Dorian Duçka është një prej anëtarëve të KDK-së në Lëvizjen Socialiste për Integrim, aktualisht i angazhuar në fushatën elektorale në Tiranë. Ai për thuajse 4 vite ka mbajtur një post kyç në Ministrinë e Ekonomisë, si koordinator i projektit të gazësjellësit “TAP” por përtej funksioneve, Duçka përfaqëson një nga personat kryesorë në LSI, sa i takon PR-it dhe lidhjeve ndërkombëtare falë një rrjeti të gjerë miqsh dhe bashkëpunëtorësh në rangje të larta politike në vendet perëndimore. Në një intervistë për DITA-n, Duçka analizon gjasat e LSI-së për sigurimin e mandateve në kryeqytet, ndërsa në lidhje me koalicionin me socialistët ai shprehet se e rëndësishme është të respektohen marrëveshjet, duke shtuar se në ndryshim me qeverisjen e Berishës, në rast të ardhjes të së majtës në pushtet, nuk do të kemi më një “shfaqje të një njeriu të vetëm”.
Zoti Duçka ju jeni i angazhuar në fushatën elektorale të LSI-së në zonën e Tiranës. Në zgjedhjet e vitit 2009 LSI mori me shumë mund vetëm një mandat, si e shikoni premisën e zgjedhjeve të së dielës?
Më së pari, më lejoni të theksoj se beteja për kryeqytetin, në një periudhë lufte, është ajo që vendos se cila palë apo “ushtri” kontrollon lojën. Fatmirësisht ndryshe nga herë të tjera fushata elektorale ka qenë më pak e ngarkuar me tensione dhe shpresoj të mbetet e tillë deri në fund. Sepse mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve është parakusht për ecurinë evropiane të Shqipërisë. Tre ligjet e miratuara së fundmi, të cilat ishin lënë si detyra shtëpie nga Bashkimi Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat nuk do të kenë vlerë dhe nuk do të japin efekt pa zgjedhje të qeta dhe të ndershme. Por le të fokusohemi në pyetjen tuaj. Ashtu siç LSI-ja lozi rolin kryesor në miratimin e tre ligjeve në parlament, ashtu kjo forcë do të ketë rol kryesor në zgjedhjet parlamentare për kryeqytetin. Diferencën ndërmjet dy partive të mëdha në Qarkun e Tiranës do ta bëjnë katër mandatet e LSI-së për këtë qark.
Mbi ç’bazë dhe mbi cilën aritmetikë keni arritur në shifrën e 4 mandateve ju zoti Duçka?
LSI duke qenë pjesë e koalicionit të majtë i nevojiten përafërsisht 37 mijëderi ne 38 mije vota ne kete qark per te arritur deri 4 mandate. Sikurse dhe ju e dini prania në koalicion rrit progresivisht avantazhet dhe kuotimin e drejtë të votave pasi zhduk pragjet që djeg Kodi për partitë që futen të vetme në zgjedhje. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2011, kjo forcë politike ka arritur të sigurojë përafërsisht 31 mijë vota në këtë qark. Me fushatën model , programin politik, por sidomos valencën e veçantë që ka marrë LSI si forcë ekuilibruese, prirja është për një rritje të këtyre votave edhe në qarkun e Tiranës. Në fakt prirja hipotetike është përligjur dhe nga situata në terren. Ne konstatojmë se në terren kemi një rritje të konsiderueshme jo vetëm në qytet por tashmë edhe në komuna dhe zona periferike, të cilat duhet thënë se përbëjnë risi për LSI-në, pasi më parë nuk është se jemi avantazhuar dukshëm nga këto zona. Zhvillimi rural dhe punësimi në bujqësi favorizojnë rritjen e elektoratit në komunat e Tiranës. LSI ka për të qenë befasia elektorale në gjithë Shqipërinë por sidomos në qarkun e Tiranës gjë që do të garantoje nje fitore te thelle te koalicionit te majtë por dhe të konsolidimit të LSI-së në jetën parlamentare dhe qeverisëse.
Zoti Duçka, nëse e marrim të mirëqenë pohimin dhe sigurinë tuaj për votat në Tiranë. Nëse LSI ka realisht këtë shtrattë fortë mbështetësish në rritje, përse lindi nevoja qe nje figure te spikatur te partisë tuaj, si z. Spartak Braho ta katapultonit
në listat e PS-së në Tiranë?
Përfshirja e zotit Braho në listat e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës nuk është një taktikë elektorale, por një mesazh, një mesazh domethënës i një marrëdhënie të re, solidariteti, reciprociteti dhe loje të përbashkët mes LSI-së dhe PS-së. Për shkak të mungesës së korrektorit nacional të votës dhe ku partia më e madhe në disa raste automatikisht fiton deputete fale votave te aleancës me LSI-në, përfshirja e zotit Braho në këtë listë nënkupton rëndësinë e vlerës se shtuar te votave qe LSI jep per fitoren e së majtës.
Partia Socialiste ne filozofine e saj politike të 4 viteve të fundit (përjashtuar nga 1 prilli e deri më sot) ka pasur një
retorikë shumë të fortë dhe agresive kundër LSI-së. Kjo në njëfarë mënyre e ka ushqyer me këtë frymë elektoratin e saj, por në moment të fundit akuzatorët e mëdhenj u shndërruan në miq të mëdhenj. Mendoni se ky kontrast i minutës së fundit do të ketë efekte në vota?
Një nga inspiruesit e mi politikë, Abraham Linkoln, thotë: “Mënyra më e mirë për të shkatërruar një oponent është ta bësh mik atë”.
E keni fjalën për miqësinë 4 vjeçare në koalicion me Berishën, apo miqësinë e re që keni lidhur me zotin Rama? Apo për të dyja?
LSI miqësohet dhe mbështet çdo iniciativë, forcë politike apo politikan, që ndihmon në stabilitetin demokratik dhe ecurinë ekonomike të Shqipërisë. LSI dhe vetë zoti Meta janë parë si faktor stabilizues. Kjo valencë e veçantë atij i njihet edhe në rrafshin ndërkombëtar për rolin e tij në stabilitetin politik në Shqipëri por edhe nismat e caktuara të Metës apo dhe angazhimet e tij delikate në disa raste në shërbim të stabilitetit në rajon, duke krijuar staturën e një burri shteti, staturën e një politikani që nuk di të tejkalojë pasionet dhe ndasitë e momentit dhe që di të jetë garantues për të vetët dhe për më gjerë në afatgjatë.
E parashikoni njësoj luajal në ambicie dhe objektiva zotin Meta në raport me PS-në, sikurse u tregua dhe me demokratët, apo valenca e tij ndryshon kur bëhet fjalë për të luajtur majtas?
Sikurse dhe vetë zoti Rama e ka thënë dhe e thotë, zoti Meta ju qëndron gjithnjë marrëveshjeve. Marrëveshja mes LSI-së dhe PS-së, është një marrëveshje në parim për të siguruar alternativën evropiane të shqiptarëve dhe për ti dhënë një ritëm më të shpejtë zhvillimit dhe progresit të vendit. E rëndësishme në këtë marrëveshje nuk janë emrat e veçantë të qeverisjes por një bashkëqeverisje e mirë për të garantuar një te ardhme pozitive realiste ndryshe nga filozofia aktuale qeverisese e zotiti Berisha, i cili jeton jashtë realitetit shqiptar dhe kur them realitet e kam fjalën për Shqipërinë që ende e sheh me dylbi Gjermaninë dhe që nuk ndihet aspak pranë saj. Unë e kuptoj ku rreh pyetja juaj, por jemi vetëm një javë përpara zgjedhjeve dhe prioriteti i madh aktual eshte fitorja e kampit opozitar. Per gjithe ceshtjet e çështjet e tjera, unë uroj që të gjithë të dinë të respektojnë marrëveshjet që me vullnet të lirë i kanë lidhur, duke qenë i bindur se në çdo rast, secili do vjelë vetitë e tij në jetë. Realitetin e ri politik do e vendosë vota e shqiptarëve dhe do të jetë një realitet ndryshe nga ky i Berishës i tipit “One man show”.

“LSI dhe Meta jane pare si faktor stabilizues” (?!) Morre djalosh, po ne zgjedhjet e 2009 kur Meta “Kaloi YLBERIN” dhe i dha “Oksigjen” Berishes Faktor stabilizuess ishte ??? Kameleona!