DOSSIER- PJ.III / Vlorë 1943, ngjyrat e terrorit

redaktor

Vijon nga numri i kaluar

 

I ati i Luan Memishajt, Imer Avdulla Memishaj (1920-1981) në biseda me të birin mbi këto raprezalje të paprecedenta të cilat i ka njohur nga afër dhe ka patur shumë informacione, i ka vënë theksin inciativës gjakatare të Vizhdan Risilisë. “I shoqëruar me roja gjermane me triçikla e autoblinda, Vizhdani patrullonte triumfator nëpër qytet duke arrestuar ditën e natën, njerëz të moshave e bindjeve të ndryshme politike. Vetë Balli Kombëtar ishte shokuar nga këto ngjarje”, lexojmë në shënimet e Luan Memishajt për të atin, “në këto arrestime kishte dijeni të plota, madje kishte shtuar rekomandimet e veta edhe vëllai, Pertef Risilia”. Nga ana tjetër, duke u kthyer në artikullin e Petro Markos, bien në sy edhe emra të tjerë të besuar të gjermanëve: “… Na duallnë në piacën e Vlorës zagarët e tërbuar si Xhemil Meço, Pertef e Vizhdan Risilia, Mehmet Alemi me shokë që me hurin e Gestapos në dorë, plaçkitën, vranë, dogjën, çnderuan dhe më së fundi dorëzuan mëse gjashtëqind burra të Vlorës në gojën e kulçedrës gjermane…”.

Është e qartë se këta eksponentë dhe pasuesit e tyre, duke realizuar këtë goditje të tmerrshme për llogari të gjermanëve, njëherësh shfrytëzonin rastin për të kryer hakmarrje personale. Kësisoj përfunduan në kampet e vdekjes nacionalistë, komunistë e aktivistë, por dhe shumë njerëz të papërzier në të ashtuquajturën “politikë”. Fjala vjen, hotelieri Mihal Koçi u mor në hotelin e tij dhe për fatin e tij nuk u mësua më asgjë. Ai vërtet kishte familjarë të angazhuar aktivisht me luftën, por fakti që tek ky tregtar e fabrikant i njohur vinin të hanin dreka e darka edhe oficerë të lartë gjermanë, nuk vleu aspak për ta mbrojtur. Në kujtimet e mëvonshme, të afërm të tij kanë pohuar se teksa e morën dhe e flakën mbi karrocerinë e kamionit, ata kishin kohë vetëm për t’i hedhur nja dy batanije në ecje e sipër, që të rrinte ngrohtë në qeli. Ishte hera e fundit që e panë.

Përse këto raprezalje erdhën pikërisht në këtë kohë? Të intervistuarit rendisin disa arsye, veç qëllimit kryesor që më në fund Vlora “të shtrohej” për interesat strategjike gjermane. Kështu, ata me prirje nacionaliste rendisin edhe disa aksione “të gabuara dhe të papërshtatshme” të guerriljeve komuniste, që acaruan gjermanët. Paralajmërimi i Vermahtit se për një ushtar gjerman të vrarë, do të vriteshin 100 civilë vendas, tentohej të respektohej seriozisht. Për të intervistuarit me bindje të majta, ishte Balli Kombëtar ai që tek e fundit, po dilte haptaz në krah të gjermanëve përballë rrezikut komunist. Por në të dyja rastet, popullsia civile dhe e paprofilizuar politikisht ishte ajo që e pësoi më rëndë.

Studiuesi e historiani vlonjat Bardhosh Gaçe saktëson se dy ishin momentet kulmore të kësaj raprezaljeje: E para filloi më 25 tetor 1943 dhe pas dhjetë ditë rrëmbimesh, njohu një kulm të ri më 6 nëntor. Por duhet thënë se ajo që bie në sy, është numri i përafërt i të zhdukurve dhe mungesa e statistikave të sakta për këtë ngjarje. Rrëfimet flasin për shifra si 600 apo 650, gjithsesi të rrumbullakosura. Gaçe ka bërë një punë të lavdërueshme me listat e të internuarve të kohës së luftës për rrethin e Vlorës. Ai ka mundur të identifikojë mbi 580 emra të internuarish të zonës për periudhën 1940-1944, disa prej të cilëve ilustrohen me faksimile në këtë shkrim. “Nga kjo listë”, pohon Gaçe, “mbi 140 janë ata që nuk u kthyen kurrë nga kampet e vdekjes”. Por sërish mungesat janë të mëdha. Si ka mundësi që gjatë 65 viteve, këta emra vlonjatësh të raprezaljeve të nëntorit 1943 nuk arritën kurrë të identifikoheshin siç duhet? Në fakt, kjo histori e ka njëfarë shpjegimi.

“Nga të internuarit e atyre ditëve”, shkruan në rrëfimin e tij Harrilla Papajorgji, “arritën të shpëtojnë nga skëterra e kampeve të përqëndrimit dhe të kthehen gjallë në Vlorë, vetëm Mit Simoni, Koço Pandi, Nonda Papakosta e ndonjë tjetër”. Por nuk duhet harruar se pas luftës, në hartimin e listave të dëshmorëve e të zhdukurve të luftës, rolin e dorës së parë e kishin bindjet politike. Shumë emra nacionalistësh nuk u përfshinë mes të zhdukurve, ose thjesht u injoruan dhe për ata nuk u interesua njeri. Kështu, shifra mbeti po ajo, por pa emra brenda. Për njerëzit e thjeshtë, pa mbështetje dhe të papërfshirë politikisht, në vitet e diktaturës do të quhej sukses vendosja e emrit të familjarit të tyre në muzeun e Vlorës, që ata të siguronin të paktën ndonjë zanat, se për arsimim të lartë s’bëhej fjalë.

Është e rëndësishme të shtohet gjithashtu se në punën për mbledhjen e të dhënave të këtij shkrimi, është hasur në hezitim si nga ana e organizatave të veteranëve të luftës, ashtu dhe nga krahu nacionalist. Mund të kuptohet ky hezitim, nëse po të kthehemi në ditët e nxehta të luftës, vëmë re se nuk mungojnë kurthet që komunistë e nacionalistë i kanë ngritur njëri-tjetrit. Paçka se të dyja palët, shqiptarë, jo pak herë kanë përfunduar në kampet gjermane. Në këtë prizëm, le të shkojmë pas në ngjarjet e viteve 1943-44.

Që ngjyrimet politike dhe bindjet e eksponentëve të lartë të Ballit Kombëtar ishin të larmishme, e provon edhe rasti i një prej themeluesve të Ballit Kombëtar, avokatit Skënder Muço. Ai, ashtu si Hysni Lepenica (i vrarë në luftën e Grehotit kundër italianëve) kishte reputacion të lartë në rajonin e Vlorës dhe kishte pasur shumë kontakte me komunistët, që kulmuan me Marrëveshjen e dështuar të Mukjes, ku ai ishte delegat. Ndërsa lufta kishte hyrë në fazën finale, Skënder Muço i theksoi gjithnjë e më fort prirjet e tij anglofile. Pas raprezaljeve të Vlorës, më 21 nëntor 1943, pikërisht ai shkroi një pamflet të ashpër kundër gjermanëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, me vëllezërit Risilia në krye. Vendosi të shkëputet nga Balli dhe bashkë me Musine Kokalarin themelojnë partinë e parë socialdemokrate shqiptare. Ja çfarë thotë një raport nga arkivat e Vermahtit në Shqipëri përkthyer në shqip, bobina 989, faqja 11: “Në krahinën e Vlorës, kryetari i një lëvizjeje të rezistencës, avokati Skënder Muço, zhvilloi që prej disa javëve një veprimtari të fortë politike anglofile. Sipas hetimeve të marra mbi qëndrimin e tij, ai u kap më 8 gusht (1944) nga anëtarë të Sekretariatit të Vlorës dhe iu dorëzua Shërbimit të Sigurimit. Gjatë aksionit të spastrimit të lëvizjes së rezistencës së zhvilluar në Vlorë dhe rrethet e saj pas kësaj ngjarjeje, u kapën edhe 49 persona të dyshimtë”. Ajo që nuk përmend raporti gjerman, është se kush ja serviri komandaturës gjermane një fotografi të Muços me disa oficerë anglezë, e cila u bë indicia kryesore për akuzën kundër tij. Skënder Muço u pushkatua tre ditë më vonë nga gjermanët në Bubullimë të Lushnjes.

Nuk ka të dhëna se ku përfunduan “49 personat e dyshimtë”. Por Vizhdan Risilia e vazhdoi aktivitetin e tij gjatë pushtimit gjerman. Shohim të ilustruara në këtë shkrim, veprimtarinë e tij si prefekt (gaulajter, e quajnë gjermanët) me këto dy shpallje të datave 2 dhe 4 gusht 1944 në shqip dhe gjermanisht, që njoftojnë për goditjen e rëndë që morën trupat angleze pas zbarkimit të dështuar në gjirin e Spillesë. Në rrethin e bëmave të tij hyn edhe arrestimi i rrethkomandantit të xhandarmërisë shqiptare për Vlorën, Engjëll Vaso, në zyrën e tij cilit hynë befasisht dhe i gjetën në sirtar një ftesë të qarkorit komunist për të bashkëpunuar me lëvizjen. Qarkulluan zëra se Vason e shitën vetë komunistët. Këta të fundit kishin dhënë prova se i hiqnin qafe pa problem edhe njerëzit e tyre: Mynyr Xhindi, Neki Ymeri etj, siç kanë pohuar edhe Enver Hoxha e Hysni Kapo sipas procesverbalit të mbledhjes së Beratit (nëntor 1944). Nuk do të ishte çudi që herë pas here t’i servirnin Vizhdan Risilisë emra “të papëlqyeshëm” për ta, ashtu si kundërshtarët e tyre bënin të njëjtën gjë. Nëse ky element servirjesh hyn edhe në rastin e raprezaljeve të Vlorës dhe kjo përbën një arsye më shumë pse kjo ngjarje ka mbetur e errët dhe e shushatur në thellësinë e viteve, këtë nuk e dimë.

Por ajo që dihet me siguri, është se Vizhdan Risilinë e dënoi me vdekje vetë Balli Kombëtar, dhe ky është fakt. Eksponentët e Ballit në mërgim, hodhën short se kush do ta zbatonte vendimin. I arratisur në Itali pas largimit të gjermanëve, Vizhdan Risilinë e pikasin në Romë. Një ditë të bukur vere të vitit 1946, i ngarkuari për ekzekutimin e tij, Hasan Brahim Lepenica, i afrohet dhe teksa shtin mbi ish prefektin, i thotë: “Bëju të fala 600 vlonjatëve në atë dynja!”

Atentati bëri bujë. Por edhe në këtë rast që nuk mund të kalonte në heshtje, e që padyshim i bën nder atentatorit, regjimi i sapoinstaluar komunist e kishte gati qëndrimin e vet. Po në gazetën “Bashkimi” të atyre ditëve, lexohej një titull i madh me gërma kapitale: “Tradhëtari vret tradhëtarin!”

Sipas disa krahasimeve të përafërta, duhet të jenë të paktën 300 vlonjatë të humbur (me siguri më shumë) në skëterrën naziste të vdekjes, që nuk figurojnë asgjëkundi. Dihet se menjëherë pas Luftës së Dytë e gjatë viteve në vazhdim, të gjitha shtetet europiane nuk rreshtën që kërkuari e verifikuari të humburit e tyre, si ata që u rradhitën në krahun e pushtuesve, e aq më tepër ata që e pësuan prej tyre. Në këtë këndvështrim, rasti shqiptar e gjëma e Vlorës veçanërisht, mbeten të çuditshme e të pakuptueshme. Ndoshta duhet shpresuar se diku në ndonjë cep arkivash, mund të ekzistojë ndonjë listë e plotë e gjashtëqindve të Vlorës. Megjithëse nuk ka asnjë justifikim, le të bëjmë sikur i kuptojmë arsyet “shtetërore” të regjimit komunist: Por si është lënë në harresë kjo ngjarje edhe gjatë 25 viteve të demokracisë?

Nga ana e tij, luftëtari i Spanjës dhe pena e shquar e Bregut, Petro Marko, megjithë dramën e tij personale e familjare, një kalvar i zymtë dhe i tmerrshëm, e bëri detyrën e tij me atë shkrim të “Bashkimit” të 7 gushtit 1945. Ja si i mbyll shënimet e tij Harrilla Papajorgji: “Më habit vetëm një gjë; përse as në kohën e diktaturës, por as sot, për këtë raprezalje të pashembullt as nuk flitet e as nuk përkujtohet me nderimet e respektet e nevojshme njerëzore. Të më falin e të më ndjejnë familjarët e qindra martirëve të tjerë, që duhet kërkuar imtësisht e gjetur në arkivat e kohës, por duhet të vihet në vend nderi dhe kujtimi i tyre i paharruar”.

 

*Dëshmitë janë mbledhur nga studiuesi Albert Kotini. Shkrimi është ripunuar pas një botimi në Revistën Klan, shkurt 2012

Share This Article
9 Comments
  • Citojme, nga me siper:

    “…Këta të fundit kishin dhënë prova se i hiqnin qafe pa problem edhe njerëzit e tyre: Mynyr Xhindi, Neki Ymeri etj, siç kanë pohuar edhe Enver Hoxha e Hysni Kapo sipas procesverbalit të mbledhjes së Beratit (nëntor 1944)….”

    Nese jane te verteta keto deshmi, te cilat kane qarkulluar nen ze prej kohesh, kush na rezulton kolaboracionist tjeter, vec Vizhdan Risilise?!
    Te vrasesh “njerezit e tu” eshte edhe me keq akoma, por makabriteti komunist rritet edhe me kur, pas clirimit, keto viktima te vete ketyre qe u bene me pushtet, ironikisht mbaheshin si “deshmore te lirise”…

  • Reprezaljet nuk jane bere vetem ne qytetin e Vlores,por edhe ne krahinat per rreth.Njeriu im qe u internua ne ate kohe ishte ne grupin komunist,ishte njeherazi dhe partizan,u kap dhe u inernua ne Prishtine.Kur e sollen ne Kukes,pas luftes nuk ishte ne gjendje te vazhdonte rrugen .Per kete e mbajten ne Kukes ne trajtim spitalor dhe u kthye gjalle ne Vlore .Shume gjera qe me ka treguar me gjalljen e tij,fatkeqsisht nuk i kam shenuar,Ai ka 22 vjet qe ka nderruar jete,cuditerisht,pas gjith atij internimi mizor rrojti gjate.

  • Me duket nje shkrim tejet kaotik, qe me shume hedh mjegull se sa qarteson dicka. Behen fajtore Risilijte, gjermanet, ballistet por dhe komunistet qe kane djegur njeri-tjetrin me duart e gjermaneve dhe te prefektit vlonjat. Flitet per numrin 600-650, por studjuesi Gace, “i cili ka bere nje pune te lavderuar” ka identifikuar 580 emra te internuarish gjate periudhes `40-`44!!!!

    Ec e merre vesh kete pune. Fillohen hetimet ne kohen e gjermanit dhe papritur dalim ne kohen e italianit.
    E pra nje rremuje ngjarjesh, shifrash, emrash ku ne fund dilet se nuk gjendet asnje fakt, asnje gjurme sa dhe vete pushteti komunist dhe vete komiteti i veteraneve nuk ka bere hetimet e nevojshme per keto masakra!!!!
    E kush e beson kete.

    Dicka nuk shkon ne tere kete histori. Po mire, ngrihet pyetja, ku jetonin keta? Nuk kishin keta familje dhe te aferm te cilet mund te kerkonin te afermit e tyre dhe keshtu te nxirrej nje statistike e sakte?
    Po a mund ti shpetonte ky fakt Enver Hoxhes dhe pushtetit te tij, kur per masakren e 4 prillit eshte folur brenda dhe jashte vendit si nje krim makaber?

    Nuk dua te marre ne mbrojtje as Risiline, as ballistet dhe as gjermanet, por per nje gje kam dyshim:
    Jemi ne muajt Tetor- Nentor `43, kur gjermani sapo kishte hyre, ishte formuar dhe nje qeveri shqiptare dhe nje asamble kombetare per interes te dyanshem dhe me nje qellim ruajtjen e njefare qetesie ne vend.

    Kam dyshim se ne kete histori nazistet kane ndjekur, internuar dhe pushkatuar italianet e lene rrugeve pas kapitullimit dhe ky fakt behet akoma domethenes me “vendin e krimit” i cili ishte vete Vlora si kendi me i afert per te mberritur ne ne vendin e tyre, Italine.

    Vete autori dhe faktet tregojne se ka shume paqartesi ne statistika dhe dokumenta duke me shtuar dyshimin se kemi te bejme me italiane qe gjermani i ka perndjekur dhe vrare edhe ne Greqi si tradhetare dhe dezertore te aleances.
    Kjo eshte logjika ime. Me kuptoni se asnje nuk dua te marr ne mbrojtje, por rrjedha e ngjarjeve ne kete deduksion me con.
    Dhe fakti qe Risilia eshte vrare me atentat ne Itali tregon qe kjo ndoshta ka qene hakmarrje e vete italianeve me duart e shqiptareve.
    Perse nuk vrane italianet a vete shqiptaret edhe Mehdi Frasherin si ish-kryetar regjence ne kohen e gjermanit i cili ishte strehuar edhe ai ne Itali?
    Ja pra qe ky artikull nuk me bind.

    • Masakra ka qene ne 4 shkurt , jo ne 4 prill o trap –hahahaha

      Mos ka qene masakra e 1 Prillit , lol ?

      Ore ju te gazetes , pse e keni fshire komentin tim, se aty ne ate koment une ju thosha si ka qene puna atehere e kesaj masakres qe thote artikull-shkruesi ?

      Po pse beni censure ju mor dreq?

      ,Jeni bere me keq se gaezta Tema, ku lejohen vetem sharjet me te pista dhe lajkat ndaj botuesit dhe pushtetit

  • Nje ekuiliber shtirak e i neveritshem i autorit, qe bie ne kurthin e “pa-anesise” me cdo kusht, si virtyt i nje historiani. Viktimat e vjeshtes 1943 kishin nje dhe vetem nje karakteristike: ose ishin luftetare antifashiste, ose ishin prinder e te aferm luftetaresh. Ate qe pohon L. Memisha e konfirmojne dok. e Komandatures gjermane: Vizhdan Risilia u printe togave naziste duke u treguar me gisht dyert e shtepive te komunisteve e antifashisteve. Edhe dicka: ekzekutimi “heroik” i Hasan Lepenices kunder Risilise ne Rome, nuk ishte aspak nje “shpagim” prej patrioti, por nje gjest prej paraziti burracak. Lepenica e vrau Risiline tek bari i “Porta Pia”, ku takohej cdo dite me te, pas nje grindje banale te lloit “kush je ti, e kush jam une”. Sigurisht, ballistet e shkrehnin vetem kur pinin, dhe Lepenica ate mbremje kishte pire mie!

  • Po si ja fusni kot,komentues te Enverit?Deri ne 1938 Shqiperia ka pasur 209 shkolla fillore,unike dhe te mesme,pa llogaritur shkollat fetare medresete dhe seminaret.Si paskan qene 80 mesues gjithsej?Deri ne vitet 70 Enver Hoxha kishte dijeni per te gjitha pushkatimet,burgosjet,internimet,disa prej te cilave me porosi te tij.Asnje amnisti nuk eshte kryer pas egsekutimit te Koci Xoxes.Perkundrazi!Pas vitit 1949 filloi nje fushate e eger spastrimesh burgosje dhe pushkatime te intelektualeve,qe kulmoi me terrorin e bombes ne ambasaden Sovjetike ne Tirane.Po keto Koci Xoxe i beri?Shifrat qew jep Qafoku jane shifrat e arkivave te ministrise se drejtesise dhe ministrise se brendshme,por sa intelektuale te tjere jane egzekutuar dhe lincuar pa gjyq!Po permend vetem egzekutimin nga forcat e sigurimit ne fshatin Dorez te Librazndit te inxhinjerit kimist,Emin Haxhimusai,i cili ishte diplomuar ne vjene.Komentuesit qe kane qene pjese e kesaj makinerie krimi,ose jane pasardhes te tyre mos justifikohen me Berishen,se edhe Berisha eshte pjese e nomenklatures se kuqe.Keta qe zgerdhihen me fatin e dhjetra mijrave fatzijve qe u viktimizuan ne diktature me kujtojne bishat e Pol Potit,qe edhe sot mbrojne krimet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *