Dojaka: Kosova u bë, tani e ka radhën Çamëria

anazapta

Kryetari i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, kandidati për deputet i AP në Qarkun e Fierit, Nimet Musai dhe profesor Hajredin Isufi, gjatë një interviste të dhënë për televizionin rajonal në Fier “TV Apollon” kanë shpjeguar pozicionin e kësaj forcë politike në zgjedhjet e 23 qershorit, arsyet e krijimit të saj si dhe rezultatet e pritshme në mandate.

Dojaka: Për këdo çam që na ndjek, por edhe për ata bashkëqytetarë që janë bashkuar me ne në të gjithë rrugëtimin tonë, shprehja “Çamëria do të bëhet” ka të bëjë kryekëput me atë që amanetin e të parëve ne do ta bëjmë realitet. Për këtë ne jemi të gjithë si komunitet të bashkuar, por kemi edhe mbështetjen e të gjithë bashkëqytetarëve tanë.

Isufi: Aleanca Popullore është në kohën e duhur dhe në momentin më të rëndësishëm për çështjen e Çamërisë. Sensibilizimi për çështjen çame nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Herë është kaluar në heshtej dhe me demagogji është propaganduar se po bëhet diçka. Në momentin që nuk u bë ajo që nuk u arrit lindi Aleanca Popullore. Nëse Çamëria nuk është shpërbërë është meritë e çamëve. Ajo nuk u zhbë, iku e masakruar dhe erdhi gjeti një mbështetje të fuqishme te bashkëkombësit shqiptarë. Çamëria do të bëhet se ka histori të lavdishme. Çamëria do të bëhet kur fatet t’i marrin bijtë e Çamërisë.

Musai: Çamëria do të bëhet. Flas me këtë gjuhë dhe moral se jemi në vitin 2013 dhe historinë  e kombit tonë e dimë. Shqipëria është i vetmi vend në Europë që është i rrethuar nga shqiptarët. Kosova u bë, tani e ka radhën Çamëria.. Është AP jemi të gjithë bashkë. Është ky komunitet i bashkuar pranë AP që shpreh dëshirën jo vetëm ta mbështesë AP, por ta çojë çështjen para. Në marrëveshjen me PS, një nga pikat më nevralgjike ishte a do të bëhet Çamëria, a do të ketë qeveria një program që e mbështet çështjen çame. Po, çështja çame do të bëhet, kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë në një marrëveshje politike që ka bërë AP me PS. Për herë të parë do të raportohet dy herë në vit në Parlament për çështjen çame. Kjo nuk ka ndodhur në 22 vjet. Është hera e parë që çështja çame është në fokusin e gjithçkaje. Është sensibilizuar jo vetëm opinioni brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar. Do ta nisim andej nga duhet nisur, nga SHBA, për ta zgjidhur çështjen e vetme të pazgjidhur të shtetit shqiptar.

Duket pak si luks i tepruar për të pasur dy parti për të njëjtën çështje?

Dojaka: Komuniteti çam brenda dhe jashtë vendit është tejet i bashkuar. Komuniteti çam që nga viti ‘91 e ka treguar vitalitetin, forcën dhe seriozitetin që ka marrë përsipër çështjen çame, dhe në vijimësi janë krijuar forca politike si PDI, z.Musai që ka qenë përfaqësues edhe në zgjedhjet e 2009 nga komuniteti çam, dhe nuk mendoj që ka një përçarje. Forca tjetër ka dalë edhe ajo nga komuniteti çam, PDIU qëndron dhe do të mbetet forcë e jona dhe kjo është në planin integrues të AP, për arsye se ne me forcë e kemi dënuar dhe dënojmë privatizimin me një emër të përveçëm të çështjes çame. AP në bazë të sondazheve, por edhe frymës që ne gjejmë shtëpi më shtëpi kemi një frymë tejet bashkëpunuese. Në Qarkun e Fierit z.Musai e kanë zgjedhur në 2009, ishin makinacionet ato që i mohuan mandatin. Por këtë herë mbështetja do të jetë edhe më e madhe.

Ku e mbështesin bindjen se PDIU do t’i kthehet komunitetit çam?

 Dojaka: Kjo nuk është një bindje, por një realitet. Në të njëjtën kohë nuk do thosha se ka dalë një  pjesë nga PDIU. Të vetëshpallurit drejtues të PDIU-së e keqmenaxhuan për interesat e tyre private kauzën çame dhe sot në momentin e fundit ata e lanë komunitetin në baltë dhe shkuan u regjistruan në parti të tjera.

Isufi: Komuniteti çam nuk ka qenë asnjëherë i përçarë. Komuniteti çam sot nuk është i përçarë, por i çoroditur, sepse priste që gjatë viteve të shkuara të përfaqësohej nga dy deputete, dhe për 4 vjet deputeti që erdhi nga PS u vetëshpall kryetar. Pritej që të bëhej diçka me dy deputet në Parlament. Dhe një pjesë e madhe e intelektualëve u zhgënjyen nga kjo pritje e gjatë. Shpresonim se një ditë do të hidhej dritë dhe sensibilizohej çështja çame. Kur pashë që zëri i dy deputetëve nuk u dëgjua vendosa që të tërhiqem. Nuk ka si ta ndiejë vetën të ngrohtë një çam me një dhimbje patriotike që ka lënë pasuri dhe kockat e të parëve në Çamëri kur dëgjon nga drejtuesi i PDIU-së “aman më jepni rezolutën dhe merrni të gjithë votat e çamëve”. Kjo është trishtuese. Fillimisht kemi parë një lloj çoroditje. Sot ka ardhur koha që çdo çam t’i drejtohet ndërgjegjes së vet.

Dojaka: Kjo është zemërata çame, kjo është ajo që i referohem. çamët janë një popull vital dhe nuk pranojnë të trajtohen si bagëti.

Isufi: Fillimisht kemi parë një çoroditje, që ndonjëherë vijnë edhe për shkak të miqësisë. Sot ka ardhur koha që çdo çam t’i drejtohet ndërgjegjes së vetë, nëse është i kënaqur nga kjo mospërfillje prej 4 vjet, nga kjo grindje që kanë pasur dy deputetët tanë, nga kjo mosngritje e zërit të deputetëve tanë që u bën paterica të qeverisë “Berisha”. Këta deputet kishin dy alternativa: ose të detyronin qeverinë të ndërhynte pranë qeverisë greke ose të jepnin dorëheqjen. Por ky deputet e braktisi këtë parti dhe kalon në radhët e në listat e PD. Komuniteti çam ka krijuar një parti, ka një përfaqësues, ai deputet duhet në këtë legjislaturë t’i kërkonte votën elektoratit çam. Nuk ka moral që një drejtues partie të kërkoj mandatimin në listat e një partie tjetër, sepse nuk ka kurajë te partia e vetë.

Dojaka: Duke iu bazuar edhe legjislacionit të Parlamentit, PDIU duke pasur vetëm Shpëtim Idrizin në listat e PD, në rast se nuk nxjerr asnjë deputet tjetër, gjë që duket tashmë, atëherë PDIU nuk është më një parti parlamentare, për arsye se kryetari saj nuk garon me siglën e PDIU, dhe kjo është një ofendim i madh për komunitetin çam.

Isufi: Këtë herëShpëtim Idrizi ka treguar dinjitet dhe burrëri, sepse ai ka deklaruar publikisht se në rast se nuk do miratohet rezoluta çame do jepte dorëheqjen. Rezoluta nuk u miratua, ai u largua dhe gjeti mbështetjen te aleati i vet që e ka mbajtur në këmbë për 2 vjet.

Ka përçarje të komuniteti çam?

Nimet Musaj: Kontributet e mia në këtë qytet nuk janë të pakta. Në këto 22 vite ne kemi kontribute që nga krijimi i Shoqatës Çamëria me të ndjerin Abaz Dojaka, i cili është njeriu simbol i këtij komuniteti. Në momentin që krijuam forcën tonë politike që na mobilizoi dhe na dha kurajë për të kërkuar të drejtat tona të mohuara për 60 vjet. Në zgjedhjet e vitit 2009, i gjithë komuniteti më ka mbështetur. Të gjithë e dinë historinë e mandatit tim të mohuar në Qarkun e Fierit në 2009. Është komuniteti çam që më ka dhënë mbështetje, kurajë që të kandidoja, por të zgjidhja edhe Aleancën Popullore. Absolutisht që kam mbështetjen e këtij komuniteti. Unë shtëpinë time para 40 vjetësh e kam pasur në lagjen “1 Maji” dhe mbështetjen më të madhe e kam në atë lagje. Nuk vij këtu thjesht për të bërë fushatë, e por flas me bindje që unë do të jem deputet i AP në këtë legjislaturën e ardhshme.

Pse duhej Aleanca Popullore?

Dojaka: AP ka ardhur në momentin e duhur si forcë e duhur. Kjo tashmë është dukur qartë në të gjithë lëvizjen politike mbarëshqiptare, nga vlerësimi që AP ka marrë nga koalicioni që ka marrë përsipër të sjellë rilindjen në vendin tonë. Jo më kot, nga parti me traditë jemi vlerësuar si forcë surprizë. Ndoshta surprizë për faktin se garojmë rishtazi në këto zgjedhje, por bazuar në mbështetjen mbarë popullore. Ne jemi integruar brenda AP si lëvizje çame., ku veç kauzës çame ka edhe shumë çështje të tjera, si për shembull zgjidhja e çështjes për bukën e gojës për njerëzit që janë në nevojë. Këtë çështje partia jonë e ka në themel të programit të saj. Në Fier ne u orientuam drejtpërdrejt duke u përfaqësuar me birin e tyre, Nimet Musai, figurës së të cilit unë do t’i besoja gjithë familjen time. Secili nga ne duhet t’i bëjë mirë llogaritë se për kë do ta hedh votën. Ndaj slogani jonë është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: “Voto për veten tende”.

 Isufi: AP lindi në një moment shumë të rëndësishëm për të realizuar ato aspirata dhe vlera që për komunitetin çam nuk u realizuan për 4 vjet. Është bërë zakon që kandidatura e parë do të jetë e kryetarit të partisë. Është hera e parë në historinë tonë politike që kryetari i AP nuk kandidon për deputet.

Pse nuk është bërë miratimi i Rezolutës Çame?

Isufi: Rezoluta ishte një ëndërr e të gjithë çamëve. Kjo nuk u realizua më 7 prill të 2004. Arsyet qenë nga më të ndryshmet dhe kjo ngjalli një revoltë shumë të madhe te komuniteti çam. Puna ishte për tre vota. Ata që nuk plotësuan numrin e caktuar ishin: Jozefina Topalli, Sali Berisha dhe Besnik Mustafaj, i katërti ishte një funksionar i PS. Raporti ishte 53 me 52 dhe rezoluta nuk u miratua. Në këtë kohe ne kemi pasur protesta të rëndësishme nga ana e opinionit të shëndosh publik. I pari që ka protestuar ka qenë i ndjeri Sabri Godo dhe Sabit Brokaj. Ne fajësojmë Parlamentin shqiptar të vitit 2004 për mosmiratimin e Rezolutës. Pas vitit 2004 deri në 2009, ne kishim dy përfaqësuesit tanë në Parlament dhe gjëja e parë që duhet të bënin ishte të ngrinin zërin për çështjen e Rezolutës. Kjo u bë pikërisht në fund të vitit në dhjetor. Nëse këta do ta kishin ngritur zërin më parë kur qeveria e “Berishës” ishte me “poture nëpër këmbë” Rezoluta do të ishte miratuar.

Musaj: Jemi të bindur se jemi në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Personalisht jo vetëm që nuk e lashë karrierën time, por gjatë kësaj kohe kemi bërë takime nga më të rëndësishmet. Ka qenë një marrëveshje politike mes dy forcave dhe mandatin mua ma ka hequr Kolegji Zgjedhor me një vendim të formës së prerë. Edhe votat që mu regjistruan ishin shumë pak nga ato që kisha marrë. Ata që i kanë mohuar një mandat këtij komuniteti, atë “duf” që ka komuniteti do të shprehi me votën e tyre.

Keni siguri që do të mbrohet vota juaj kësaj here?

Musai: Unë shpreh besimin absolut që vota jo vetëm do të ruhet, por të gjitha votat që do na japi ky komunitet do të jenë të lexueshme. Prandaj ne jemi të qetë, prandaj i kërkojmë komunitetit çam të votojnë AP, ky Parlament ka nevojë edhe për njerëz të ndershëm.

Isufi: Unë kam besim shumë të madh se votat e AP nuk do të shpërfillen nga koalicioni. Ilir Meta ka qenë kryeministri i vetëm i Shqipërisë që çështjen çame e ka ngritur në shtetin fqinj. Kryetari i opozitës që do jetë kryeministër i ardhshëm na ka garantuar se çështja çame do të jetë në prioritetet e qeverisë së ardhshme.

Dojaka: Gjithë koalicioni në tërësi është në një kohezion të plotë. Duhet të jetë e qartë tashmë për të gjithë shqiptarët që në vitin 2013 nuk do të ketë më marifete për të mbajtur njërën apo tjetrën forcë në pushtet. Është në dobi të së ardhmes të çdo familje që vota të lexohet drejt. Ne, këtë mesazh e bëjmë të qartë shtëpi më shtëpi dhe jemi të gjithë të bashkuar për t’i dalë në krah njëri-tjetrit që këtë shërbim ndaj qytetarit të fillojmë që në 24 qershor.

Pse në koalicion me PS?

Dojaka: Çamët, por edhe mbarë AP janë njerëz me bindje jo vetëm të majta e të djathta. Është një forcë gjithëpërfshirëse e cila tregon prosperitet dhe ofron besim te votuesit e saj. Marrëveshja me PS është bërë me pika principale që kanë të bëjnë kryekëput me zgjidhjen e çështjes çame në koherencë të plotë me faktorin ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit. Ne nuk bëjmë dallim mes çamëve me bindje të majtë e të djathtë. Ne jemi njësh të bashkuar për kauzën çame, kush do të votoj majtas, djathtas. Kush do të votojë për Çamërinë të votojë AP duke iu referuar sloganit: “Voto për veten tende”.

Musai: Ndodhemi në koalicionin që forca  e ka të shkruar në programin e saj zgjidhjen e çështjes çame. Janë dy forca të mëdha politike, PS dhe LSI. Ilir Meta, Edmond Panariti jo vetëm që e kanë ngritur si problem në shtetin helen problemin çam, por kjo do të jetë një ogur shumë i mirë për ta çuar përpara. Kjo nuk ka ndodhur përgjatë 22 viteve.

Ju kanë akuzuar si forcë politike të krijuar nga e majta…

Isufi: Çamrit nuk kanë pasur kurrë simpati për të majtën. Nuk kanë njohur në Çamëri as të majtë, as të djathtë. Në Çamëri Balli ka qenë aksidentalist, Partia Komuniste nuk ka qenë e përhapur. Nuk është e vërtetë, AP nuk ka asgjë të përbashkët me ndonjë ndikim në mentalitet nga çdo forcë politike qoftë.

Dojaka: Unë vetë jam rritur me gjyshe nga babai që ka qenë motra e Teme Sejkos. Ne gjysheve u thërrasim Nuje. Kur nuja ime klante, nuk qante me syrin e majtë apo të djathtë. Ne jemi këtu për të mbrojtur amanetin e atyre lotëve që nuk do të shkojnë dëm. Kauza çame nuk mund të jetë as e majtë e as e djathtë, por kauzë e të gjithë shqiptarëve. Ne këtu nuk jemi për interesat tona private, për karrigen e radhës. Ju garantoj se pas 23 qershorit, kur ne do të jemi të garantuar me 3 mandatet tona dhe luftojmë për të 4, ne do të bëjmë kongresin mbarëkombëtar të AP për zgjedhjen e çdo strukture edhe kryetarin e saj.

Share This Article
1 Comment
  • bravo djale camerie .kur thua gjyshja ime nuk qante vetem me te majtin apo me te majtin .te lumte djale i mbare .kjo eshte kombetare ,te tjerat jane zgjedhje une kam besim se ju do arini qellimin tuaj ..ju te dashur vellezer ,nuk jeni aq sa erdhet ketu ,ne jemi martuar me came labe kosovare ,si e kendon ajo zonja e bukur kete kenge e tani ju jeni bere shume ….p,,sh ,une jam nje gjy sh cam ,,jam krenar qe nipi im eshte cam .mua si familje do me kini gjithmone pas…ju uroj gjithe te mirat suksese zoti DJAKA SUKSESE DHE POETIT TUAJ FITORE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *