Domosdoshmëria për të shëruar shëruesit

anazapta

Nga Ani Bulla

Duke marrë shkas nga disa diskutime dhe duke ndjekur pothuajse rregullisht debatin publik mbi nismat e marra më parë, sidomos për sa i përket reformës në shëndetësi dhe arsim, më ka tërhequr vëmendjen mënyra se sa lehtë shqiptojmë fjalën “reformë” (reforma në arsimin e lartë, në spitale, në maturën shtetërore). Sikur kjo reformë është si një shkop magjik që mund të shërojë plagët që ndodhen në sistem. Sugjestionohemi shumë nga kjo fjalë, a thua që po ta përmendim, ashtu siç është thënë deri para disa kohësh “u bë kjo e ajo reformë në shëndetësi”, do të rezultojë e suksesshme. Shumë relative. Fraza “Sukses në reforma”, sidomos në shëndetësi, edhe në SHBA përdoret me rezerva.

Implementimi i Affordable Care Act (ACA), e ashtuquajtura Obamacare debatohet dhe sot për arritjet ose jo dhe duhet pasur parasysh niveli i tyre në shëndetësi. Absolutisht që ka nevojë për reformim të sistemit, madje mendimi i përgjithshëm në ambientet akademike është se ne jemi në drejtimin e gabuar dhe në disa fusha, sidomos në shëndetësi dhe arsim jemi edhe në frekuenca të ndryshme me sistemet e vendeve që aspirojmë t’u bashkohemi. Primum non nocere, ky është parimi themelor në shëndetësi, por a arrin ky sistem ta mundësojë këtë? JO.

Sado mjek të mirë të kemi dhe aparatura të gjeneratës së fundit, është e pamundur të arrihet suksesi, që në këtë rast është shërimi dhe cilësia e shërbimit, sepse ky sistem çdo ditë e më shumë është duke bërë suicid një pjesë të tij. Duke e bërë mjekun e përgjithshëm si një polic që rregullon trafikun e pacientëve (me gjithë respektin për policët), pra jo si një shërues në vetvete dhe duke e konsideruar mjekun dhe infermierin thjeshtë si një numër në ditën e zgjedhjeve dhe një mënyrë për të bërë politikë. Në spitalet dhe qendrat shëndetësore tona, mjeku dhe infermieri ka mundësi të jetë më i sëmurë se vetë pacienti nga kushtet dhe ambienti në të cilin punon dhe këtu më vjen një frazë nga libri “Mjekët” i E.Segal, që i quan “shëruesit e sëmurë”.

“Do or delivery” ishte një artikull i para pak javësh në prestigjiozen “Neë England Journal of medicine”, që përkrahte idenë e aksesit dhe ofrimit të shërbimit shëndetësor të të gjithë popullatës me lehtësi në vendin ku ndodhet pacienti, sa më afër banesës së tij. Me këtë rast doja të përshëndesja nismën e re të Ministrisë së Shëndetësisë për mamografitë e lëvizshme, me shpresën se ky është vetëm fillimi i iniciativave të tjera, në mënyre që pacienti të ketë të njëjtën cilësi shërbimi si në qendër, ashtu dhe në periferi dhe me “periferi” e kam fjalën jo për qytetin më të largët, por për Konispolin dhe Vermoshin. Sistemi shëndetësor ka nevojë për masa reanimatore, përpara se ky titanik të përballet me ajsbergun e tij.

 

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *