Don Draper dhe abiset e krijuesit

anazapta

Ka qenë një epokë kur krijuesi ishte një far i komunikimit, i cili ndriçonte përditshmërinë dhe e bënte tërheqës banalitetin. Krijuesit shiheshin si yje rroku, fitonin para me tonelata dhe rrethoheshin me gra të bukura. Në atë epokë, të gjithë ata besonin se ishin sharmantë, inteligjentë dhe cinikë si Don Draper (krijues idesh publicitare)

Personazhi i Don është inspiruar nga një referent real, Draper Daniels, një legjendë e publicitetit në vitet ’60. Është personazhi më ikonik i serialit bashkëkohor “Mad Men”(që transmetohet aktualisht edhe në “Albanian Screen”), objekt i një literature kritike mbi temën e formulimit të publiciteteve, maskilizmin dhe modën.

Të gjitha dyshimet e Don janë të lidhura me traumat e së kaluarës. E ëma prostitute vdes duke e sjellë në jetë, i ati i alkoolizuar ndërron jetë në mënyrë groteske, vëllai vetëvrasës, njerka që e rrit me zemërim e mëri në një bordello dhe aty nis lidhja e tij traumatike dhe patologjike me seksin.

Don nuk priret drejt gjetjes së lumturisë, por vihet në kërkim të kënaqësisë. “Universi është indifferent” thotë, e atëherë ia vlen që të jetojë sipas rregullave të tij. Por, gjithashtu sundohet nga një etikë e hekurt: kënaqësia (në punë, jetën private, me gratë) kërkon ‘djersë’, vendosmëri dhe strategji. I bindur se talenti i tij natyral nuk i mjafton për të arritur aty ku dëshiron, i besohet gënjeshtrës si mjet shëlbimi. Gjatë luftës mes dy Koreve, i vjedh identitetin një ushtaraku të vrarë dhe gropos përgjithmonë emrin e tij  të vërtetë, Dick Whitman.

Niset kështu drejt pushtimit të “Madison Avenue” për të shpikur zanatin e publicitetit në agjencinë “Sterling Cooper” dhe shpejt do të arrijë majën. Nga aty, e gjithë jeta e tij paradoksalisht do të jetë një zbritje drejt fundit me momente kalimtare ngazëllimi në një rrjedhë të pandërprerë, që herë e përballon me dinjitet dhe herë të tjera e le veten pre të ekseseve të të gjitha llojeve (drogë, seks, alkool). Në revistën “Studio”, gazetarja Anna Momigliano e përshkruan atë si një “sociopat”, një figurë tragjike, i aftë për sjellet më ulëta pa paguar asnjëherë çmimin e tyre. Ai e pushton publikun edhe falë mungesës absolute të empatisë, koefiçentit të ulët të skrupujve dhe me aftësinë e nxjerrjes së vetes nga telashet thuajse gjithmonë. Në ndryshim nga antiheronjtë e tjerë, vështirë që ai të angazhohet në një linjë emotive: josh dhe magjeps shumë më tepër se sa ngjall dashuri. Raporti i tij me gratë  përkufizohet nga trajta obsesioni, gjithnjë i destinuar drejt akumulimit dhe pastaj shmangies dhe pazgjidhshmërisë.

Janë prostitutat pa emër të cilat i bëjnë shoqëri për pak kohë, pastaj janë ato që dëshirojnë ta shpëtojnë si psikologia Faye Miller apo trashëgimtarja e pasur, Rachel Menken. Gjithashtu, pretë e një nate, të nevojshme për t’i ofruar kënaqësinë e joshjes dhe dominimit më shumë se atë të seksit (sekretarja Allison deri te Suzanne, mësuesja e vajzës së tij). Mbi të gjitha kryesojnë figurat e Betty-t dhe Megan-it, respektivisht zonja e parë dhe e dytë Draper. Betty i ka të gjitha karakteristikat e gruas trofe: e bukur dhe e disponueshme për të hequr dorë nga ambiciet e saj në funksion të rolit të nënës dhe gruas së shtëpisë. Martesa e tyre shkatërrohet sepse të dy janë viktima të papjekurisë emotive e personale, gjithnjë të prirur për të gënjyer veten. Ardhja e Meganit, sekretares së re kanadeze, duket se sjell mundësinë e një spiraleje normaliteti, por Draper e shkatërron me vendosmërinë që tregon për të rrënuar çdo rast lumturie. Shkrimtari i skenarit të serialit, Matthew Weiner, thotë se jeta e Don Draper-it, është vetëm një përmbledhje e këngës legjendare të Nancy Sinatra-s: “You only live twice, one for yourself and one for your dreams. This dream is for you, so pay the price” (Jeton vetëm dy herë, një herë për veten dhe njëherë për ëndrrat. Kjo ëndërr është për ty, pra paguaje çmimin)./ D.Gjuzi 

0000059322_20090803130927

llllllllllllllllll

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *