Letër e nënshkruar,
Mehmet Metaj
Sapo lexova shkrimin në “Dita”: “Sejfulla Malëshova nëpër duart e dy komunaleve”…dhe aktin skandaloz të kryetarit aktual të bashkisë së Fierit-njëlloj si drejtori i Komunales së kohës së Enverit, m’u kujtuan disa biseda të tij të hedhura në letër rreth këtij njeriu “parveny” nga ish-miku i tij më i afërt Dr. Ymer Dishnica…
Ja disa pasazhe se ç’ishte dhe ç’na thoshte/mësonte Sejfulla Malëshova:
“Sejfullai e përsëriste shpesh fjalën e presidentit Uillson, thënë më 1913: “Duhet të shkatërrojmë gjithçka që mban vulën e vogël të privilegjit”, apo diskutonim për “Metafizikën e dashurisë” të Shopenhauerit. Nga nënvizimet që i kishte bërë librit, shkruante në një fletë: “Njeriu i madh nuk ka kërkuar kurrë gjënë e vet, nuk ka përjetuar për vete, por për të gjithë…. Gjeniu qëndron në kontradiktë, në konflikt me kohën e vet.
Kur i përsërisja fjalën e Aristotelit “Gjithë mendjendriturit janë melankolikë”, fillonte një debat i madh. “Kur flitnin për njerëzit e mëdhenj citonim Hygoin, Çehovin…, ishin indiferentë ndaj lavdërimeve të veprave të tyre, por ishim të ndërgjegjshëm se njeriu në jetë ka nevojë për vlerësime e nxitje, ashtu siç ka nevojë për ushqim e për ajër.
Për këtë temë diskutimi, Sejfullai më thoshte: “Pleqtë e fshatit tim, më thonë shpesh se kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara; po t’i biesh nga koka, ecën prapa”. Ne bënim shumë biseda për artin. Një herë i thashë mikut të dashur se si e shpjegon ai faktin që Aleksandër Moisiut nuk iu vlerësua qysh në fillim talenti nga komisioni kur konkurroi. Pa u menduar tha: “Pse, vetëm Moisiu e ka pësuar kështu? Po Lasmani, mësuesi i pasur, që e largoi si të patalentuar Rembrandin e pavdekshëm!?
Kam lexuar “Artin poetik” të Bualosë. Atje nuk flitet për La Fontenin, por jeta vërtetoi të kundërtën. La Fonteni u bë poeti kombëtar i Francës. Edhe për historinë ne shpesh bisedonim e shkëmbenim mendime. Ne na vinte keq e na shqetësonte fakti që për rolin e historisë, në shekuj kanë folur njerëz të mençur, por që fatkeqësisht, ndër ne ishin nënvlerësuar. Fjala vjen, mendimi i Engelsit se historia kërkon fakte e jo të shpikur e të stërshpikur, ishin lënë në harresë. Sa e sa gjëra u shkruan, sipas oreksit të disave, që patjetër, historia e vërtetë do t’i hedhë në kosh. Sejfullai citonte shpesh Bjelinskin që kishte thënë. “Ta thuash i pari të vërtetën, duhet fisnikëri dhe guxim”, përfundon Doktor Dishnica.
