Letër e nënshkruar
Bujar Cani
Kam udhëtuar shpesh jashtë vendit, por më pëlqen më tepër Gjermania. Një shtet i mrekullueshëm, i bukur, i saktë, i rregullt deri në detaje të imta, çdo gjë në vendin e vet, çdo gjë e ligjëruar, edhe atje ku zogjtë ngrenë foletë. Një shtet social ku të gjithë përfitojnë nga ligji, por edhe dënohen kur e shkelin. Një shtet ku janë të harmonizuar të gjitha interesat, por edhe që kontribuon me potencialet e veta në mbarë globin. Dhe me të vërtetë këtu njeriu e ndjen veten plotësisht si qenie njerëzore, të barabartë para ligjit, njësoj si tek presidenti, kancelari e deri tek qytetari më i thjeshtë. Sa ëndërroj edhe unë si qytetar europian, si qytetar shqiptar, si shtetas që i përkas kombit tim, të bëhemi edhe ne një ditë të jetojmë si qytetari gjerman. Por më duket një ditë e largët, sepse ne vetë si popull, me bëmat e me heshtjen tonë, ndoshta e meritojmë këtë lloj gjendje. Por kam shpresë vetëm atëherë kur të zgjohemi, të ndërgjegjësohemi dhe kur pushtetarët ta kuptojnë se populli është sovrani dhe nuk janë ata.
