Qëndrimet e shteteve për buxhetin 2014-2020 nuk përputhen. Nga pikëpamja strukturore, buxheti i BE-së është shndërruar vitet e fundit nga subvencionet e pastra drejt stimujve për më shumë investime.
Pas një natë thuajse pa gjumë Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy paraqiti në Bruksel një propozim të ri për buxhetin e BE-së deri në fund të dekadës. Përmasa e kapitalit mbetet rreth 1 bilion euro për vitet 2014-2020, por të paktën përmbushen disi kërkesat e përfituesve të subvencioneve bujqësore dhe programeve mbështetëse për zonat rurale. Van Rompuy hoqi nga lista projekte të mëdha infrastrukturore. Megjithatë, shtetet që paguajnë për buxhetin, kërkojnë kursime të mëtejshme.
Faza e ardhshme në janar
Drama e ardhshme e buxhetit duket e programuar ndoshta për në muajin janar të 2013-s. Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoq t’i zvogëlonte pritshmëritë ndaj takimit të tanishëm në Bruksel. “Ende nuk është arritur një qëndrim unanim”, tha Merkel. Vetoja e një prej 27 vendeve anëtare do të jetë e mjaftueshme për ta prishur përfundimisht takimin. Po ndodh që qëndrimet e shteteve nuk përputhen me njëra-tjetrën. Nga delegacioni gjerman u theksua se qëndrimet e 27 vendeve anëtare janë të papajtueshme, sidomos Britania e Madhe ndihet e lënë në qoshe.
David Kamerun
Kryeministri britanik David Kameron e mposhti me vështirësi zemërimin e tij mbi projekt-buxhetin e Presidentit të Këshillit. “Nuk kishte asnjë progres në shkurtimin e shpenzimeve shtesë. Nuk ka kohë për lojëra, për kalimin e parave nga një zë i buxhetit tek tjetri. Ne kemi nevojë për shkurtime të shpenzimeve të papërballueshme,” – u tha Kamerun gazetarëve. Kryeministri britanik ka vendosur shkurtime drastike në buxhetin e Britanisë së Madhe për shkak të elektoratit të tij euroskeptik.
Të gjithë kundër të gjithëve
Van Rompuy bashkë me Joze Manuel Barroson u përpoqën me orë të tëra duke biseduar individualisht me përfaqësuesit e vendeve të BE-së, madje deri në prag të lodhjes fizike, siç u tha nga zyrtarët e Këshillit Evropian, por deri tani nuk kanë patur asnjë sukses. Kërcënimet për veto vijnë jo vetëm nga vendet e veriut të BE-së që paguajnë në arkën e përbashkët, por edhe nga vendet përfituese në jug dhe në lindje të Bashkimit Evropian. Nga pikëpamja strukturore, buxheti i BE-së është shndërruar vitet e fundit nga subvencionet e pastra drejt stimujve për më shumë investime. Pjesa e shpenzimeve për bujqësinë ka rënë nga 75 për qind në vitin 1980 në 40 për qind në 2012-n. Ky ndryshim sipas disa vende anëtare nuk është mjaft i shpejtë. Ata kërkojnë më shumë stimuj për rritjen ekonomike.
Parlamenti Evropian duhet ta miratojë kompromisin e arritur nga udhëheqësit e qeverive dhe të shteteve. Negociatorët e parlamentit kanë sinjalizuar tashmë, se ata nuk do t’i mbështesin shkurtimet e mëtejshme në shpenzimet e përbashkëta të BE-së.
Presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso kërkon vazhdimisht më shumë para për investime në të ardhmen dhe programe shkollimi për të luftuar papunësinë e të rinjve. Në Parlamentin Evropian, ai tha të mërkurën se liderët duhet të arrijnë një kompromis, që ta forcojë dhe të mos e shkatërrojë fuqinë e Evropës. Si kreu i administratës së BE-së, Barroso është sigurisht i interesuar që të mos zvogëlohet numri i personelit. Shpenzimet e përgjithshme dhe administrative përbëjnë rreth 6% të buxhetit, ose 64 miliardë euro për periudhën 2014-2020.
Somario: Vetoja e një prej 27 vendeve anëtare do të jetë e mjaftueshme për ta prishur përfundimisht takimin. Po ndodh që qëndrimet e shteteve nuk përputhen me njëra-tjetrën