Vetëdorëzohet personi i akuzuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Shtjefni, ngjarje e ndodhur një javë më parë në një lokal pranë kryqëzimit të Shënkollit në Lezhë. Maringlen Përgjini nuk e ka pranuar autorësinë e krimit dhe është shprehur se 26-vjeçari Shtjefni është vrarë nga Ergys (Ëngjëll) Nika. Përgjini, tashmë i dorëzuar në komisariatin e Kurbinit, ishte shpallur në kërkim pak pas vrasjes, ndërsa policia ka arrestuar Ëngjëll Nikën dhe Anton Tonin, për moskallëzim krimi. Përgjini ka dhënë versionin e tij, i publikuar sot në Gazetën Shqiptare:
Më 9 janar kam qenë në Lezhë me të dashurën time. Ndërkohë, më merr në telefon Anton Toni dhe më kërkon të takoheshim tek lokali në kryqëzimin e Shënkollit, ku kishte muzikë. Shkova atje dhe sapo zbrita nga makina, qëllova dy herë në ajër me pistoletë për qejf. Hyra në lokal, por të dashurën e lashë në makinë, pasi nuk do rrija shumë”, – tregon Përgjini. Ai shprehet se, në momentin që ka hyrë brenda, ka përshëndetur viktimën, i cili ishte i shoqëruar me një person. “U ula në tavolinën ku ishin dy vajza, të cilat rrinin gjithmonë me Antonin dhe Ergysin, pasi ata të dy nuk ishin për momentin. Pas pak erdhën të dy. Gjatë bisedës, Ergysi më tregoi se kishte një konflikt me personin që qëndronte me Martinin. Largohem për një moment dhe kur kthehem, Martini së bashku me personin tjetër ishin ulur tek tavolina jonë. I kisha thënë Martinit se doja të shisja makinën dhe ai më kërkoi numrin e telefonit. Dolëm nga lokali për të shkëmbyer numrat e telefonit, pasi brenda ishte zhurmë. Hymë sërish dhe sapo u ulëm në tavolinë, Ergys Nika nxjerr pistoletën dhe qëllon mbi Martin Shtjefnin. I thashë “çfarë bëre?” Ai menjëherë hedh pistoletën në tavolinë, duke më thënë edhe ai “çfarë bëre?”, thotë ai.
Më tej, Përgjini tregon se ka shkuar në banesën e tij në fshatin Manati, ku ka takuar të vëllanë, ndërsa armën që kishte vetë e ka hedhur rrugës. “Pistoletën time e kam hedhur në rrugë për të evituar kontrollet që mund të bënte policia. Unë mundem t’i tregoj policisë vendin ku është hedhur arma, që të ekzaminojë gëzhojat që janë gjetur në vendin e ngjarjes. Kam qëndruar në hotel, ku edhe e kam parë emrin tim në televizor”.