12 fitoret e Doktorit

anazapta

“Hë, Doktor, i ke vënë përpara ata të ‘mallkuar’, apo jo?!

“I kam bërë që nuk ka kuti votimi që i nxë!”

“E po shyqyr! Ja ktheje një gotë, ja për fitoren tënde të 12-të.”

“O po çfarë thua, ti Hysni”, u vërsul Ylli, “të zuri rakia ty apo si  e ke muhabetin?!”

“Mua më zë rakia, si të zë ty dashuria, po pse habitesh ti intelektuali i m..tit!”

“Se më duket se po ja fut kot, ti komunisti m..tit!”, kundërshtoi Ylli.

“Po ja pyete këtë demokratin e m..tit”, i thashë unë duke treguar nga Doktori, “sa fitore ka!”

“Hë, o Doktor! Thuaja numrin këtij komunistit, se vdesin për të gënjyer e ekzagjeruar këta, u ka ngelur fiksim që nga kohë e Diktatorit!”

“Dëgjo, o Yll i dashur! Hysniu ka të drejtë!”

“Nuk ka mundësi!”, ulërinte Ylli, që ishte i sigurtë në llogarinë e tij!

“Ah, more intelektual, që më je edhe Prof. Dr., që je marrë me politikë, edhe nuk mban mend asnjë gjë, ja të sqaron xhaxhai tani!” E rrokullisa një gotë unë dhe fillova shtruar!

“Dëgjo, ti kokëleshi xhaxhait, u bënë zgjedhjet e para në 1991-shin?”

“Po”, tha Ylli.

“I fitoi Doktori ato apo jo?!”

“Joooooooooooooooooo”, ulëriti Ylli, që kujtoi se triumfoi në të drejtën e tij!

“Pooooooooooooooooooo”, ulërita unë, “por i vodhën votën!”

Doktorit i shkëlqyen sytë dhe pohoi duke u drejtuar nga Ylli, që i kishte ikur figura fare!

“Në 1992-ishin fitoi doktori zgjedhjet”, i ulërija unë!!

“Pooooooo!”, ulërinte Ylli.

“Në 1996-n fitoi Doktori”, ulërija unë.

Doktori pohonte me kokë. “Pooooooooooooooooo!”, ulërinte Ylli.

“Në 97-n fitoi Doktori po i vodhën votën!”, ulërija unë.

Doktori pohonte me kokë. “Pooooooooooooooooo!”, ulërinte Ylli që ishte bërë tym nga inati.

“Në 2001-in fitoi doktori po i vodhën votën”. Doktori pohonte e Ylli ulërinte, “Poooooooooooooooooo!” E kështu unë i numëroja fitoret, Doktori pohonte me kokë edhe Ylli ulërinte “Poooooooooooooooo”.

“E more vesh, more intelektual, si është e vërteta, ka humbur ndonjëherë Doktori?”, e pyeta unë

“Jo jo”, përgjigjej Ylli si i dhjerë!

“Po pse të jemi kaq pa fat, more Doktor, çfarë i kemi bërë Zotit që na ka mallkuar?!”

“Pse, o Hysni?”, ndërhyri Doktori.

“Po ja, që edhe kur fiton ti, të vjedhin votën, sikur mos të kishin vjedhur votën ty të majtët, do të kishim ty që nga 1991 e deri më sot pa shkeputje fare dhe gjërat do kishin ecur për së mbari!!”

“Do i ketë ngelur qejfi nga ju komunistet që prishët kisha e xhamia”, u hodh Ylli!

“Ore, ne i lamë ato gjynahet tona, por unë kam frike se mos i ka ngelur qejfi me ju, në 1997-n, se me ato armë që shpërndatë, e me gjithë ata fishekë duke qëlluar në drejtim të qiellit juve do ja keni bërë dyshekun vrima-vrima Zotit atje lart!”

“Hë, mos ja fut kot tani,se plumbat nuk shkojnë më shumë se 700m!”

“Epo, do jetë afruar Zoti për të parë pse po bënim ne rrëmujë, edhe ashtu si qëllonit ju, si të shkalluar, jo dyshekun që ja keni bërë me vrima, po unë kam frikë mos e keni plagosur fare!”

“Jo po e kemi vrarë”, ndërhyri Ylli.

“Ore, po çudi mos të duket ty, se mirë ne që nuk po i zgjedhim dot të saktë këta që kemi në tokë, e po na bëjnë kokë më kokë, por edhe Zoti këta që na ka dërguar në tokë, njëri më mysybet se tjetrin i ka! Po thuaj, inshalla kur të shkojë Doktori atje lart, edhe kur të bëhen zgjedhjet për nënkryetarët e Zotit, të marrë postin që i takon atje lart se atje nuk i vjedh njeri votat, edhe të na ndihmojë që atje lart! Sepse, sa qe këtu posht, lëmsh na ka bërë!”

“Nuk është ide e keqe, Hysni, të paktën e kemi edhe një shpresë që mua do më keni përsëri edhe në tokë, edhe mbi kokë!!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *