Të dielën mbërriti në Tiranë, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. I shoqeruar nga familja tij, zoti Lu, u prit në aeroport nga stafi i Ambasadës.
Rreth 60 minuta përpara mberritjes së avionit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në terminalin VIP mbërritën 6 oficerët e shoqërimit dhe pak minuta më pas, shefja e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun Valerie O’Brien shoqëruar nga një bashkëpunëtor shqiptar dhe një amerikan.
Për t’i uruar mirëseadhjen atij, që do të jetë në krye të misionit diplomatik amerikan në Shqipëri,mbërriti edhe numri dy i ambasadës amerikane Henry V. Jardine, i cili ishtë personi i parë që pas zbritjes nga shkallët e avionit Donald Lu shtrëngoi duart.
Pas një qëndrimi 20 minutësh në ambientet e ‘Marubi Lounge’, Lu iu drejtua kryeqytetit.
Përpara kësaj ambasadori për Top Channel tha: “Është një privilegj i madh për mua që jam këtu në Shqipëri vendin e shqiponjave. Familja ime edhe unë presim me kënaqësi të njohim shumë prej jush dhe vendin tuaj të bukur”.
Karriera diplomatike në DASH e Lu ka nisur në vitin 1990 duke shërbyer në Pakistan, Indi, Gjeorgji, Kirgistan, Azejbaxhan dhe Uashington.
Pas një pritje të gjatë më shumë se një vit ambasadori i ri amerikan Donald Lu mbërriti në Tiranë për të nisur misionin e tij diplomatik. Por sa i lehtë apo i vështirë do të jetë ky mision krahasuar me paraardhësit e tij John Withers apo Alexandër Arvizu? Kjo vlen për t’u parë.
