Debati publik që po bëhet për kompanine CEZ përsëri nxjerr në pah një gabim sistematik të politikës Shqiptare në tërësi,e të mënyrës se si debatohen problemet në vecanti.Diskutimi i ditëve të fundit, i ngjan një teatri ku Qeveria dhe CEZ po konfliktohen,ndërkohë që këta dy aktorë,janë praktikisht e njejta gjë.
Qeveria Shqiptare e ka ditur që ditën që firmosi kontratën,që kjo ngjarje do ndodhte. E vetmja gjë që ata nuk kishin llogaritur ishte koha,sepse shpresonin që kjo të ndodhte pas zgjedhjeve.Privatizimi i shpërndarjes u bë qartazi për të mbushur buxhetin e zbrazur por mbi të gjitha për të mbushur xhepat e individëve në qeveri.
Që qeveria dhe CEZ kanë qënë e njejta gjë mjafton të shohësh punësimet e kompanisë,nga niveli më i ulët deri në rang drejtorish. Shumica e stafit janë të lidhur me partinë në pushtet. Në Kukës psh,ka trefishin e punonjësve që ka në Vlorë. Pra e vetmja gjë që ndryshoj me privatizimin ishte thjesht një gropë thithëse që paratë të zhvendoseshin nga buxheti publik,në xhepa privatë,por në thelb gjithcka mbeti e njejtë.
Pozicioni antagonist i qeverisë dhe zhvendosja e debatit në terren teknik, bëhet për dy arsye kryesore. E para për të mbytur revoltën ,duke mare në mënyrë teatrale pozicionin e mbrojtësit të interesit të popullit, qeveria e kthen shqiptarin nga një të dëmtuar që duhet të kërkojë të drejtat e tij, në spektator. E së dyti ky teater bëhet për të shmangur pyetjet e vërteta që si shoqëri duhet të bëjmë. Për fat të keq, këtë karrem e kanë ngrënë dhe institucionet opozitare,duke e ndjekur vallen fallco të qeverisë në mënyrën më tragjike të mundshme.
Debati që po tentojnë të shmangin me këtë teater,është krejt tjetër,dhe kap thelbin e konceptit shtet ndërtues të kësaj qeverie,që është neo-liberalizmi,I cili në qëndër të tij ka privatizimin e aseteve publike.
Na kanë thënë për 20 vjet e kusur,që privatizimi shmang korrupsionin.Atëherë si ka mundësi që problemin e parë dhe kryesor që patën qytetarët menjëherë pas privatizimit të CEZ ishte abuzimi me faturat? Pra ardhja e CEZ jo vetëm që nuk e shmangu korrupsionin, por e legjitimoj atë,e duke mos qënë institucion publik,njerëzit nuk kishin ku të ankoheshin,e kështu korrupsionit ju shtua dhe një virtyt tjetër, arroganca.Ndërkohë, vetë procesi i privatizimit nga kjo kompani mbart hije të thella dyshuese për afera korruptive.
Na kanë thënë që privatizimi,e bën më eficent shërbimin. Mendoj që është e kotë të japësh një kundër argument për këtë pikë,se mjafton të shohësh që me të ardhur kjo kompani pati një rritje të mungesës së energjisë elektrike,dhe të shërbimeve.
Na kanë thënë që privatizimi krijon konkurrencën,dhe kjo e fundit e ndihmon qytetarin që të marë një shërbim më të mirë dhe më të lirë. Ndërkohë që kjo jo vetëm nuk ka ndodhur por situate është përkeqësuar. Shqiptarët sot paguajnë katërfishin e cmimit që paguanin për të njejtin produkt kur shpërndarja ishte shtetërore.
Ikja e CEZ do t’u lërë shqiptarëve qindra miliona euro borxhe për të paguar, një institucion tërësisht të shkatërruar dhe një situatë të pashpresë. Vetëm më një firmë, Saliu i ka bërë borxhli dhe stërnipat e atyre që kanë lindur sot.
Këto janë pyetjet që politika zyrtare po mundohet të shmangë,duke inskenuar një debat shterpë.Me anë të kësaj mjegulle,ata mund të vazhdojnë të privatizojnë asetet e ushtrisë,të falin detin e të arrinë atë që Sali Berisha e thotë me aq krenari në konferencat ndërkombëtare,për ta bërë Shqipërinë shtetin më privat në botë.
Ne po transformohemi gradualisht si Bolivianet e kohës para Moralesit, ku 40% e të varfërve jo vetëm që nuk arrinin të kishin akses në ujin e pijshëm,për arsye të cmimit,por ju ndalua të mblidhnin dhe ujin e shiut,sepse sipas kompanisë cdo pike uji që bie në tokë Boliviane i përket asaj.
Sic do thoshte Slavoj Zizek, situata është katastrofike, por aspak serioze. Dy autorët e krimit po akuzojnë njëri tjetrin,për një krim që e bën në bashkëpunim,e ku të dy në fund të kësaj historie dolën të fituar,meqënëse i rritën me disa shifra llogaritë e tyre bankare, duke ja marrë shqiptarëve, e këta të fundit ndjekin si spektatore aktin e fundit të dramës me emrin PRIVATIZIM.
Paradoksalisht në 100- vjetorin e pavarsisë Shqipëria e gjen veten më të varur se kurrë. Ne sot nuk zotërojmë burimet nëntokësore,energjinë,madje po privatizohet dhe ushtria,veprim të cilin dhe babai i Neo-liberalizmit Milton Friedman e konsideronte marrëzi.
Skllevërit,dallohen nga njerëzit e lire,sepse as toka në të cilën ecin nuk i përket atyre, por disa pronarëve,dhe ne,jemi skllevërit e kohës moderne,por me një dallim,që ndërsa skllavi e dinte që ishte skllav e luftonte,ne as këtë nuk e dimë,e mbajmë pozicionin e derrit të kënaqur.