Dosja që kërkohet për transferimin e studimeve tek artet

redaktor

Nëse nuk kanë siguruar rreth 50 për qind të kreditove të lëndës, nuk mund të transferojnë studimet në degët e Universitetit të Arteve të Tiranës. Urdhri më i fundit i nxjerrë nga Rektorati i këtij universiteti detajon procedurën dhe afatet që do të ndiqen për transferimin e studimeve në këtë institucion të arsimit të lartë publik, për vitin akademik 2014-2015.

Të drejtën për transferuar studimet në këtë institucion e gëzojnë të gjithë kandidatët që ndjekin studimet në programe të ngjashme që ofrojnë akademitë, universitetet, konservatorët dhe shkolla të tjera të artit, brenda dhe jashtë vendit.

Për të aplikuar secili kandidat duhet të ketë fituar minimalisht 48 kredite për secilin program studimi ku duan të transferojnë studimet, në të kundërt nuk kanë të drejtë që të transferojnë studimet. Dorëzimi i dosjes me dokumentet e kërkuara duhet bërë individualisht pranë degës mësimore të këtij institucioni brenda datës 30 shtator.

Aplikuesi duhet të paraqesë një kërkesë pranë degës mësimore, së bashku me dokumentacionin përkatës : “Formulari i aplikimit për transferim studimesh, kërkesë me shkrim ku të specifikohet programi i studimit që kërkon të ndjekë, kartën e studentit ose çdo dokument tjetër në të cilin vërtetohet statusi i studentit në fakultetin që ka ndjekur para momentit të transferimit të studimeve, kontratën e lidhur dhe atë të çregjistrimit nga universiteti që vjen, vërtetim në lidhje me programin e studimit dhe kursin ku ka qenë i regjistruar, vërtetimin e vitit akademik në të cilin bën shkëputjen, listën e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara, programet e lëndëve të zhvilluara sipas planeve mësimore të firmosura nga institucioni që ka ndjekur, kopje të noterizuara të diplomës së shkollës së mesme, dokument identifikimi, dëshmi e njohjes së gjuhës shqipe për kandidatët që kanë ndjekur studimet jashtë vendit”.

Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë i përkthyer dhe i noterizuar në Shqipëri. Në mbyllje të procesit të aplikimeve dekani i secilit fakultet ngre komisionin e njohjes dhe ekuivalentimit të lëndëve mësimore që ka ndjekur kandidati që kërkon të transferojë studimet e larta.

Ekuivalentimi i programeve dhe krediteve

Njohja e plotë e lëndës bëhet në rastet kur kreditet e fituara nuk janë më të ulëta se kreditet e disiplinës përkatëse të programit të studimit, teksa programet e lëndës duhet të kenë një ngjashmëri në mbi 75 për qind të tyre. Njohja e pjesshme e lëndës bëhet kur kreditet e fituara janë më pak se kreditet e disiplinës përkatëse të programit të studimit, ndërkohë që ngjashmëria e programeve duhet të jetë në masën 50 për qind.

Mosnjohja e lëndës bëhet në rastet kur kreditet e fituara nga kandidati janë më të ulëta se sa 50 për qind e kreditove të kërkuara nga disiplina përkatëse dhe kur programet nuk kanë ngjashmëri. Në rastet kur komisioni bën një njohje të pjesshme të lëndës, studentit i caktohet pjesa e programit që do të shlyhet, për të cilën mund të mos jetë domosdoshmëri frekuentimi i leksioneve dhe ushtrimeve, por frekuentimi i orëve speciale dhe praktikave është i detyrueshëm.

Shlyerja mund të realizohet nëpërmjet provimit, bashkëbisedimit, projektit ose të formave të tjera që mund të përcaktohen nga komisioni. Në vlerësimin përfundimtar merret parasysh edhe vlerësimi paraprak që ka marrë studenti për një pjesë të lëndës.

Në varësi të krediteve të njohura nga komisioni konfirmohet edhe numri i kandidatëve që kanë të drejtë të kryejnë transferimin e studimeve pranë Universitetit të Arteve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *