40 këshilltarë kanë lënë PDIU-në për t’iu bashkuar Aleancës Popullore. Kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, thotë në një intervistë për “Shekullin” se lëvizja e tyre ishte e paralajmëruar. Dojaka shprehet se marrëveshja me PS-në parashikon legalizimin e çështjes çame.
“Jo me thirrje bajate nacionaliste, por me një produkt për një çështje, që është e bartur prej 70 vitesh, me gjithë atë dhimbje, përçmim dhe humbje të jetëve njerëzore”, shprehet Dojaka.
Më tej, ai komenton edhe rezolutën çame, të cilën PDIU e pranoi si të miratuar pak ditë para firmosjes së koalicionit me Berishën. “Po hapet një precedent shumë i rrezikshëm në parlamentin shqiptar, ku po nxirren ligje të pamiratuara për interes të mbajtjes në pushtet të njërit apo tjetrit dhe po quhen të miratuara”, tha Dojaka.
Dojaka, i cili drejton Aleancën Popullore, që mbron interesat e çamëve, ka nënshkruar një aleancë parazgjedhore me Partinë Socialiste.
