Tesilvan Basho u dënua me burgim të përjetshëm në nëntor të 2016 nga gjykata e Torinos për vrasjen e dy prostitutave.
Prej asaj kohe Basho fshihej në Shqipëri nën emrin Thanas Lame, madje me këtë emër kishte arritur të nxirrte një kartë identiteti të rregullt dhe madje të martohej e të niste një jetë familjari me identitet të ri.
I kërkuari nga drejtësia Italiane jetonte i pashqetësuar nga policia në Selenicë të Vlorës deri në momentin që bëri gafën që çoi në zbulimin e tij: u konfliktua me dajon, të cilit i ka kërkuar me anë të presionit shumën prej 100 mijë euro.
Policia ka shkuar në banesën e Bashos pas denoncimit dhe ka zbuluar se njeriu i kërkuar në Itali, kishte ngritur një perimetër të vërtetë sigurie.
Basho kishte investuar në mjete teknologjike duke depërtuar në valët e radiove të policisë së Vlorës. Në ambientet e korridorit të katit të parë të banesës, mbi një komodinë, janë gjetur 4 radio Marrëse-Dhënëse, të markës “Tra-talk”.
Ndërsa në sirtarin e parë të kësaj komodine është gjetur një radio marrëse-dhënëse e markës “TWO-WAY”,e cila pasi është provuar ka rezultuar se ka pasur akses në valët e përdorura, nga ana e Shërbimeve të Policisë së Drejtorisë Vendore Vlorë.
Veç kësaj u gjendën armë automatike dhe prova që e implikonin në trafik narkotikësh.
Momentalisht ndaj Bashos janë ngritur 5 akuza ajo e “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë”, “Mbajtjes pa lejë e armëve”, ”Falsifikimit të dokumenteve”, “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Kultivim të lëndëve narkotike”.
Atij i duhet të përfundojë dënimin në Shqipëri për këto vepra, më pas do ekstradohet në Itali për të vuajtur dënimin e përjetshëm.
e.k. / dita

Gjynah i shkreti. Edhe pak dhe do ishte bere kryetar bashkie ne Selenice.
Hahahaaaa
Super koment Hosteni