Kupa e Botës vlen më shumë se gjithçka, sidomos për një futbollist që nuk e ka përjetuar asnjëherë emocionin e marrjes së trofeut të artë në duar për ta ngritur më pas lavdishëm drejt qiellit.
Kushdo që e ka provuar një ndjesi të tillë nuk ka mundur ta krahasojë me diçka tjetër sepse duhet të jetë vërtet unike të ndodhesh në majën e botës pas një rrugëtimi të gjatë e të lodhshëm, duke eliminuar një nga një më të fortët e botës. Lionel Messi ndodhet më pranë se kurrë te trofeu, i gatshëm të heqë dorë nga çdo rekord personal, qoftë edhe nga 4 Topat e Artë, në këmbim të triumfit të Argjentinës kundër Gjermanisë.
“Do t’i dorëzoja të gjithë trofetë personalë për t’u shpallur kampion bote. Preferoj më shumë Kupën e Botës sesa Topin e Artë. Si lojtar, të fitosh Kupën e Botës është arritja më e madhe. Eshtë diçka për të cilën ke ëndërruar që i vogël dhe kjo ëndërr nuk shuhet kurrë.
Xavi, Iniesta dhe Pique nuk kanë mundur të ma shpjegojnë ndjesinë që patën kur Spanja e tyre fitoi. Tani do të bëjmë gjithçka që mundemi, për ta kthyer në realitet ëndrrën për La Seleccion”.
Në dëshpërimin e Messit për t’i dhënë Argjentinës trofeun e tretë Botëror u bashkua edhe Mascherano. Mesfushori deklaroi se Albiceleste ndodhet tani aty ku dëshironte dhe lojtarët kanë detyrën që me shpirt, zemër e mendje, të japin maksimumin kundër gjermanëve në Maracana.
