Dosja “Fullani” nxjerr zbuluar milionat e harxhuara për hotel Dajtin

Dita

Ditën kur qeveria shqiptare vendosi të këmbente hotel Dajtin-godinë monumentale në zemër të Tiranës- me 30 milionë euro, askush në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nuk ishte në dijeni për blerjen e madhe. Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 12 maj 2010 ishte bërë fakt, kur mbërriti një muaj e gjysmë më vonë mbi tavolinën e nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, organi më i lartë vendimarrës në Bankën e Shqipërisë.

Më 26 qershor 2010, blerja u miratua edhe nga Këshilli Mbikqyrës, ndërsa guvernatori i kohës, Ardian Fullani doli para mediave dhe tha: “angazhohemi për gjallërimin dhe rikthimin e shkëlqimit të humbur të një prej godinave më të vlerësuara të Tiranës”.

Pesë vjet më vonë, ish-hotel Dajti mbetet gërmadhë, ndërsa ish-guvernatori Fullani po përballet me një proces gjyqësor, i akuzuar për shpërdorim detyre edhe me procedurat e blerjes së godinës, që në vitet ’40 njihej si “hoteli më luksoz i Ballkanit”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, një kopje e së cilës disponohet nga BIRN, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë vendim për blerjen e hotel Dajtit, një muaj pasi qeveria ia kishte shitur këtë pronë Bankës së Shqipërisë.

“Personi nën hetim Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ardian Fullani u arrestua më 5 shtator 2014, për shkak se drejtimi i tij 9-vjeçar në krye të Bankës së Shqipërisë u kompromentua nga vjedhja e 713 milionë lekëve prej një punonjësi të institucionit. Paralelisht me skandalin e vjedhjes, Prokuroria e zgjeroi hetimin edhe me prokurimet e diskutueshme, që Banka Qendrore kishte realizuar ndër vite.

Në fund, ish-guvernatori u dërgua në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy episode; me procedurat e sigurisë që sollën si pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve dhe me transaksionin e blerjes së hotel “Dajtit”, pranverën e vitit 2010.

Gjyqi kundër Fullanit; ndër më të shkurtrit në historinë e drejtësisë shqiptare ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë. Megjithatë, hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës kanë rikthyer në vëmendje projektet disa-milionëshe të Bankës së Shqipërisë për transformimin e ish-hotel Dajtit në zyra për punonjësit e saj.

Sipas hetimit të Prokurorisë, Banka e Shqipërisë ndërmorri prokurime të drejtpërdrejta dhe shmangu procedurat e tenderëve në projektet e saj për transformimin e ish-hotel Dajtit.

Ky operacion i kushtoi Bankës së Shqipërisë rreth 1.5 milionë euro dhe u la në mes, duke thelluar degradimin e monumentit të kulturës në qendër të Tiranës.

Projekti “Petreschi”

Një vit pasi bleu ish-hotel Dajtin përmes një transaksioni që u denoncua si “operacion spekulativ për të mbushur arkën bosh të shtetit” nga Partia Socialiste asokohe në opozitë, Banka e Shqipërisë nisi të vërë në jetë projektin për kthimin e godinës në zyra për punonjësit e vet.

Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i administruar në dosjen e Prokurorisë kundër ish-guvernatorit Fullani thekson se projektet ishin të mangëta, ndërsa paratë janë shpërdoruar përmes procedurave të dubluara.

Banka e Shqipërisë ia besoi hartimin e projektit dhe preventivit për shndërrimin e ish-hotelit në zyra arkitektit Italian, Marco Petreschi, me të cilin po punonte ndërkohë për projektin e fasadës në godinën qëndrore të saj.

Më 23 nëntor 2011, përmes një prokurimi të drejtpërdrejtë, Banka Qendrore lidhi kontratën me Petreschin. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Banka e Shqipërisë shmangu tenderin e hapur, në këtë projekt që do të kushtonte 700 mijë euro.

Prokurimet e drejtpërdrejta kanë qenë një procedurë rutinë, e ndjekur rëndom nga Banka e Shqipërisë përgjatë drejtimit të Fullanit. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014, tenderat e hapur zinin vetëm 18 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurimeve.

Para se të lidhte kontratë me arkitektin italian, Banka e Shqipërisë kishte realizuar 17 prokurime “blerjesh të vogla” me vlerë 3 897 650 lekë, të fituara nga kompania “Altea Geostudio 200” në periudhën 3 shkurt-3 gusht 2011. Studioja kishte marrë përsipër të bënte studime gjeoteknike dhe analiza laboratorike mbi gjendjen e godinës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se këto studime ishin të mangëta dhe me kosto shtesë për projektet e mëpasme, që u aplikuan nga Banka e Shqipërisë.

“Studimi është bërë mbi bazën e çdo urdhri prokurorimi, pa pasur specifikimet e nevojshme teknike. Kryerja në këtë mënyrë nuk siguron një studim të plotë dhe cilësor,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në prill 2011, Altea Geostudio 2000 dorëzoi studimin e saj dhe paralajmëroi se “betoni është i degraduar në shumë pjesë të tij, si rezultat i ujërave nëntokësore”. Para ndërhyrjeve në godinë, ekspertët rekomanduan heqjen e ujërave nëntokësore dhe pastrimin e kateve nëntokë nga mbeturinat e dekompozuara.

Studimet gjeoteknike me vlerë rreth 3.8 milionë lekë nuk ishin të mjaftueshme për t’i dhënë Bankës së Shqipërisë lejen e ndërtimit dhe të zhvillimit për ish-hotel Dajtin. Në dosjen hetimore ndodhet përgjigja e Bashkisë së Tiranës, e cila pasi konstaton mungesën e raportit sizmiologo-inxhinierik, kthen mbrapsht dosjen e aplikimit të Bankës së Shqipërisë dhe kërkon plotësimin e saj.

Për këtë arsye dhe për shkak të ndryshimit të projektit të fasadës, kontrata 700 mijë euro e lidhur me arkitektin Italian, Marco Petreschi u amendua dhe një tender i dytë për shërbime shtesë projektimi u zhvillua nga Banka e Shqipërisë. Vlera e tij ishte 184 800 euro.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se procedura e dytë tenderuese mund të ishte evituar, duke i kursyer buxhetit të Bankës shumën prej 184 800 eurosh.

Gjithsesi, projekti për transformimin e godinës shkoi sërish ters. Më 21 janar 2013, kohë kur kompania që kishte fituar tenderin për prishjet në ish-hotel Dajti po kryente punimet, janë evidentuar dëmtime serioze në strukturën e godinës.

Për këtë arsye, arkitekt Petreschi ka kërkuar studime shtesë dhe Banka e Shqipërisë ka ripunësuar studion “Altea Geostudio 2000”, përmes tetë prokurimeve të reja. Sipas Prokurorisë, vlera e kontratës së re ishte 2 200 000 lekë.

Për audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, raporti i së cilëve ndodhet në dosjen e Prokurorisë kundër Fullanit, studimi i dytë i dorëzuar ishte thuajse identik me të parin.

“Kontrata për shërbimet shtesë të projektimit në vlerën 280 mijë euro për pjesën e rishikimit të projektit teknik me vlerë 184 800 euro janë ta pabazuara teknikisht. Edhe kontrata 2.2 milionë lekëshe me Altea Geostudio është e pajustifikuar teknikisht,” thuhet në dosje.

Audituesit vlerësojnë se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Bankës shkon mbi 28 milionë lekë.

Faji i “forcës madhore”

Paralelisht me procedurat e projektimeve, Banka e Shqipërisë nxorri dy urdhra prokurimi në korrik dhe shtator të vitit 2012 për pëzgjedhjen e kompanisë që do të kryente prishjet në godinë. Tenderi me vlerë rreth 24 milionë lekë është anuluar dy herë, deri në lidhjen e kontratës me kompaninë ABG.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se herën e parë munguan dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, ndërsa herën e dytë për shkak të kualifikimit të vetëm 1 kompanie, nga katër konkurrente.

Gjithsesi, kontrata me kompaninë ABG u zbatua në masën 60 për qind. Një arsye objektive për këtë ndërprerje është konsideruar mungesa e një plani urbanistik për Tiranën në atë kohë, e rrjedhimisht edhe për territorin ku shtrihet ish-hotel Dajti.

Shkak i ndërprerjes së punimeve u bënë edhe strukturat e dobëta të godinës, të cilat duheshin forcuar para se të bëheshin prishjet.

“Palët nënshkruan një dokument, ku kanë rënë dakord për mbylljen e kontratës. Diferenca e punëve të pakryera është 9.7 milionë lekë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Para se ky vendim të merrej, më 25 shkurt 2013 ish-guvernatori Ardian Fullani ngriti një grup pune për të analizuar vlerësimet teknike dhe problemet e shpeshta që lidhen me qëndrueshmërinë e godinës.

Ekspertët e këtij grupi arritën në përfundimin se “problemet nuk qe e mundur të vlerësoheshin më parë”. Ato u përkufizuan si “forcë madhore”; një ngjarje që nuk mund të parashikohej ose është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palëve.

Për audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk ka pasur “forcë madhore”, por mosndërhyrje në kohë në detyrat e projektimit, që arkitekti Italian, Marco Petreschi mori përsipër në kontratën e projektimit me vlerë 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, anomalitë me projektet për ish-hotel Dajtin kanë ardhur pasi Banka e Shqipërisë nuk ndërmorri asnjë vlerësim real të kësaj pasurie, para se ta blinte atë. Hetimi akuzon ish-guvernatorin se shpërdoroi detyrën kur bleu me vlerën e një hoteli, një ambient që do ta përdorte për zyra pune.

 

Share This Article
15 Comments
  • Edhe FULLANI edhe Saliu duhet te futen brenda ne biruce,por kush do ti fuse,kjo eshte çeshtja.Oh sa duhet te denohen ne keto 25 vjet…!

    • Dajti te kthehet hotel dhe te ardhurat ti kalojne buxhetit te shtetit. Te prishet tenderi i shitjes se bere nga ai krimineli mafioz hajdut Fullani.

  • Ja ku doli me ne fund se ketij tipin donin me i saju dicka. Njehere u tha se vodhi ky tipi tani thuhet qe nuk ka vjedhur po ka blere hotel dajtin e ka bere tendera gabim. Ky per vete e morri hotelin se nuk po e marrim vesh kete pune? Po me keto akuza duhet fut trecereku i shqiptareve ne Burg. U mbars mali dhe polli nje mi doli kjo pune.

  • Futjani shpejt prangat dhe ju lutem zoteri Prokurore kapeni shpejt kete tipin dhe mos e leni te talle menderen me mundin e POPULLIT.

  • FULLANI eshte pergjegjesi kryesor per kete katraure.A DO TE DENOHET PER KETO SHPERDORIME LOLOSALE?Ta sjellish Hotel ” Dajtin ” ne ate gjendje qe eshte sot,as me pak e as me shume eshte nje KRIM dhe fullani duhet te pergjigjet dhe jo te falet.

  • Ne cdo vend te botes,qe nga keta komshinjte tane Mal i Zi e Maqedoni e deri ne Amerike shuma e vjedhur apo e shperdoruar i faturohet nje me nje atij qe e ka shkaktuar kete dem.Fajtorit i sekuestrohet nga shteti cdo pasuri e paluajtshme e llogari bankare deri ne vleren e demit qe ka bere.Keto ligje jane edhe ne Shqiperi por mafia e prokurorise ne bashkepunim me supermafien politike bejne sikur e harrojne kete detyrim qe ju ve ligji.Gjithe keto skandale dhe vjedhje gjigande i mbyllin me maksimumi nje apo dy vjet burg dhe nuk i prekin fare pasurite marramendese te vena nga korrupsioni.
    Qenka kollaj keshtu,vidh sa te mundesh,bej nje vit burg e pastaj jeto me shtate breza si sheik me pasurite dhe parate e rrjepura njerezve.Djalit te Fullanit sipas asaj qe mburrej vete,vetem oret i benin nje milion euro.

  • Te futet ne burg ky hajdut i klasit te larte , t’i zbutet mire kurrizi e pastaj do flase duke vjelle 500 euroshe , kriminel i felliqur, i lidhur fort me Vicidolasit e klanet e tyre. BBBUUUUURRRRGGGGG

  • MIRE FULLAN KUSARI GUVERNATORI PO SALI HAJDUTI QE ISHTE KRYEMIN ISTER PSE NUK DEL NE DOSJEN E PROKURORISE DHE TE KONTROLLIT TE LARTE TE SHTETIT? HE PRA PSE KESHTU?

    • Sepse Saliu eshte i paprekshem!!!… Akoma s’e keni marre vesh kete?…E pakta, uroj qe kete ta kem kuptuar vetem une gabim.

      • @#@#@#@#@# Nuk kam asnje iluzion se politika e fullanerise e aplikuar keto 25-vjet vetem e ka vjedhur kete shtet dhe nuk ka krijuar asnje pasuri tjeter pos asaj qe krijuan shqiptaret per 50-vjet. Ne kemi pasur vetem pushtetare dhe administratore hajdute 25-vjet me radhe. Nje tmerr dhe fatkeqesi e madhe per nje popull. Diktatura e vjedhjes dhe e tjetersimit te pasurise se shqiptareve eshte shume me e keqe dhe me mizore se cdo lloj Diktature tjeter ? Tung !

  • Ne kete vend te mjer,fukara deri ne palce,te gjitha vjedhijet dhe shperdorimet i paguajne taksapaguasit fukarenj,se te pasurit i plotesojne ne rruge te tjera,duke bere dy bilance per te mos paguar taksa,duke i nxjerr kompanit me humbje.Ku ka budalla ne bote,qe nje biznes privat del me humbje dhe i vazhdon te thelloj humbjet dhe nuk shpall falimendimin.Prandaj eshte e domosdoshme,qe drejtesia duhe te denoje te gjith fajtoret jo vetem me burg,po duke urdheruar sekoestro te cdo psurie der ne centezin e fundit.

  • @#@#@#@#@# Nuk kam asnje iluzion se politika e fullanerise e aplikuar keto 25-vjet vetem e ka vjedhur kete shtet dhe nuk ka krijuar asnje pasuri tjeter pos asaj qe krijuan shqiptaret per 50-vjet. Ne kemi pasur vetem pushtetare dhe administratore hajdute 25-vjet me radhe. Nje tmerr dhe fatkeqesi e madhe per nje popull. Diktatura e vjedhjes dhe e tjetersimit te pasurise se shqiptareve eshte shume me e keqe dhe me mizore se cdo lloj Diktature tjeter ? Tung !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *