Në Galerinë Kombëtare të Arteve gjatë mbrëmjes së “Natës së Bardhë” pasi u shfaq edhe projeksioni më i fundit i filmit me metrazh të shkurtër “Breath” nga aktori i njohur Artur Gorishti, u çel gjithashtu ekspozita personale me prezantimin e 70 veprave, të realizuara po nga ai.
Aktori, i cili nuk është i njohur në Tiranë si piktor, shfaqet me një koleksion prej 72 punësh nga krijimtaria e tij 25-vjeçare. Punët janë piktura e grafika, në gjininë e peizazhit, portretit apo brendi, kompozime dhe miks-media. Këto vepra flasin mbi të gjitha për botën e tij të brendshme në periudha të caktuara, ndjesi të cilat artisti ka arritur t’i kthejë në art pamor. Drejtori i GKA-së, Artan Shabani, e konsideron kënaqësi zbulimin e këtij artisti si piktor, përpara një publiku që e njeh më së shumti si aktor e kineast.
Ju e njihni si aktor, si kineast, poet, edhe fotograf, por siç do ta shihni përmes kësaj ekspozite, Artur Gorishti mund të quhet me plot gojën piktor. Ajo që e karakterizon Arturin, është se ai vjen si një artist i fshehur, i rezervuar, i cili deri vitet e fundit e ka ruajtur me fanatizëm produktin e tij artistik, një produkt shumë i madh në numër. Në krijimtarinë e tij, si piktor ne takojmë qindra vepra, në teknika të ndryshme”. Krahas ekspozitës në GKA u prezantua edhe filmi me metrazh të shkurtër “Breath”, i cili është vlerësuar me çmim nga TIFF (Tirana Internacional Festival). “Ky projeksion fton gjatë ditëve në vazhdim edhe publikun, që të njohë në dimensionet e vërteta artistin Artur Gorishti”, u shpreh Shabani.
Kuratori i ekspozitës, Ylli Drishti, mendon se këto piktura shfaqin një krijimtari të pazbuluar më parë të Gorishtit, por që e prezantojnë atë si një artist të mirëfilltë të artit pamor. “Janë rreth 900 vepra, të cilat Artur Gorishti i ruante me fanatizëm në shtëpinë e tij dhe që i ka ndarë vetëm me miqtë e ngushtë. Edhe pse nuk ka një formim akademik në pikturë, aftësia për të hedhur në letër, apo telajo atë çfarë përjeton në një moment të caktuar të jetës së tij, është kaq e fortë, kaq e dukshme dhe shumë ekspresive sa nuk mund të anashkalohet. Në këtë ekspozitë është edhe një cikël punimesh, të cilat autori i ka realizuar mbi intervista të ndryshme që ka dhënë ndër vite.
Mbi këto intervista ai ka pikturuar me penele në krahun e majtë një imazh të tij, i cili përcjell një gjendje të caktuar”, theksoi kuratori.
Krijimet e Gorishtit, janë brendia individuale e tij, e cila shpaloset si fletë libri, si një fjali, apo fjalë e shkruar nga një dorë që vërshon krejtësisht e lirë. Duket sikur pa qenë e planifikuar, shqetësimet, humbjet, “errësira” që ka përjetuar ai si njeri, janë përkthyer në këto punë ku ndihet e vërteta, drita dhe optimizmi.“Ajo që e bën konkrete veprën time, nuk është të menduarit se jam artist, por të qenit i përulur përpara fjalës së madhe ART, i përulur me dyshime dhe i brishtë si fëmija”, thotë Gorishti.
Tensioni i brendshëm që shoqëron atë, enigma, mosdeklarimi i tij si artist, e karakterizojnë Gorishtin edhe në aktrim e regji.
Artisti, Artur Gorishti, e cilësoi hapjen e kësaj ekspozite, si një pikë të rëndësishme të karrierës së tij, si një nga ato momente që shënojnë kthesë në karrierën artistike. “Ky është një moment, i cili vendos një kthesë të caktuar në atë që unë e quaj karrierë të artistit. Mendoj se te një artist karriera duhet të vijë vetë, pa pasur si qëllim të mendosh për të. Besoj se për shkak të kësaj krijimtarie jam sot këtu”. Teksa falënderon GKA-në dhe Ministrinë e Kulturës për mundësinë që i kanë krijuar shprehet se: “Këto punë janë çaste të brishtësisë, dobësisë apo errësirës, që njeriu ka në momente të caktuara në jetën e tij dhe të cilat unë jam përpjekur t’i transmetoj apo përkthej në diçka tjetër, më të gëzueshme.
Është e vërtetë që nuk kam dashur të ekspozoj publikisht atë që krijoja, thjesht sepse mendoj se për çdo gjë, duhet të ketë një moment të caktuar. Ndoshta ky ishte momenti t’i ekspozoja. Ka vërtet shumë punë, jo vetëm piktura, por foto, montazhe, por u takon specialistëve, kuratorëve, që nëse gjejnë diçka interesante, apo ndonjë ekspozitë tjetër brenda tyre, ta realizojnë. Ka plot cikle në to. Shpresoj dhe jam i lumtur që sot në Galeri, nuk vij si një aktor që i bëhet një favor për të ekspozuar, por nga interesi i njerëzve, specialistëve kuptoj se ata besojnë që unë jam piktor”, shpjegoi Artur Gorishti. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor. 
Jeta
Artur Gorishti lindi në vitin 1962, në Tiranë. Në vitin 1982 u diplomua për topografi, por një vit më vonë nisi studimet për aktrim në ish-Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Po në vitin 1983 nisi edhe karriera e tij artistike si aktor, ndërsa sot numëron rreth 40 role.
Në memorien e publikut janë të ngulitura rolet e tij në filmat “Dora e ngrohtë”, “Nxënësit e klasës sime”, “Eja”, “Vitet e pritjes”, “Parullat”, “Gjoleka, djali i Abazit”, “Bota” etj.
Pasioni për fotografinë nis në fillim të viteve 2000, duke e bërë Gorishtin protagonist në disa konkurse dhe ekspozita fotografike. Prej vitit 2005 jeton në Montreal, Kanada, ku ka aktruar në disa prodhime kinematografike dhe televizive.
Në vitin 2013 botoi librin me tregime “Dyert”, të cilat ka nisur t’i realizojë në pelikulë si skenarist dhe regjisor.



Sikur te mesonin edhe shqipen keta gazetaret…Nuk je modern duke huazuar fjale nga gjuha e huaj por duke gjetur fjalet e gjuhes shqipe qe i pershtaten…
Suksese Z. Artur Gorishtit.
^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^
Z. Artur Gorishti eshte realitet faktik i n je evolucioni qe fillon nga mjedisi pa liri, sikunder ka qene Shqiperia nder dekada, dhe vazhdon te lulezoje ne Kanada,ku liria krujuse artistike jo vetem s’pengohet,por stimulohet.Shto ketu qe ky shqiptar, eshte gjenetikisht me prirje te para caktuara per fushen e arteve,sigurisht ato prirje jane nje dhurate prinderore treashegimnije.Urojme shendet artistit shqiptar,ngaqe suksei ne artet, do ta ndjeke gjithe jeten e tij.12.1/2015-te SHBA.