Rekrutimi i mësuesve të rinj nuk do të bëhet më nga komisionet shkollore. Me ndryshimet e propozuara në projektligjin e arsimit parauniversitar, përcaktohet se emërimi i mësuesve në sistemin parauniversitar do të kryhet nga një komision i posaçëm në rang drejtorie arsimore, i ngritur në bazë të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Do të jetë pikërisht ky institucion që do të vendosë për udhëzimet dhe procedurat se si do të përzgjidhen mësuesit e rinj. Autoritetet e arsimit konfirmojnë se pas verifikimeve të kryera në shumë shkolla të vendit, është vënë re se drejtuesit e këtyre komisioneve për shkak të njohjeve individuale me kandidatët, ndanin në mënyrë abuzive kontrata për vendet e lira të punës në shkollat përkatëse. Gjatë séancës dëgjimore të zhvilluar ditën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Medies dhe Edukimit, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka theksuar se ndryshimi i propozuar në draftin e arsimit parauniversitar i jep fund emërimeve korruptive.
Në këto kushte, Ministria e Arsimit do jetë institucioni kryesor që do të përcaktojë kriteret për përzgjedhjen e komisionit që do të kryejë rekrutimin e mësuesve. ”Kemi pasur raste të shumta të konflikteve personale midis anëtarëve të komisioneve në procesin e konkurrimit, për shkak të pikëpamjeve personale apo njohjeve personale ndaj kandidatëve. Pa folur pastaj për pamundësinë për të mbledhur dhe përcaktuar komisione në shkolla të vogla apo në zona të thella.
Këto kanë qenë arsyet që ne kemi dashur ta riadresojmë në një formë të re, pa hequr dorë nga komisionet e vlerësimit. Por ato do të organizohen në bazë drejtorie arsimore, në bazë zyrash arsimore, lidhur ngushtësisht dhe me procesin e transparencës dhe renditjes të të gjithë burimeve njerëzore, të gjithë punëkërkuesve”, ka theksuar ministrja Nikolla.
Ndryshimi i strukturës mësimore
Drafti rikthen strukturën e vjetër arsimore. Sipas ekspertëve të arsimit, ky propozim vjen pasi struktura 6+3 vështirëson zhvillimin e mësimit në disa lëndë që do të duhet të realizohen nga mësues të arsimit të mesëm të ulët, të cilët nuk janë të përgatitur shkencërisht e profesionalisht të përballojnë procesin e mësimdhënies së lëndëve në klasë të gjashtë.
Për të përballuar nevojat konkrete, mësuesit po ndjekin trajnime të vazhdueshme për metodat e mësimdhënies në lëndët sipas kurrikulës së re, zbatimi I të cilës nis me klasën e gjashtë. Ndryshimi i strukturës po ashtu bëhet për të qenë në përshtatje edhe me strukturën e Kosovës, me të cilën synohet arritja e unifikimit të sistemeve arsimore. Në propozimet e bëra mbi ndryshimin e strukturës, specifikohet se: “Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë”.
Përzgjedhja e teksteve mësimore
Më tej diskutimet janë ndalur edhe në reformën e altertekstit, e cila konsiderohet e dështuar. Drafti i ri ligjor mundëson zhvendosjen e altertekstit drejt një teksti të unifikuar. Pavarësisht pastrimeve të bëra, aktualisht në sistemin e teksteve shkollore ka ende shumë alternativa të panevojshme, të cilat kanë ulur cilësinë e librave, teksa kanë sjellë dhe kaos në zhvillimin e procesit mësimor. Sipas ministres Nikolla, mbi 93 për qind e mësuesve janë shprehur kundër altertekstit, çka ka bërë që MAS të shkojë drejt një teksti, i cili do të jetë i njëjtë edhe në Kosovë.
Nikolla tha se nga 171 tekste të nevojshme për sistemin parauniversitar, deri në vitin 2013-të ishin certifikuar 1130 tekste, duke shkuar deri në 11 alternativa për një tekst. Ndërkohë, në vitin 2014-të, pas një procesi rigoroz përzgjedhjeje dhe komunikimi të vazhdueshëm me shtëpitë botuese, u arrit që vetë botuesit të tërhiqni nga katalogu 130 tekste me problem. “Alterteksti e shndërroi konkurrencën e lirë e të ndershme nga një proces thellësisht bashkëpunues, ku gjithkush përfiton, në praktika kufizimi dhe klientelizmi. Në institucionet shkollore, tekstet e nxënësve të konceptuara për lëndë dhe fushë, të nxënit do të jenë të njëjta. Me përfshirjen në ligj të standardeve për tekstet shkollore, botuesve, vlerësuesve dhe përdoruesve të teksteve u sigurohet sistemi i munguar i referimit. Kjo do të arrihet përmes konkurrimit me tekste të reja përpara një komisioni ekspertësh e mësuesish të kualifikuar”, ka deklaruar Nikolla.

o zot , c’po ndodh me arsimin s’po e marrim vesh . Cdo dite dalin ligje e rregulla te reja. Ne 25 vite nuk kemi mundur te ngreme ende nje reforme arsimore solide. Mjer ne mesuesit qe punojme ne kete shtet dhe nuk po na mbron kush. Ata te parit na nxorren jashte profilit, keta na flakin ne rruge te madhe.