Administrim më të mirë të punës në dogana, luftë korrupsionit dhe rritje e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare, ka marrë përsipër të realizojë kompania britanike “Crown Agents”, e cila u përzgjodh për asistimin e doganave shqiptare. Gjatë prezantimit të kësaj kompanie, kreu i qeverisë, Edi Rama, u shpreh, se së pari duhet të ndryshojë perceptimi i imazhit të doganierit në vend dhe se dogana nuk duhet të jetë vetëm instrument financiar, por edhe të ofrojë shërbim social. Kryeministri theksoi, se sipas kontratës kjo kompani do të ndihmojë që të garantohet këtë vit rritja me 1% e PPB së vendit nga të ardhurat e doganave. Në fjalën e saj, drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali paraqiti disa nga objektivat e institucionit që ajo drejton si thjeshtim të procedurave për biznesin, modernizim të sistemit doganor, trajtim të personelit dhe mbështetje të konkurueshmërisë së biznesit. Gjithashtu Spiropali ndërsa i cilësoi si të papranueshme kushtet në disa prej doganave të vendit, theksoi se qeveria ka një plan konkret për ndryshimin e infrastrukturës në këto pika doganore. Kompania britanike “Crown Agents” ka një ekip prej 12 pjestarësh dhe janë nën drejtimin e Dejvit Smith. Ata do të punojnë duke pasur në fokus, një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. “Zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit do jetë teknologjia jonë kryesore që do aplikojnë, agjentët tanë do të jenë në terren për të zbuluar mashtrimin. Do t’ju sjellin informacion qendrore që procedurat aty të lehtësohen dhe do përcjellin cdo info që ata zbulojnë në kufi. Në fushën njerëzore për të zbuluar më mirë, do të rrisim nivelin e integritetit, në mënyrë që korrupsioni të ndodhë, duke reduktuar rrezikun e korrupsionit, të jemi krenarë të gjithë që jemi gjente të doganave”. Sipas z Smith, ‘Crown Agents’ sapo ka nisur nga puna dhe arritjet do të duken shumë shpejt. “12 pjesëtarë të ekipit tonë do flasin për programin. Sa kemi filluar dhe kemi shumë për të thënë sa u përket arritjeve, dhe shpresoj që prezantimi i ardhshëm të flasë për atë që kemi arritur në mënyrë të pjesshme”. Ndërsa ministri i zhvillimit ekonomik dhe sipërmarrjes Arben Ahmetaj pasi vlerësoi performancën e administratës doganore gjatë këtyre muajt e fundit theksoi se ky shërbim duhet të jetë pasqyra e një klime të re në marrëdhënien me biznesin. “Të dhënat e këtij viti tregon se administrata e doganës kanë bërë një ndryshim rrënjësor, tregojnë një përqasje të re mes administratës doganore dhe biznesit dhe një marrëdhënie të re mes shtetit dhe sipërmarrjes. E rëndësishme është ndryshimi i figurës së inspektorit tatimor dhe doganierit në mënyrë që të bëjmë një diferencë me krahasim me atë që ka qënë. Të jemi pasqyra e një klime të re dhe e një dogane të re”, u shpreh Ahmetaj. Referuar marrëveshjes, personeli i “Crown Agents” do të shpërndahet në çdo pikë doganore shqiptare dhe në administratën qëndrore dhe për rastet ku do të konstatojë abuzime apo veprime të dyshimta, është i detyruar të raportojë menjëherë pranë ekzekutivit shqiptar. Pritshmëritë e qeverisë shqiptare janë që nga kjo marrëveshje, të ardhurat për buxhetin e shtetit të rriten në masën 90 milionë euro në vit. Kostoja e këtij bashkëpunimi të paktën 2-vjeçar, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 8.5 milionë euro.
