Dosja e hashashit të Treblovës, Krimet e Rënda pranojnë gjykimin e shkurtuar

Ornela

Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e të akuzuarve si pjesëmarrës në një grup kriminal të strukturuar, që dyshohet për kultivimin dhe trafikimin e disa tonëve hashash në Vlorë.

Bëhet fjalë për të famshmen dosje e Treblovës, ku në një aksion të policisë dhe prokurorisë u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.

Të akuzuarit janë shtetasit Taulant Haxhiraj, që prokuroria thotë se ishte edhe kreu i grupit, Shkëlqim Koçiu, Marjus Bajrami e Gjovalin Boçi.

Gjykata pranoi kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ndërkohë që shpalli pezullimin e procesit gjyqësor ndaj një tjetër personi, të dyshuar anëtar i grupit dhe i shpallur në kërkim

Prokukorët thonë se kreu i këtij grupi është Taulant Haxhiraj, ndërkohë që njëri nga bashkëpunëtorët e tij ishte edhe i kërkuari Renato Avduli, një oficer policie që shfaqet aktiv jo vetëm në përgjime, por që kishte edhe një parcelë droge e cila kontrollohej nga grupi.

Prokuroria është e bindur se ka të bëjë me një strukturë të mirëfilltë kriminale si nga mënyra e gjetjes së tokave kullotë në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë, lidhjen me punonjës policie të Vlorës, por edhe marrjen e garancisë për ta mbjellë drogën si dhe vënien në dijeni për çdo operacion.

Oficeri Avduli shfaqet në përgjime me kreun e grupit të trafikantëve, kur ky i fundit nga frika se mund të ishte policia, e pyet për të shtënat, të cilat konfirmohen prej oficerit se janë të trafikantëve në parcelat afër. Të shtënat e armëve përshkruhen si zhurmë lufte.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *