Për nga vijueshmëria, shpejtësia dhe intensiteti i shpërthimeve terroriste, po i përqasemi ISIS-it në Irak dhe Siri. Por me të vetmin ndryshim pasi ne jemi shtet laik dhe regjisorët, aspiruesit dhe vepruesit, atentatorët janë shqiptarë dhe i kemi midis nesh e që u duhen prerë duart dhe këmbët. Filozofia, mendësia dhe praktika e tyre e mbrapshtë ka si të vetmin qëllim që të krijojë anomali, kaos, frikë, panik, pasiguri, konfuzion dhe destabilitet politik duke vështirësuar dhe mbi ngarkuar artificialisht punën dhe drejtimin qeverisës. Nuk kemi të bëjmë kurrsesi me raste sporadike, por me një vijueshmëri të pandalshme që dirigjohen nga një dorë e zezë, e fshehtë dhe në dukje misterioze por jo kaq e vështirë për ta nënkuptuar, zbuluar dhe saktësuar nëse SHIK-u dhe Prokuroria nuk ngrohen në diell. Tritol komisariateve, bizneseve, shtyllave të tensionit, makinave, bankierëve, juristëve, policëve, pasurisë.
Më e çuditshmja paradoksalja është fakti se shumica dërrmuese e subjekteve politike përfshi edhe partinë më të madhe opozitare as që u prononcuan, denoncuan dhe as që e dënuan aktin e fundit të shpërthimit terrorist. Pra, një indiferentizëm dhe sehirllëk shembullor që vetëm ata që nuk na duan e dëshirojnë.
E habitshme por më se e vërtetë pasi më parë dhe më shpejt reaguan SHBA-ja dhe BE-ja sesa rreth rrotull Presidenti ynë, por që me veprimet e tij del që nuk është aspak i yni. Po kaq të çudit dhe heshtja e parlamentit tonë i cili duhej të zhvillonte një seancë të posaçme, të thërriste në raporte urgjentisht shefin e SHIK-ut, Prokurorin e Përgjithshëm e t’u tundte këmbët krerëve të këtyre dy institucioneve. Mos vallë presim që Shqipëria të bëhet si Iraku dhe Siria?
Letër e nënshkruar,
Pali Nito
