Teksa e shikon që zbret shkallët e Radio Televizionit Shqiptar, Donika Mustafaj të habit me elegancën e saj. Dhe kur mëson që është bërë gjyshe, nuk rezervohesh dot pa i thënë që është shumë në formë. Në këtë moment, Donika qesh dhe tregon një batutë të bashkëshortit të saj. “Ndodh që e pyesin shpesh Besnikun, se me çfarë e ushqen gruan që është kaq elegante, përgjigja e tij e zakonshme është; me dashuri”, tregon Donika, ndërsa i fshihen sytë nga e qeshura. Gruaja që kemi përballë është bashkëshortja e shkrimtarit dhe politikanit, Besnik Mustafaj. Ajo punon në TVSH, pranë departamentit të prodhimit. Fundjavën e kaluar ka promovuar një dokumentar, i cili trajton një temë të ndjeshme të shoqërisë shqiptare. “Autografi” është prodhimi më i ri i realizuar me skenar dhe regji të Donika Mustafajt. Regjisorja vjen me një film-dokumentar, që rrëfen pak nga marrëdhënia e ngushtë që ka krijuar shqiptari i sotëm me autoveturën. 20 vite dashuri me makinën na kanë shkaktuar shumë dhimbje. Mënyrën se si jetojmë, e përcjellim edhe në formën se si drejtojmë automjetin. Regjisorja tregon se kjo është një marrëdhënie tejet e ndërlikuar dhe më së shumti joharmonike. Mustafaj në thelb nuk ka synuar të bëjë një film për katastrofat, për shifrat tragjike të aksidenteve, por ndërton një portret të shoqërisë shqiptare, ku individualizmi dhe zakonet e secilit drejtues makine rrezikojnë dashje pa dashje jetën e të tjerëve.
Por ishte një moment që e bëri Donikën të mendonte seriozisht në ekranizimin e kësaj zallamahie në rrugët tona. Një moment personal teksa ajo vetë ishte në timon.
“Isha në makinë me fëmijët e mi, që na ndodh rrallë të jemi bashkë pasi ata janë të rritur tashmë. Në një situatë të sikletshme, unë… shava. Djemtë reaguan, pasi nuk më kishin dëgjuar ndonjëherë të nxirrja ashtu fjalësh nga goja. Ata panë një mama tjetër në makinë. Kjo më bëri që të reflektoja, të flisja për këtë problem dhe të thosha disa të vërteta dhe këtu u ngacmova që këto të vërteta t’i tregoja në një dokumentar”.
Zonja Donika, ju personalisht sa kohë keni që jeni drejtuese automjeti?
Unë jam drejtuese autoveture që në vitin 2004. Mendoj që nuk ka shqiptar që nuk e gjen veten tek ky dokumentar. Ne të gjithë i shajmë ata që nuk respektojnë rregullat, por nuk mendojmë kurrë për veten tonë. Në këtë dokumentar, ndërtova një portret të shoqërisë sonë. Nuk e dija që secili nga ne në makinë vepron me një ves dhe me një zakon që ka. Në fund të fundit, aksidentet rrugore janë një shumatore e këtyre veseve të bëra bashkë. Aty pashë edhe individualizmin e shqiptarëve, që në mënyrë të pandërgjegjshme rrezikojnë jetën e vetes dhe të tjerëve.
E përfunduat këtë dokumentar me të njëjtën mendim që e nisët, apo në fund, ju mësuat gjëra të reja mbi drejtuesit e makinave?
Një gjë është e sigurt: që ky dokumentar mua më ka ndryshuar. Pra, unë e ngas ndryshe makinën nga ç’e ngisja më parë. Se sa do të ndryshojë të tjerët, nuk e di, por shpresoj dhe uroj që edhe të tjerët ta shohin makinën ashtu siç e shoh unë.
Ecja shpejt. Unë, po mos të shihja kilometrazhin, nuk e dalloja sa shpejt ecja. Muzikën e lartë e kisha zakon të keq, pasi nuk e shijoja dot me zë të ulët, por volumi të shpërqendron, se një moment është pakujdesia. Të gjitha këto i kam eliminuar.
Për realizimin e dokumentarit, ju keni marrë emra të njohur, aktorë, aktivistë të shoqërisë civile, pse pikërisht ata?
Po, zgjodha ata sepse publiku do që të identifikohet me dikë për ta gjetur veten aty. Personazhet e mi kanë pohuar përpara kamerave disa dobësi gjë që jo çdo njeri i pohon. Njerëzit në makinë tjetërsohen dhe kjo tregon lidhjen e veçantë që ne shqiptarët kemi me makinën, që nuk ka të bëjë shumë me nivelin kulturor, as nga infrastruktura dhe as nga legjislacioni në fuqi, por ka të bëjë me mentalitetin tonë.
Përveç të këqijave, makina të jep liri apo jo. A ka ndonjë gjë pozitive makina?
Unë kam realizuar ëndrra që nuk i kam ëndërruar. Që do të ngisja një ditë makinën, nuk e kisha ëndërruar dhe kur hipa në makinë, isha më se e lumtur. Ndoshta edhe për të treguar se çfarë jemi të afta të bëjmë, ndërsa tani them që do ishte më mirë të jem pasagjere.
Të lodh makina?
Do një përqendrim maksimal. Sidomos në Shqipëri. Është një përgjegjësi shumë e madhe. Duke pasur parasysh që ne gjendemi në rrugë përballë çdo befasie. Njerëzit ecin jashtë çdolloj rregulli, jo vetëm makinat, por edhe këmbësorët. Jeta në vendin tonë është plot strese dhe makina është një mjet, në të cilin i zbrazim të gjitha frustracionet që kemi marrë gjatë ditës. Kur hipën në makinë, nëse je e gëzuar e nis mirë; nëse je e mërzitur, nuk e nis mirë atë.
Jeni befasuar me ndonjë nga personazhet tuaj?
Me disa jam befasuar. Ndonjëherë njeriu i merr me mend ca gjëra. Përderisa unë shaj në makinë, nuk besoj që ka shqiptarë që nuk shajnë, edhe po nuk shau, do turfullojë. Del në dokumentar që të gjithë burrat flasin keq për gratë, dhe gratë thonë për burrat që e ngasin mirë makinën, por janë shumë të pasjellshëm. Bota e makinës është bota që kemi ne në jetën e përditshme, por makina e bën më të dukshme se i kemi të gjithë në rrugë. Ka shumë të bëjë, mënyra se si ne mësohemi. Ne ende mbajmë fëmijë përpara makinës të palidhur, po ai fëmijë rritet në atë formë, shikon, dëgjon dhe ai kur të rritet do të sillet në të njëjtin model.
***
Jeta pa politikë e Besnikut
Donika dhe Besnik Mustafaj jetojnë në fshatin Priskë, 13 kilometra larg Tiranës. Ata ndihen mirë dhe kanë gjetur paqe e qetësi në këtë vend. Është një ambient që i frymëzon edhe për krijuarin e tyre, por nga ana tjetër i mban larg stresit artificial që shpesh ta jep qyteti. Në këtë pjesë të bisedës, kemi folur me Donikën për Besnikun. Ajo tregon se është një grua tradicionale dhe respekton kërkesat dhe lirinë e bashkëshortit të saj. Respekti ka qenë reciprok dhe kështu shpjegohet kjo martesë e suksesshme dhe e shëndoshë. Janë njohur bashkë që studentë dhe prej atëherë dashuria mes tyre vetëm është shtuar. Është në paqe me veten dhe nuk e shqetësojnë rrudhat në fytyrë. Ajo e ka shijuar jetën. Përpara dy vitesh është bërë gjyshe e një nipi të vogël, ndërsa për vete thotë se…po ndien mungesën e një vajze.
Zonja Donika, sa iu ka ndihmuar të qenit gruaja e Besnik Mustafajt, në punën tuaj?
Besniku e pa dokumentarin vetëm në premierë. Unë sigurisht që kam lehtësira duke qenë gruaja e tij, sepse ndoshta këto personazhe që kam sot, nuk do t’i kisha. Unë mendoj që kjo i ka shërbyer më shumë dokumentarit se sa mua. Por kjo nuk do të thotë që dokumentarin ma ka bërë Besniku (qesh).
Të ndihmon në marrëdhënie me njerëzit?
Kur bëra dokumentarin “Fëmijëria peng”, ku u futa te familjet e mesme dhe të pasura të shqiptarëve pas viteve ’90, ishte ndoshta edhe emri i Besnikut nga pas, që më ndihmoi sepse ato nuk t’i hapnit dyert. Por vetëm kaq. Sepse më thonë shpesh që “hë se të jep një dorë Besniku”. Jo, ai nuk bën dot dokumentar, ashtu siç unë nuk bëj dot letërsi.
Ju vjen keq që iu thonë kështu?
Po, edhe më vjen sepse nuk është e vërtetë. Ndonjëherë edhe Besniku më thotë që, sa keq më vjen që edhe meritat e tua i marr unë. Unë mendoj që njeriu duhet të marrë atë çka meriton. Në fillim mërzitesha, po tani nuk më bën më përshtypje, pasi kam tetë dokumentarë dhe nuk besoj se mendon njeri që të tetë m’i ka bërë Besniku (qesh).
Ju vazhdoni të jetoni në periferi të Tiranës?
Po, jetojmë në fshat, në Priskë. Kemi një shtëpi atje.
Si është jeta në fshat?
Shumë e bukur. E qetë, dhe aq më tepër për krijuesit, është parajsë pasi ka qetësi. Je larg anktheve, larg stresit. Ka ajër të pastër dhe është shumë mirë.
Sa kohë u bënë që keni zgjedhur këtë mënyrë jetese?
T’ju them të drejtën unë kam qenë shumë qytetare dhe kam qenë pro jetës në qytet, por që nga momenti që vendosëm të shkojmë në fshat, nuk e ndërroj me qytetin. Sigurisht, që punën e kemi në Tiranë dhe zbresim këtu, por më pas kur shkojmë atje, jemi komplet në harmoni me natyrën.
Si është marrëdhënia juaj me bahçen, me shtëpinë?
Kujdesem për ato lulet që kam pothuajse çdo ditë. Kam të gjitha llojet e pemëve, por nuk kam perime. Ndërsa frutat i vjel, bëj shumë reçel. E adhuroj kuzhinën dhe mundohem të gatuaj shpesh.
Ju jeni nënë e dy djemve të rritur. Ju ka munguar një vajzë?
Deri pak më parë jo, por tani që çunat, njëri u martua dhe tjetri do martohet së shpejti, tani me duket se po filloj ta ndiej mungesën. Të mira janë edhe nuset, por kohët kanë ndryshuar, secili ka punën e vet, ata janë të larguar. Para dy vitesh u bëra gjyshe dhe përsëri, me djalë.
Po Besniku, si është si shofer?
Mendoj se është si pjesë e madhe e shoferëve, por edhe ai ka raste që turfullon në makinë. Kam shumë raste, kur unë i flas, i them kujdes këtu, atje. Në jetën e përditshme është i qetë, ndërsa në makinë bëhet pak më agresiv.
Jeni më shumë shofere e atij apo pasagjere?
Ndodhin të dyja rastet, por mendoj se e ngas më mirë autoveturën kur nuk e kam Besnikun në makinë. Kur ai është me mua, jam ndryshe. Kur jemi shoferë i bëjmë vërejtje njëri-tjetrit.
Si është jeta me një shkrimtar?
Nuk është e lehtë sepse shkrimtari do kohë të shkruajë, i kushtohet veprës… Në një farë mënyre është i izoluar.
Je ndier ndonjëherë e lënë “pas dore”?
Në fillim po, por tani jam mësuar. Mendoj që më mirë që kam pranuar të jetoj me një burrë që më kushton pak kohë edhe është ky që është, se sa me një tjetër që ndoshta do të më kushtonte më shumë, por nuk do të ishte ai që unë doja. Pastaj është dashuria në mes. Kur mes dy personave ka dashuri, atëherë shumë gjëra tolerohen dhe kuptohen. Nuk mund të jesh egoiste në çdo pikë.
E keni pasur këtë mirëkuptim gjatë gjithë këtyre viteve?
Mendoj se po, pasi është dashuria në mes.
Ka ndryshuar koncepti juaj për martesën?
Dikur kam thënë që: “Unë vërtet jam ndryshe nga nëna ime, por në fund të fundit, modeli është brenda meje. Jam një grua tradicionale”. Për këtë fjali, ditën tjetër u gjykova nga shoqet e mia sepse thashë që jam grua tradicionale. Unë nuk e kuptoj se çfarë do të thotë të jesh një grua moderne: Do të thotë që të mos i shërbesh burrit, fëmijëve?! Apo të mos jesh prezente në shtëpi?! Jo, nuk e dua këtë dhe nuk duhet të jetë kështu. Edhe me Besnikun nuk jemi martuar menjëherë, por kemi ndenjur një vit që e kemi njohur njëri-tjetrin. Dashuria ka ardhur duke u shtuar, ka ardhur në ngjitje. Familja duhet respektuar.
E ndiqni politikën?
E urrej, nuk e pëlqej fare politikën.
Po si ja keni bërë gjatë kohës që bashkëshorti juaj ishte pjesë e politikës?
Unë e kam pranuar në çdo zgjedhje bashkëshortin tim. Vërtet nuk e kam pëlqyer politikën, por ama e kam mbështetur Besnikun si një grua politikani. Personalisht, nuk e di ç’do të thotë të jesh gruaja e një politikani, por unë di ç’do të thotë të jesh gruaja e Besnik Mustafajt.
Tashmë që ai është tërhequr nga politika, në sytë tuaj, ndihet më mirë?
Ndihet shumë mirë, i qetë, por edhe unë jam shumë më mirë, pasi e kam të pranishëm në çdo moment.


Dava makinash ose panair kotësish. Dhe sa gjatë është tjerrur ky shkrim, thua se këtu çalon gomari?
Te gjithe keta qe punojne ne RTSH jane gruaja e .. vajza e… djali i … prandaj shikueshmeria e ketij kanali eshte pothuajse zero.
Gezime dhe lumturi familjes mustafaj.
Keta Kane nje super vile , rezidence .Skam pare te tille. As Linda e Rames qe po nderton aty prane se ka te tille. Me c pare te kete bere thua? Apo me letersi
keta sikur biresuan nje vajze para ca vitesh? cudi qe se permendin fare?????
E kishin “biresimin” me kohe te pjeseshme,per show elektoral.
Urime