Ndërsa afrohet data 21 dhjetor, shumë shqiptarë u janë drejtuar qendrave shëndetësore për një takim me psikologun apo psikiatrin, për shkak të ankthit të krijuar nga “fundi i botës”. GSH shkruan sot se gjatë këtij muaji janë regjistruar 26 raste të tilla vetëm në një nga qendrat shëndetësore të kryeqytetit. Në një intervistë për gazetën, Ariana Rreli, psikiatre e Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr.3, thotë se kjo kategori pacientësh janë kryesisht adoleshentë, por ka edhe mosha 30-40 vjeç. Psikiatrja Rreli sqaron simptomat e akthit, ndërsa këshillon që në raste të tilla, kjo kategori duhet patjetër të ndihmohen me këshillim apo terapi medikamentoze.
“Duke qenë se inteligjenca humane e ka të vështirë ta pranojë katastrofën apo fundin, atëherë ky atak paniku ekzagjerohet në nivele të tilla që japin tmerrin në rrahje të shpeshta të zemrës, me frymëmarrje sipërfaqësore, me një lloj tmerri dhe frike demoralizimi, me panik, pasiguri, e cila shkon deri në çorientimin e personit në dëmtim të funksioneve. Domethënë reduktohet gjithë veprimtaria e tij e përgjithshme si pasojë e këtij ankthi, i cili “paralizon” gjithë jetën normale të individit” thotë Rreli.
Pavarësisht paralajmërimeve të shkencëtarëve se nuk ka vend panik në lidhje me datën 21 dhjetor, një pjesë e madhe e njerëzve e presin me frikë dhe ankth këtë ditë. NASA ka sqaruar disa herë deri tani se nuk ka asnjë provë shkencore në favor të parashikimit maja për fundin e botës.