Elbasani edhe njëherë tjetër luajti mirë por nuk arriti të merrte pikët maksimale. Më shumë sesa rezultati 1-1 përballë Vllaznisë janë rastet e shumta të shpërdoruara ato që e shqetësojnë më tepër trajnerin e verdhebluve, Muharrem Dosti.
Gjithsesi sipas teknikut të Elbasanit skuadra e tij do të luftojë deri në përfundim të kampionatin për objektivin mbijetesë. “Më vjen keq për mundësitë që shpërdoruam. Them që jam i kënaqur me një pikë vetëm për moral. Pasi sot ekipi luajti mirë por shpërdoroi shumë raste. Skuadra reagoi mirë pas golit të Vllaznisë por sërish gaboi shumë përpara portës.
Mendoj se sot duhet të kishim dalë me tre pikë nga ky takim. Përsa i përket objektivit mbijetesë ne do të luftojmë deri në fund. Teuta ka vetëm 6 pikë më shumë por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë që është shumë e rëndësishme”.
Në krahun tjetër trajneri i Vllaznisë, Baldo Raineri nuk e konsideroi si një rezultat për t’u hedhur poshtë barazimin 1-1 ndaj Elbasanit, ndërkohë që italiani ironizoi disi edhe me cështjen e një shkarkimi të mundshëm të tij nga stoli i kuqebluve.
“Në rast barazimi valixhja është e përgatitur përgjysmë. Kur një ndeshje nuk e fiton, nuk është fundi i botës. Mbijetesa? Unë nuk jam një njeri që dorëzohem lehtë. Kemi ndeshje shumë të vështira me Laçin, Partizanin, Skënderbeun dhe Kukësin, por ku i dihet, ndoshta mund të ndodhë gjithçka. Kur luajmë me qetësi besoj se mund të marrim rezultat ndaj cdo kundërshtari”.
