklaruar mallin e mbërritur, me të gjitha elementët e tij. Më parë, kjo procedurë e kryer me aplikimin e ri vetëm në pak minuta, kërkonte pothuajse 1 ditë në doganë.
Elisa Spiropali, Drejtorja e Përgjithshme e Doganave u shpreh se synimi i administratës doganore është t’i krijojë lehtësira biznesit, të rrisë transparencën dhe të luftojë korrupsionin. Ajo sqaroi edhe si do të përfitohet statusi i operatorit ekonomik të autorizuar.
Kjo ishte kompania e parë e autorizuar për të kryer procedurat e thjeshtuara në doganë për mallrat e importit. Ndërkohë, në vazhdim do të autorizohen edhe shumë kompani të tjera serioze, të cilat do të përfitojnë nga kjo lehtësi në deklarimin e mallit në doganë.
