71 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Ministria franceze e Mbrojtjes ka hapur një prej thesareve më të shtrenjtë të shtetit francez: arkivat e spiunazhit dhe kundërspiunazhit francez dhe si dhe ato gjermane, të Gestapos dhe Abwehr-it. Pas deklasifikimit të dokumenteve, historianët francezë zbuluan se një nga gratë më të famshme franceze të shekullit XX, stilistja Coco Chanel, ishte pjesë e inteligjencës gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në dokumente përfshihen detaje të misioneve të drejtuara nga spiunët gjermane që përndiqnin anëtarët e Rezistencës Franceze, aktivitetet sekrete të qeverisë në ekzil të gjeneralit Charles De Gaulle dhe përpjekjet për të gjetur vendndodhjen e kriminelëve të luftës. Kështu, në dosjen informative të Chanel përfshihet një letër nga një burim anonim në Madrid, për Rezistencën Franceze (lëvizje e rezistencës franceze gjatë pushtimit nazist të vendit dhe qeverisë kolaboracioniste të Vishisë).
Në letër thuhet se Chanel konsiderohej si një person “i dyshimtë dhe se mes viteve 1942-1943 ka qenë e dashura e agjentit Hans Günther von Dincklage, i cili ka punuar për ambasadën gjermane në Francë në vitin 1935. Përveç kësaj, ai ishte dyshohet se ka marrë pjesë në aktivitete propagandistike dhe ndoshta mund të jetë një spiun i nazistëve”.
Frederic Queguineur, përgjegjës i arkivit të shërbimeve speciale franceze u tha gazetarëve se Abwehr, shërbimi i inteligjencës gjermane e ka regjistruar Coco Chanel-in si agjente. Kështu, stilistja mund të jepte informacione, ose të bashkëpunonte me gjermanët. Megjithatë, ai theksoi se ende nuk dihet nëse Coco Chanel ishte në dijeni që ishte e regjistruar si e tillë, pra si një agjente sekrete. Kur filloi lufta, Chanel mbylli shtëpinë e saj të modës dhe disa dyqane.
Besohet se pas arrestimit të nipit të saj, u vu në kontakt me autoritetet gjermane, dhe pas çlirimit të Francës, u akuzua për kolaboracionizëm dhe u dëbua nga vendi. Pas një vendimi të qeverisë në vitin 1999, qindra dokumente u dërguan në arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes pa klasifikuar, një strategji e qëllimshme për të evituar që ndonjë qeveri e huaj të kishte akses në to. /DITA
