Mora përsipër përgjegjësinë, kënaqësinë, detyrën dhe ngarkesën e gjithanshme, që të jep paraqitja e një jetëshkrimi
E ndjej të lehtë, por dhe të vështirë këtë detyrë për faktin e vetëm, pasi kam të bëj me një figurë të gjithanshme vlerash si Doktor Neki Dredha.
Dr. Neki Dredha është një personalitet enciklopedist, që vetëm ata, që e kanë njohur, që kanë punuar e jetuar me të, që kanë bashkëpunuar apo kanë ndjerë dorën e tij të ndihmës mund të jenë krenarë dhe të kënaqur, për këtë njeri human siç edhe është në profesion.
Dr. Nekiu sapo mbushi këtë vit 80 vjeç (ka lindur më 5 Prill të vitit 1939), por kur e sheh, rri me të, apo bashkëbisedon, për vitalitetin dhe memorien e mrekullueshme nuk i jep as gjysmën e moshës, që mbart mbi supe.
Me aspak mburrje thotë kam lindur në Kaninë, në ballkonin e Vlorës, Kanina e historisë së madhe, të bukur, të lavdishme në shekuj, por dhe krenare për nga pozicioni, që i ka falur natyra !
Nekiu është krenar për prejardhjen e tij të brezave patriotikë, ashtu po më shumë i kënaqur me ata, që ka krijuar familje, të lindur dhe më shumë akoma me ata, që janë brezi i dytë, nipër e mbesa.
Dr.Nekiu është djali i Jaup Dredhës nga Kanina dhe i Ganimete Merkajt nga Mavrova.
Xhaxhai i Nekiut, Skëndo Dredha ka qenë partizan në brigadën e V Sulmuese, ndërsa xhaxhai tjetër i tij Memisha vepronte në ilegalitet duke dërguar materiale të ndryshme ( veshmbathje,ushqime, etj) partizanëve sipas detyrave të ngarkuara.
Për këtë arsye edhe është arrestuar e burgosur 3 herë nga fashistët italianë e nazistët gjermanë në bashkëpunim me tradhtarët e vendit.
Në shtëpinë e tyre strehoheshin vazhdimisht luftëtarët e lirisë.
Kjo u bë shkak, që shtëpia e tyre të digjej 3 herë nga forcat pushtuese Nazifashiste dhe ballistët.
Jaupi ( i jati) ishte me specialitet teknik aparaturash telefonike në Divizionin e I-rë më pas në shkollën e bashkuar të oficerëve Tiranë e pastaj në jetën civile në pushtetin lokal të kohës.
Pas vitit 1970 doli në pension dhe gjatë kësaj kohe ka qenë Kryetar i Veteranëve në lagjen 11 Janari Vlorë !
Vetë Nekiu mbas mbarimit të shkollës fillore në Kaninë, 7 vjeçaren e kryen në Tragjas. Kjo ishte koha kur ishin transferuar familjarisht për shkak të detyrave civile të të atit Përgjgjës-Teknik i Sektorit të Investimeve dhe Bletëve, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Vlorë.
Në Dukat mori njohuri dhe dashuri të veçantë për historinë e Orikut të Lashtë, të Dukatit dhe vetë Duk Vasilit !
Kujtimet mbi fushën e vallton e Orikut, Bashamaton, Izvuarin, Gjyratin, traditat, doket, zakonet, këngët, heroizmat e lashta të mëmëdhetarëve dukatas, ngjarjet e gëzueshme dhe makabre të kohërave të ndryshme të zonës ruhen të gjalla në kujtesën e dok. Nekiut të vogël dhe nuk përton t`i tregojë vazhdimisht në brezat e mëpasëm të tij dhe midis bashkëbiseduesve, që me ndjenjë dhe lakoni si rrallë kush historian, mendon dhe dialogon me kompetencë, siç ka patur jo pak raste ku gjithmonë mendimi i tij edhe për arsye të njohjes së thellë nga studimet e më pasme janë shumë të thella e me kompetencë.
Në vitin 1954 Nekiu ndoqi vitin e parë të Gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë . Në këtë periudhë natyrisht rriten njohuritë dhe formimi i tij mbi letërsinë botërore, 5 këngët e para të Iliadës së Homerit, përkthyer nga poeti ynë i madh Naim Frashëri, me poezitë e Safos, Pindarit dhe Anakreonit.
Në vitin 1955 shpërngulet në Politeknikumin mjekësor në Tiranë, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1959.
Formimi intelektual në fushën e specialitetit të tij krijohen dhe rriten më tej edhe për faktin se në këtë shkollë kishte profesorë të shkëlqyer në të gjithë fushat (gjuhësisë,etj) si “gojëtari e rrëfimtari i shkëlqyer” ( siç e përcakton vetë Dokt . Nekiu) Prof. Petër Elezi, “ …i madhërishëm e urtiplotë…”.
Nga viti 1959 deri më 1961 doktor Nekiu, punoi në Ramicë, në një kujdes tjetër prindëror siç tregon me nostalgji e me vlerësim të veçantë, në familjen e Hyqo Zotos, në Drejtorinë e Shërbimit Shëndetësor të rrethit Vlorë, në spitalin e Lokalitetit të kohës Brataj.
Më pas punoi në spitalin psikiatrik të qytetit.
Asgjë, tregon vetë doktor Nekiu nuk ka, merret, fitohet dhe kryhet pa vështirësi, veçanërisht, kur ke të bësh me një profesion, që ke ne dorë shëndetin dhe jetë njerëzish.
Përcaktimi i duhur i diagnozës përbënte përgjegjësi profesionale, por sidomos njerëzore e humane, siç është vetë ky profesion.
Studimi i vazhdueshëm i literaturës përkatëse të gjetur jo pa vështirësi, komunikimi e konsultimi i vazhdueshëm me persona konkret të aftë në këtë fushë, sidomos me Dr. Pavli Flokon i kudogjendur ishin në metodën e natyrës së karakterit dhe punës së dr. Nekiut, që bënë të mundur të përballojë me suksese e rezultate konkrete pozitive detyrën e tij dhe të krijojë atë figurë në popullin ku ai shërbeu, për t`u mbajtur mend dhe respektuar vazhdimisht e në çdo kohë.
Natyrisht puna e palodhur të bën të njohësh me ndryshimet social-kulturore të banorëve të fshatrave të Lumit të Vlorës.
Pjesëmarrja në gëzime e hidhërime, e bëri të njihej me traditat e gjithanshme, që kalojnë gojë më gojë e brez pas brezi (këngë, valle, zakone pa fund deri tek humori dhe thumbimet therëse e me kuptim të thellë popullor) .
Gjatë kohës njihej patjetër edhe me anën tjetër të medaljes, plagët e kohës, varfërinë e skajshme, mungesat ushqimore, hallet e brengat e jetës.
E rëndë veçanërisht në këtë zonë, si në të gjithë Shqipërinë ishte periudha e heqjes së bagëtive dhe kopshteve fshatarëve duke i lënë pa atë, që ishte më e domosdoshme për jetesën, me të cilën kishin mbajtur gjallë veten e tyre.
Pavarësisht kësaj ata asnjëherë nuk humbën bujarinë tradicionale. Brengën e kthenin në këngë. Këto dhe humori i hollë i mbanin lart moralin jetësor.
Kjo periudhë-thotë doktori ishte një universitet tjetër më i fortë për mua.
Këto më bënë, që të marr dhe përvetësoj një pjesë nga ky flori i popullit, të cilin e përdor jo pak herë gjatë jetës sime.
Studimet e larta Dr. Nekiu i kreu nga viti 1961 deri në vitin 1966 në fakultetin e Mjekësisë.
Në vitin e tretë të tij merr pjesë në rrethin shkencor të farmakologjisë nën drejtimin e prof. Petrit Kokalarit në përgatitjen e një teme mbi sulfanilamidet, ndërsa në të katërtin merr pjesë në atë të urologjisë nën drejtimin e prof.dokt. Bajram Prezës, mbi helmimet me granozan dhe poliradikuloneuritet, temë eksperimentale.
Temat u vlerësuan nga katedrat përkatëse.
Në gusht të vitit 1966 u emërua mjek pediatër në spitalin ë Vlorës me drejtues pavioni Kandidatin e shkencave Kostandin Kauri, por dhe punimi me studime shkencore me prof Thoma Kriston dhe Emil Cimbon i dhanë shanse të mëdha, që do të vlenin shpejt .
Pikërisht prezenca dhe drejtimi i këtij personaliteti të kohës ka bërë, që dr. Nekiu të bëhet një personalitet për vete në këtë fushë.
Përgatiti Librin “ Pediatria dhe Puerikultura”, të cilën e miratoi dhe Ministria e Arsimit e u botua si i tillë në vitin 1971, si lëndë mësimore për shkollat e mesme mjekësore të vendit.
Ky punim është pasuruar edhe 2 herë të tjera në vite të mëvonshme.
Dr. Nekiu në punën e tij kujton jo pa nderim dhe nostalgji bashkëpunimin me personalitete të kohës, si Dok. Pavli Floko, Kostandin Kauri, dok. Isuf Hysenbegasi, dok. Tol Neltoja, etj etj.
Në vitin 1969 pas 2 vjetësh fejesë, martohet me Valentiva Llambro Varfin, me të cilën mbushin së bashku plot 50 vjet jetë të gjithanshme, të bukur e plot larmi, si familje e konsoliduar e tradicionale shqiptare.
Valentina ishte arsimuar në institutin e lartë 2 vjeçar të Shkodrës për matematikë – fizike. Kjo e bëri një mësimdhënëse në degën përkatëse në shkollën “1 Maj” e më pas atë “ 24 Maj”.
Valentina bashkudhëtarja e Dr. Nekiut gjatë gjithë jetës së saj është dalluar për urtësi, thjeshtësi, bujari, e dhunti të tjera të panumëruara të gjitha, veçanërisht në aftësinë për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Ata lindën dhe rritën së bashku tre fëmijë të mrekullueshëm, Jolin, e cila kishte cilësi të rralla morale e fizike. Fëmijë pa pretendime-thotë dr. Nekiu, e dhënë shumë pas studimeve dhe punëve të shtëpisë. Mbas mbarimit të fakultetit ekonomik dhe martesës me si Gezim Licaj.
Personalisht e kam njohur dhe punuar në periudha të vështira në polici me Gëzimin.
Martesa atyre u dha 2 fëmijë të mrekullueshëm Joginin dhe Megin, por në vitin 2013 Joli u prek nga një sëmundje e rëndë duke u lënë prindërve barrën e rritjes së fëmijëve.
Kjo është plaga më e madhe, që ka në jetë dokt. Nekiu, por që është në aftësinë e tij të përballet me jetën me djemtë dhe të shoqen e tij.
Të dy nipi e mbesa vazhdojnë aktualisht studimet e larta për ekonomistë në gjermani.
Dr. Nekiu ka edhe 2 djem Herionin dhe Ermalin edhe këta me virtyte të mrekullueshme (bëmë baba të të ngjaj – thotë populli).
Herioni është mjek urolog në QSUT dhe pedagog në fakultetin e mjekësisë. Është specializuar për kirurgji të përgjithshme në QSUT dhe në spitalin e Aviacionit Greqi, martuar me Ridvana Ruçi, me të cilën kanë tre fëmijë 2 vajza dhe një djalë.
Ermali pasi mbaroi fakultetin e gjuhëve te huaja, italisht u specializua për diplomaci në Kanada dhe Japoni. Më pas bëri dhe një kurs 6 mujor për menaxhim-biznes në Londër.
Ka punuar në Ministrinë e Jashtme si Drejtor i Protokollit të Shtetit, Konsull i Përgjithshëm në Bari të Italisë. Në gusht të 2016 është emëruar Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe ku shërben me devotshmëri dhe përkushtim. Është martuar me zj. Ani Hasanaj dhe kanë 2 vajza .
Pikërisht puna e prindërve në vite dhe vetë natyra e përkushtimi për një figurë sa më të moralshme në shoqëri i bën, që dr. Nekiu dhe zonja Valentina të kenë kënaqësi për mbarëvajtjen e tyre në jetë dhe një marrëdhënie prindër-fëmijë të mrekullueshëm, shëndoshë ë mirëkuptuese .
Për aftësitë personale të doktor Nekiut është caktuar në kohëra në detyra të veçanta drejtuese, fillimisht zv. Drejtor i Drejtorisë së Mjekimit të Vlorës dhe më pas Drejtor i tij.
Në vitin 1971 ishte dhe mësues i jashtëm i Politeknikumit mjekësor “Jani Minga” Vlorë të cilin e vazhdoi deri në vitin 1992 , në lëndën e Pediatrisë dhe Puerikulturës .
Këtë lëndë e ka dhënë edhe në fakultetin e infermierisë në Universitetin “Ismail Qemali” po në Vlorë.
Gjatë kohërave (1977 deri më 1992 ) ky personalitet ka përgatitur mbi 70 tema shkencore, të cilat janë referuar si në sesione e simpoziume shkencore në Vlorë dhe Tiranë në Klinikën e Pediatrisë.
Në vitin 1972 deri më 1974 u specializua për hematologji të përgjithshme Tiranë.
Në Konferencën e parë Shkencore në Tiranë në vitet 80 ka paraqitur 6 referate mbi ndërlikimet e anemisë drepanocitare.
Detyrën e Drejtorit të spitalit në Vlorë do ta mbante deri në Korrik të vitit 1992.
Më pas ka punuar në jetën private Drejtor në një spital privat në Kamës dhe si mjek ka lënë të njëjtat përshtypje të mrekullueshme humane tek pacientët.
Në vitin 1990 pas vendosjes së pluralizmit dr. Nekiu do të qëndronte në krahun e Partisë Socialiste, duke marrë pjesë në kongresin e 10.
Është zgjedhur anëtar i Kryesisë së PS Vlorës deri në vitin 2012.
Nuk do të mjaftonim të plotësonim figurën e personalitetit dok Nekiut, po të mos kujtonim se pikërisht për këto cilësi e aftësi intelektuale është zgjedhur në kohëra edhe në strukturat përkatëse të pushtetit vendor.
Në vitin 1998 deri në tetor të vitit 2000 ishte Kryetar i Bashkisë Vlorë.
Nga viti 2000 deri në Mars 2004 ishte zv. Kryetari Qarkut të Vlorës. Nga viti 1998 deri në vitin 2005 ka qenë anëtar i Komitetit Drejtues të PSSH.
Për këto vlera të gjithanshme dr. Nekiu është vlerësuar me tituj të ndryshëm si :
- Anëtar Nderi i Shoqatës së Dëshmorëve të rrethit Vlorë,
- Qytetar Nderi i Vlorës,
- Personalitet i shquar i Labërisë,
- Dhënë Çertifikatë mirënjohjeje nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë.
Mirënjohjen më të madhe Doktori e ndjen nga njerëzit, që ka njohur e u ka shërbyer në vite, të cilët ja tregojnë çdo ditë e orë kur e takojnë.
Duke parë anën artistike të Doktorit, si duke ndejtur e biseduar me të apo duke lexuar veprat e tij mbetesh i mahnitur me volumin, me sasinë dhe vlerat e prodhimtarisë dhe njohurive të tij.
Me plot fjalën mund ta përcaktojmë një thesar i pashtershëm.
Të ulesh me të dhe dëgjosh për aq kohë sa mundesh kupton dhe thellohesh të vlerësosh se sa ka përfituar ky personalitet nga jeta e tij e gjithanshme letrare në vite në arsimim apo trashëgimi popullore.
Ai ka perceptuar mirë dhe përvetësuar gjerësisht letërsinë klasike e atë bashkëkohore, gurrën popullore të legjendave me këngët e trimave të luftërave e gëzimeve familjare. Ai tregon dhe shkruan me pathos për dashurinë jetësore, këngët, për natyrën e mrekullueshme ku është rritur dhe ka shërbyer.
Ai konkurron dhe debaton lehtë me poetë, shkrimtarë, historianë, me artistë të të gjithë ngjyrave e llojeve.
Dita me Dr. Nekiun të ikën pa e kuptuar .
Ai flet për historinë tonë të lashtë dhe atë të re, kohën, që jetojmë në këtë shtrirje e përplasje të pakuptueshme si edhe në të kaluarën e jep mendimet e tij të çiltra e sakta.
Mbase e vërteta reale ndaj nuk pëlqehet gjithmonë, pasi ai ka qenë i drejtë për drejtë dhe s`ka bërë kompromise negative ose nuk u ka hapur rrugë për veprime antiligjore e të ndyra jo pak ndaj një pushtetari të lartë, që “përvëlohen për popullin .
E gjithë kjo pasuri individuale artistike e njerëzore e Doktorit mendoj se ka të bëjë sa me anën individuale, por dhe me trevën nga është dhe ka formuar personalitetin e tij.
Vlora me të gjithë shtrirjen rreth saj përbën një pasuri e pastërti të gjithanshme. Aty gërshetohen e harmonizohen të gjitha vlerat e duhura për një njeri, për një shoqëri të gjerë dhe për një popull të tërë.
Atje është mali me bimësinë e larmishme dhe deti me të gjithë bukurinë dhe kthjelltësinë e tij joshëse, lugina e thellë plot ngjyrë me lumenj të kulluar midis dhe pylli i gjelbër ku lëvizin dhe jetojnë speciet me vlerat e tyre.
Aty ushqehen njerëzit me aromat e luleve shumëngjyrëshe dhe jodin e pafund të pjesës së kaltër. Aty s`ka moçale ku rriten bretkosa dhe ngjala të llojeve të ndryshme. Aty nuk ka vend për arusha, që vetëm dëme mund t`i sjellin njeriut dhe natyrës.
Ndaj meriton të thuhet se edhe Dokt. Nekiu është bërë një me natyrën e vendit nga vjen.
Në rrjedhën e viteve Dok. Neki Dredha ka botuar librat me poezi:
- “Lule përmbi Valë” (2003),
- Poemën “Rënkimi i Rugjinës” (2007), “Puthja josh dhe Hënën” (2007),
- Albumin poetik “Kënga ime brengë e mall” (2013).
- Poemën: “Bregu kundruall Jonit, Qeparoi” (2016),
- Poezitë: “Ajkë e penës arbërore”, kushtuar Akademikut Dritëro Agolli (2017),
- “Nën ujra e mbi kreshta”, kushtuar Akademikut Moikom Zeqo (2017),
- “Throni s΄errëtohet nga retë”, kushtuar Kaninës e të tjera.
- Ka botuar gjithashtu disa artikuj në shtypin periodik, si “Pak fjalë për një zëmër të madhe, fisnike”, kushtuar dr. Pavli Flokos (2014),
- “KSHM Kostandin Sotir Kauri, Babai i Pediatrisë së Vlorës” (2016),
- “Mjeku i fukarenjve, Ali Mihali” (2013),
- “Një jetë e gdhendur në kujtimet e bashkëluftëtarëve dhe të plagëve të invalidëve të LANÇL, kushtuar Dr. Ibrahim Dervishit (2004),
- “Gjaku, që skuqi detin”, kushtuar dëshmorit Enver Jaho (2004),
- “Dy fjalë për mjekun urtiplotë, Et΄hem Kapllanin” (2015),
- “Prof. Dr. Skënder Skënderi, mjeku zemërmirë e gojëmjaltë, s΄është më midis nesh” (2016),
- Aleko Vesho, gur themeli për hematologjinë shqiptare” (2016),
- “Prof. Petro Cani, Nderi i Qarkut të Vlorës” (2003),
- “Mënoja, rrëzëllima e harkut të vetëtimave” (2008),
- “Shate Shkurti, njeriu fjalëhojmë e duarartë” (2009),
- “I urti, fisniku Muço Delo” (2011),
- “Rugjina, Princesha e Kaninës, mbesa e Horianëve” (2010),
- “Kënga kaninjote, një vatër e zjarrtë shpirtërore e labërisë” (2010),
- “Të jesh i drejtë është e vështirë” (2014) e shumë artikuj studimorë të tjerë.
Urojmë, që Dr. Nekiu, të jetojë sa më gjatë e të krijojë e lërë brezave pasuri të tilla pa fund.
Personalisht doktorin e famshëm e njoha në vitin 1999 në detyrën e Kryetarit të Bashkisë Vlorë.
Që në momentet e para të kontakteve tona u shpalosën cilësitë individuale të një personaliteti të kohës, që tregova më lart, me cilësi drejtuese të mirëfillta, por dhe i merakosur realisht për jetën e qytetarëve të tij.
Atë vit unë së bashku më shumë drejtues të lartë të policisë së shtetit dhe strukturave vendore zbatuam me sukses detyrën e vështirë, të sigurimit të Aktivitetit të Kryetarit të Opozitës së kohës, pas ngjarjeve të rënda të vitit të mbrapshtë 1997, ku qyteti më i goditur në të gjithë drejtimet ka qenë pikërisht Vlora, e rebelimit të firmave piramidale, Vlora e Otrantos, me viktima pa fund, etj, që nuk mund e s`duhet t`i harrojmë , por realisht të mos lëndojmë njeri akoma.
Pikërisht bashkëpunimi me të gjithë strukturat e pushtetit vendor përfshirë Bashkinë bënë të mundur, që ai shërbim të shkonte pozitivisht e pa asnjë problem.
Ky ishte momenti e vazhdoi edhe më pas me të njëjtin intensitet.
Sot me Dr. Nekiun na bashkon edhe një organizatë e madhe siç është ajo e Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare.
Vlerat e kësaj lufte i tregoi një popull i gjithë, që me drejtues vërtet të aftë, që kishin mbaruar Akademira jashtë në vende të ndryshme ose të mbrujtur me traditat më heroike të popullit tonë bënë të mundur t`i kundërvihen e organizojnë për 5 vjet në të gjithë format, luftën më të lavdishme, atë Nac-Çl duke arritur më në fund më 29 Nëntor 1944 të fitojnë mbi armiqtë më të egër të kohës, Nazifashistët Italo-Gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre të të gjithë ngjyrave dhe formave Ballisto-Zogistë, etj.
Ata arritën të fitojnë atë, që ishte më e rëndësishmja, të mbrojnë territoret tona nga një copëtim i ri, siç kishte ndodhur në historinë e afërt dhe të largët të vendit tonë.
Pikërisht për këto qëllime dhanë jetën e tyre 28 mijë dëshmorë gjatë 5 viteve të luftës dhe shumë të tjerë më pas.
Kjo është detyra më e rëndësishme e kësaj organizate, për të cilën jemi të bashkuar me njeri tjetrin dhe sot në bashkëpunim edhe me miq real jashtë vendit do të jemi vigjilentë për t`ua lënë edhe brezave të tjerë.
Kjo është kënaqësi, që pranë kësaj organizate sot e në vazhdimësi afrohen duke u bërë anëtarë pasardhësish pjesëtarë të brezave më të rinj, të veteranëve të kësaj lufte të madhe të vlerësuar nga e gjithë bota përparimtare.
Jetë të gjatë Doktor Neki Dredha !
Me respekt,
Veli Myftari

Artikull shume i bukur.
Artikull shkruesi , mos eshte Veli Myftari, ish Drejtor i Pergjithshem i Policise se Shtetit, pas vitit 1998 ?
Nekiu një superqelbësirë.Ata që e njohin mirë tregojnë bëmat e katij m….Mbiemër më se domethënës.
I tha nje here dr Pelivan Hasani : o me jep mbiemrin ose do te jap emrin.
Kushner eshte vlonjat e di shprehjen e Nekiut kur e vendosen kryetar Bashkie .Cfare ishte ky fat per mua be kete moshe. Kuptohet e kishte qe ne prag pensioni do vidhte.
Kus eshte vlonjat e di shprehjen e Nekiut kur e vendosen kryetar Bashkie .Cfare ishte ky fat per mua ne kete moshe. Kuptohet e kishte qe ne prag pensioni do vidhte.