Letër e nënshkruar
Ndrecë Dodaj
Eshtë një fitore e madhe reforma territoriale, ku u suprimuan bashki e komuna, se përveç punësimit të disa punonjësve, asgjë të mirë nuk kishte. Por mendoj se po nuk u ndryshua ligji 8652 i vitit 2000, kjo reformë do të jetë gjysmake. Pushtetit vendor në këtë ligj i janë dhënë kompetenca që nuk mund t’i realizojë, por edhe nga ato që i mungojnë fare. Është fakt se krerët e pushtetit vendor votohen direkt nga zgjedhësit, por me të drejtë lind pyetja: ky pushtet i zgjedhur prej tyre, a duhet t’i shërbejë e t’i zgjidhë hallet e problemet që ai ka? E vërteta është se zgjedhësi nuk ka pse të drejtohet tek zyrat e pushtetit vendor pasi arsimi, shëndetësia, energjia, uji, shërbimet, nuk kanë asnjë vartësi nga ky pushtet. Është e domosdoshme që me reduktimin e komunave dhe bashkive, të bëhet një studim më i saktë për vendosjen e administratorëve, pasi nuk është e thënë të lihen detyrimisht komunat ekzistuese. E themi këtë pasi sot lëvizja e popullsisë ka krijuar raporte të tjera. Kështu mendoj se në disa qëndra, komuna apo ku të shihet e arsyeshme, të lihen vetëm 1-2 administratorë, gjendje civile të ketë vetëm në qendër të bashkive të krijuara, pasi çdo person do të përdorë vetëm aty dhe qytetarët nuk kanë pse sorollaten.
