Pas publikimit të raportit vjetor nga organizata e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore botërore UNESKO, drejtues të monumenteve në Gjirokastër deklarojnë se nuk ka asnjë rrezik potencial që qyteti i gurtë të përfshihet në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Gjatë një deklarate, Spartak Drasa, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare shprehet se raporti paraqet paralelisht problematikën aktuale të Gjirokastrës, si dhe progresin e arritur në disa prej rekomandimeve që UNESKO ka bërë.
“Në këtë raport vihet në dukje se numri i shkeljeve është ulur në vitet e fundit dhe si rezultat kemi vetëm 6 ndërhyrje pa leje në këta 2 vjet, por duke ditur ndërtimet e shumta pa leje të bëra nga vitet 1990-2003, të cilat janë të gjitha të evidentuara dhe të denoncuara pranë organeve kompetente si IUK dhe Inspektoriati pranë bashkisë, vihet theksi në marrjen e masave dhe hartimin e një plani ndërhyrjeje, për t’u prishur ato objekte që s’do mund të përshtaten me arkitekturën e qytetit, si dhe hartimin e projekteve restauruese për të gjitha objektet që mund të adaptohen, gjithashtu lënien e një afati personave që kanë bërë këto shkelje për të bashkëpunuar dhe hartuar projektet e restaurimit.
Raporti vë në dukje përpjekjet që po bëhen për minimizimin e tyre dhe monitorimin e vazhdueshëm të Qendrës Historike nga këto ndërhyrje. Përshëndeten përpjekjet që janë bërë për restaurimin e kështjellës, pazarit dhe shtëpive monumentale, por një punë e madhe mbetet për t’u bërë, e cila kërkon akoma shumë fonde si dhe një rishikim të ligjit të trashëgimisë.
Përmenden gjithashtu investimet dhe përpjekjet që janë bërë nga qeveria shqiptare për të përmbushur kërkesat dhe angazhimet që lidhen me trashëgiminë, duke theksuar që këto përpjekje dhe investime duhet të jenë të vazhdueshme”.
Drasa ka theksuar gjithashtu se realisht nuk ka, por as raporti i organizatës UNESKO nuk e përmend, asnjë abuzim përsa i përket kategorizimit të banesave “Monument Kulture”. “Në asnjë rast shkeljet nuk janë paraqitur si monumente të kategorisë së dytë, por vetëm si shkelje që janë bërë në këto objekte. Lista e monumenteve të kategorisë së dytë është e përcaktuar tashmë dhe së fundmi u është bërë dhe një rivlerësim gjendjes aktuale të tyre”, ka pohuar më tej Drasa.
Ndërtimet dhe shtesat e ndërtimeve pa leje në Qendrën Historike të Gjirokastrës janë një shqetësim i përsëritur herë pas here edhe në raportet e organizatës UNESKO. Edhe pse të gjitha këto ndërtime janë të evidentuara nuk është bërë asnjë ndërhyrje për prishjen e tyre. Gjatë dy dekadave të fundit ka pasur rreth 450 ndërtime apo shtesa ndërtimesh pa leje, kryesisht garazhe, shtesa, riparime çatish, të cilat së bashku me dëmtimin e godinave e kanë dëmtuar mjaft arkitekturën dhe origjinalitetin e kësaj pjese.