“Doja një fundshpinë të bukur, por ja si përfundova”

anazapta

Një 46-vjeçare rrëfen për britaniken “The Sun” mankthin e përjetuar pas injeksioneve të “silikonit”. Apryl Mishelle Brown, një parukiere, nënë e dy fëmijëve tregon sesi humbi dy duart dhe dy këmbët, pasi injeksionit të një lënde që ajo mendonte se ishte silikon, por në fakt rezultoi thjesht një lloj ngjitësi që përdoret në banjo. April fajëson ata që kryejnë trajtime bukurie në mënyrë ilegale dhe amatore dhe thotë se po paguan një çmim të shtrenjtë për dëshirën e çmendur për t’u zbukuruar me silikon.

“Dua ta tregoj historinë time, në mënyrë që të gjitha femrat të ndërgjegjësohen në lidhje me trajtimet e shpejta që premtohen në tregun e zi. Unë nuk i dija rreziqet. Mendoja se po bëja thjesht një injeksion që do të më jepte fundshpinën e dëshiruar. Por në fakt, ajo që u injektua në trupin tim ishte një ngjitës që përdoret në banjo. Trupi im pësoi një reagim alergjik masiv, që më çoi në buzë të varrit. Arrita në një pikë të tillë që vdekja më dukej shpëtimi i vetëm. Mënyra e vetme që unë të shpëtoja ishte prerja e këmbëve dhe duarve”, thotë ajo.

April fajëson vanitetin e shoqërisë në të cilën jeton. Gjithçka ka nisur që në fëmijëri, kur April është tallur nga shokët e shoqet për prapanicën e saj “dërrasë”. Ajo u betua se do t’i jepte vetes një fundshpinë si ajo e J.Lo dhe “mrekullia” iu duk se ndodhi në momentin kur një nga klientet e saj i rrëfeu për injeksionet e silikonit, që kryheshin në mënyrë ilegale. April pagoi 650 paund për injeksionin, që u krye nga një grua, e cila nuk kishte marrë kurrë një leksion të vetëm në mjekësi.

“Procedura e parë zgjati rreth një orë dhe u krye në dhomën e vajzës së “profesionistes”. Kisha një dhimbje të paparë, por ajo më tha se ishte normale. Kur shkova për seancën e dytë, isha në mëdyshje. Çfarë po fuste ajo grua në trupin tim? Nuk u ktheva më kurrë aty, por jeta ime kishte marrë kthesën ndërkohë. Gjatë dy viteve që vijuan, zona ku ishte kryer injeksioni u bë e fortë dhe lëkura u nxi. Pastaj filloi dhimbja. Nëse turpi më kishte penguar deri atëherë t’i drejtohesha mjekut, tani nuk kisha zgjidhje tjetër.  E turpëruar me atë që kisha bërë, i tregova mjekut tim”, rrëfen ajo.

April i kaloi katër vitet që pasuan me dhimmbje të përhershme. “Ishte një përzierje e dhimbjes së migrenës, dhëmbit dhe atyre të lindjes”, tregon ajo. Pas një operacioni pa sukses, ajo kaloi në koma për dy muaj me radhë, ndërsa 27 ndërhyrje të tjera u bënë në fundshpinën e saj gjatë kësaj kohe.

Mjekët i prenë duart dhe këmbët dhe pak kohë më vonë, ajo doli nga spitali. April rifilloi jetën si invalide, por pa u dorëzuar. Pas disa kohësh, ajo nisi të shohë anën pozitive të gjithë kësaj historie, duke u përpjekur të reagojë. E pajisur me proteza, ajo është bërë shpesh pjesë e maratonave. Ajo thotë se fakti që mbijetoi i ka shërbyer për të kuptuar gabimin e madh dhe për më tepër, për të paralajmëruar mijëra gra të tjera që mendojnë t’u drejtohen “ekspertëve” të ndërhyrjeve kirurgjike në tregun e zi.  / Gazmira Sokoli   

april april all

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *