Donnarumma kalon Buffon, portieri i tretë më i paguar

Gazeta Dita
92108058

Në fund ka qenë thjesht një çështje ekonomike. Marrëdhënia mes Donnarumma dhe Milan është ndrequr me një rinovim milioner për një lojtar 18-vjeçar. Kjo kontratë e re me kuqezinjtë e bën atë një nga portierët më të paguar në botë, edhe pse nuk ka fituar akoma asgjë dhe nuk ka treguar se mund ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë, ka nga ata futbollistë që kanë fituar gjithçka në karrierën e tyre, si Buffon, të cilët kanë një rrogë më të ulët. Gjithsesi, ky fakt nuk e ndalon Donnarumma-n të shijojë momentin dhe të synojë pozicionin më të lartë në podium kur të vijë dita për rinovimin e radhës.

Teksa rinovimi i tij me Milan-in është vetëm çështje ditësh, Gigio ka kaluar nga 160.000 euro që fitonte nga kontrata e mëparshme te 6 milionë euro që do të fitojë në 5 vitet e ardhshme. Vetëm Neuern dhe De Gea, mes portierëve, paguhen më shumë, të gjithë të tjerët radhiten mbas talentit kuqezi. Si Buffon, më i forti në qarkullim, i aftë të mbajë vendin si titullar në kombëtare në moshën 40 vjeç dhe të jetë akoma protagonist në skenën ndërkombëtare. Në këtë renditje të veçantë të portierëve më të paguar, numri një i Juventus është në vendin e pestë. Kontrata e tij me Juventus-in i siguron 4 milionë euro në sezon. 100 mijë euro më pak se kolegu i tij te Chelsea, Courtois. Janë pikërisht këta të dy që mbyllin renditjen, pjesë e së cilës do të bëhet edhe Donnarumma pas rinovimit me Milan-in.

Gjiganti kuqezi, siç thamë, do të përfitojë 6 milionë euro në sezon për pesë vitet e ardhshme. Një shumë e jashtëzakonshme nëse kujtojmë se para pak muajve, portieri 18-vjeçar, fitonte “vetëm” 160 mijë euro. Një shifër e tillë zakonisht ruhet për ata që kanë treguar në fushë se sa vlejnë në të vërtetë, por për momentin ka fituar ai, Mino Raiola, i cili ka arritur t’i “vjedhë” klubit milanez një kontratë milionere. Para Gigio-s janë vetëm dy portierë: David De Gea, që fiton 6,8 milionë euro tek United, dhe Manuel Neuer, që fiton 9 milionë euro te Bayern.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *