“Jam duke u mësuar me futbollin italian, që, në aspektin taktik, është ndryshe nga ai që kam luajtur në Ukrainë, në Gjermani ose me Brazilian. Nuk ka asnjë problem në aspektin teknik, po përshtatem nga dita në ditë dhe shpresoj që shumë shpejt të jem në maksimum”. Kështu ka folur Douglas Costa, i cili ka bërë një paraqitje të mirë në derbin kundër Torino-s. Në lidhje me pozicionin e preferuar:
“Te Bayern luaja në të djathtë, te Shakhtar në të majtë, ndërsa te Brazili jam më në qendër: për mua nuk ka problem, jam gati të jap kontributin tim në çdo pozicion. Konkurrenca? Këtu ka shumë lojtarë të mëdhenj, Juventus është një ekip i madh dhe është normale që të ketë shumë rivalitet. E njëjta gjë ishte te Bayern, ashtu si edhe në kombëtare”.
Costa ka zbuluar edhe lojtarin që e ka befasuar më shumë te bardhezinjtë. “Dybala është fantastik, e dija se ishte i mirë, por më ka befasuar akoma më shumë me vazhdimësinë e tij. Edhe Pjanic është i mrekullueshëm”. Braziliani ka folur edhe për momentin e vështirë që po kalon Higuain:
“Është normale që një sulmues të kalojë një periudhë ku nuk arrin të shënojë, por sezoni është akoma i gjatë. Është një lojtar i madh dhe do të kthehet të shënojë shumë gola”. Të mërkurën në mbrëmje Juventus do të presë Olympiacos në javën e dytë të Champions League.
“E dinim që do të ishte e vështirë të luanim në Barcelonë, por tani është e rëndësishme të tregojmë forcën në shtëpinë tonë”, ka thënë Douglas Costa.
