Drejt strofullës ku fshihej Bin Ladeni

redaktor

Të premten, më 14 shtator, ne e përmirësuam më tej planin tonë, ku Afganistani ishte i vetmi akt fillestar në një strategji gjithëpërfshirëse për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar. Pastaj bëmë një përmbledhje në përgatitjen për paraqitjen që do t’i bëja planit të nesërmen në Kemp Dejvid. Më kujtohet se ndërsa vozisja me vështirësi përmes tyre mendova se qindra drurë kishin shkuar dëm. Dokumentet ishin të panevojshme, për aq sa mund të tregoj, për gjithçka që do të flisja, ndaj dhe që atëherë isha plotësisht i bindur në drejtësinë e qasjes sonë, të cilën e kisha përdorur fare pak, në krahasim me masat gjysmake dhe strategjitë pa formë që agjencitë e tjera kishin filluar të vinin në lëvizje.

Të shtunën, më 15 shtator, i shoqëruar nga Xhon Meklaflini dhe Kofer Blleku, u takova me Kabinetin e Luftës në Kemp Dejvid. Presidenti ishte ulur përballë meje, në anën tjetër të tryezës së madhe katrore në sallën e thjeshtë të konferencave Kemp Dejvid, me zëvendëspresidentin dhe Kolin Pauellin në secilin krah të tij. Të pranishmit e tjerë ishin Don Ramsfelldi dhe Pol Volfovic, të ulur në krah të njëri-tjetrit, Kondi Rajs, Stiv Hadlli, Riç Ermitejxh, Prokurori i Përgjithshëm, Xhon Eshkroft dhe drejtori i ri i FBI-së, Robert Myler.

Titulli i materialit ishte “Shkatërrimi i Terrorizmit Ndërkombëtar”. Nëntitulli i faqes së parë mbante këto fjalë: “’Kurthi i Parë’: Shkatërrimi i al-Kaedës dhe mbyllja e Strehës së Sigurt”. Unë dhe Kofer Bllejku paraqitëm përmbledhtas pjesët e dukshme të planit.

Ne kishim për ta rrethuar Afganistanin duke siguruar mbështetje të menjëhershme për Aleancën Veriore dhe komandantët e saj, si dhe me përshpejtimin e kontakteve tona me udhëheqësit e Pashtunit Jugor, përfshi dhe gjashtë komandantë ushtarakë të lartë talebanë, që dukej se ishin të gatshëm për të hequr Mullah Omarin nga pushteti. Për këtë ne kishim nisur të punonim që në fillim të vitit 2001, për të krijuar një çarje midis krerëve talebanë dhe Bin Ladenit, dhe luftëtarëve të tij arabë. Ne kishim për t’i mbyllur kufijtë e Afganistanit me angazhimin e drejtpërdrejtë të iranianëve, turqve, taxhikëve, uzbekëve dhe pakistanezëve.

Disa nga aleatët tanë më të rëndësishëm rajonalë mund të krijonin një kontingjent oficerësh, të cilët mund të përziheshin me lehtësi në mjediset ku për ne do të ishte e vështirë të operonim sipas mënyrës sonë. Ne i thamë Presidentit se do të ishim të vendosur për shtimin e sa më shumë agjentëve njerëzorë, të cilët do të raportonin mbi organizatat terroriste. Ne, gjithashtu, propozuam angazhimin e menjëhershëm me libianët dhe sirianët për të vënë në shënjestër ekstremistët islamikë.

Ne shkonim për të bllokuar strehën e tyre të sigurt në Afganistan, të mbyllnim kufijtë, të shkonim pas udhëheqjes, të ndërprisnim paratë e tyre, si dhe të gjurmonim terroristët e al-Kaedës, në nëntëdhjetedy vende nëpër botë. Ne ishim gati t’i ndërmarrim të gjitha këto aksione menjëherë, sepse ne ishim përgatitur për këtë moment prej vitesh. Ne ishim gati, sepse plani na e mundësonte këtë. Me kompetencat e duhura, vendosmërinë politike dhe me oficerë të zotë, ne ishim plot besim se mund t’ia dilnim mbanë. Të tjerët mund ta kenë parë këtë si një lojë me zare. Por ne ishim gati dhe Presidenti ishte duke na e dhënë shansin.

 

Presidenti jep ultimatumin

Katër ditë më vonë, më 20 shtator, në një fjalim drejtuar kombit, përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit, Presidenti tha: “Lufta jonë kundër terrorizmit fillon me al-Kaedën, por nuk përfundon aty. Ajo nuk do të ndalet, derisa çdo grup terrorist në të gjitha anët e globit të gjendet, të ndalohet dhe të mposhtet”. Që atëherë, me sa më kujtohet, presidenti na dha kompetenca të zgjeruara operacionale, të cilat i kisha kërkuar me kohë.

Tashmë që ishim hedhur në një luftë në terren, çështjet që ishin dukur të vështira në ditët e para, papritmas u pa se kishin qenë shumë më të lehta në praktikë. Problemi i Pakistanit ishte një nga këta shembuj. Më 13 shtator, Riç Ermitejxhi ftoi për t’u dhënë një dush në Departamentin e Shtetit ambasadorin pakistanez Maleeha Lodhi dhe Mahmud Ahmed, shef i shërbimit inteligjent të Pakistanit, të cilët ishin ende në Uashington. Kishte ikur koha e të folurit me diplomaci. Nuk do të kishte më lojëra. Xhorxh Bushi kishte thënë në fjalimin e tij të 11 Shtatorit drejtuar kombit se Shtetet e Bashkuara nuk do të bënin dallim midis terroristëve dhe vendeve që i mbronin ata…

Më 27 shtator, gjashtëmbëdhjetë ditë pasi ishin goditur Qendra Botërore e Tregtisë dhe Pentagoni, ne futëm grupet tona të para të maskuara në Afganistan. Më pak se dy muaj e gjysmë më vonë, një bërthamë prej nëntëdhjetë punonjësish paramilitarë të CIA-s, tok me një numër të vogël grupesh të Forcave Speciale, në bashkëpunim me forcat rebele afgane dhe të mbështetur nga një bombardim masiv prej ajrit nga ushtria amerikane, bëri të thyheshin talebanët dhe të vriteshin ose kapeshin një e katërta e ndihmësve kryesorë të Usama bin Ladenit, përfshirë dhe komandantin ushtarak të tij, Muhamed Atef, një njeri kyç në sulmet e 11 Shtatorit. Kabuli u çlirua dhe Hamid Karzai u emërua president nga një këshill kombëtar. Afganistani do të shënonte suksesin më të madh të CIA-s.

 

 

Të gjitha bateritë kundër Sadamit

Në vazhdim të luftës, Shtetet e Bashkuara kishin premtuar t’u jepnin një sasi të madhe armësh dy grupimeve të mëdha kurde në Irakun verior (PUK dhe KDP) kështu që ata mund të bashkoheshin efektivisht në luftimet e ardhshme.

Operacioni “Liria Irakene” filloi pak më herët se sa e kishim parashikuar ne për shkak të një paralajmërimi nga një prej burimeve më të mira të NILE-s mbi vendndodhjen e mundshme të Armikut Numër Një Publik: Sadam Huseinit. Disa nga anëtarët e grupit merreshin me sigurimin e ndërlidhjeve për zyrtarët më të lartë irakianë, përfshi dhe Sadamin. Një ekran në zyrat qendrore të komunikimeve të regjimit tregonte dritë jeshile kur rrjetet irakiane funksiononin normalisht dhe dritë të kuqe kur ato nuk funksionin si duhet. Përgjithësisht dritat ishin jeshile. Burimi ynë vuri re se forcat e sigurisë së Sadamit i shkëpusnin gjithmonë komunikimet në zonat ku shkonte ai – me sa duket për të penguar personelin ushtarak tradhtar t’u tregonte armiqve vendndodhjen e tij.

Megjithatë, shkëputja e përkohshme e komunikacionit, ndezi dritën e kuqe për të shkuar pranë destinacionit të caktuar të Sadamit. Me kalimin e kohës burimi ynë qe në gjendje të vërtetonte dyshimin e tij. Dritat e kuqe do të vazhdonin dhe ai më vonë do të merrte vesh se Sadami kishte qenë pikërisht në atë vend. Me të ikur Sadami, ktheheshin dritat jeshile. Falë këtij xixëllimi në sistem, tabela elektronike transmetonte me vërtetësi vendndodhjet e Sadamit.

Dy ditë më përpara se të mbaronte një afat i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për gjunjëzimin iraken, burimi ynë nuhati një takim të mundshëm atë mbrëmje në Fermën Dora, një pronë në zotërim të gruas së Sadamit. Megjithëse nuk ishte e qartë se kush do të ishte i pranishëm, shenjat ishin që, djemtë e Sadamit dhe ndoshta krejt familja, mund të kishin menduar një takim atje, me sa duket për të diskutuar atë që mund të ndodhte me pushtimin nga Shtetet e Bashkuara.

Burimi ynë ia transmetoi këtë lajm skuadrës së NILE-s në Irakun verior. Ata menjëherë e përcollën lajmin në zyrat qendrore dhe ndërlidhësit të CIA-s me Gjeneralin Tomi Frenks në Doha, Katar.

Të nesërmen në mëngjes, më 19 mars, oficeri i CIA-s njoftoi Frenksin mbi informacionin e mbrëmjes së mëparshme. Vonë atë mbrëmje, burimi ynë dërgoi sërish sinjal. Dritat e kuqe ishin shfaqur edhe njëherë në Fermën Dora. E çuditshme ishte që udhëheqësi iraken do të shkonte sërish atje atë mbrëmje. Burime të tjera njerëzore të përfshira në masat e sigurisë pranë Fermës Dora kishin dëgjuar gjithashtu se një takim madhor i familjes së Sadamit mund të mbahej në fermë atë natë.

Në këtë moment, ne urdhëruam zbuluesit amerikanë nga ajri të shqyrtonin imtësisht vendin. Ajo që ne pamë ishte një kontingjent i madh makinash të sigurisë, saktësisht të atij lloji që i paraprinin lëvizjeve të Sadamit, fshehur nën pemë në fermë.

 

Presidenti urdhëron fillimin e sulmit

Ishte një skenar aq i mirë që duhej përcjellë, kështu që i telefonova Don Ramsfelldit dhe i kërkova nëse mund ta informonim menjëherë mbi diçka të rëndësishme. Ai tha po, sigurisht. Mora Xhon Meklaflinin dhe shefin e Grupit tonë të Operacioneve të Irakut dhe u drejtuam për nga garazhi. Në rrugë ndeshëm Stiv Kejpsin, numrin dy në Drejtorinë tonë të Operacioneve. “Hajde me ne”, i thashë dhe e tërhoqëm në ashensor. E informuam shpejt e shpejt Stivin në SUV-in tonë të blinduar dhe u turrëm tutje kompleksit të CIA-s para se ai ta merrte vesh se ku po shkonim dhe pse.

Kur mbërritëm në Pentagon, u futëm menjëherë në zyrën e madhe të Ramsfelldit. Pa e zgjatur i parashtruam faktet. Ai e kuptoi rëndësinë në moment dhe tha: “Ne do ta përcjellim këtë në qendër”. Disa sekonda më vonë ai fliste në telefon dhe u mor vesh që të gjithë ne do të shkonim për të takuar Presidentin menjëherë. U kthyem sërish te SUV-i dhe ngamë me shpejtësi për në Shtëpinë e Bardhë, por limuzina e Ramsfelldit dhe makinat shoqëruese të sigurisë na e kaluan.

Ne shkuam menjëherë të takonim Presidentin. Zëvendëspresidenti, Andi Kardi, dhe Kondi Rajsi ishin tashmë atje, ndërsa pas pak Presidenti kërkoi që me ne të bashkohej edhe Kolin Pauelli. Kryetari i shefave të përbashkët, Dik Mejers kishte ardhur tok me Sekretarin Ramsfelld.

Në dhomën private të ngrënies, ngjitur me Zyrën Ovale, ne shpalosëm disa harta dhe informuam Presidentin mbi njoftimin sekret që kishim. Ishim të hapur me të mbi kufizimin e njohjes sonë. Ne menduam se informacioni ishte goxha i mirë – shumë i mirë, si po shkonin punët – por nuk mund të garantonim se informacioni nuk ishte i gabuar. As nuk betoheshim që ky nuk ishte një marifet, ose të provonim se Sadami nuk kishte shkuar në një jetimore në atë vendndodhje për të na shkaktuar një katastrofë në marrëdhëniet me publikun. Në fund të fundit, vendosja për të goditur nuk do të ishte një punë e lehtë.

Ne i thamë presidentit se nuk kishte të ngjarë të siguronim ndonjë informacion shtesë për ta ndihmuar atë të merrte vendimin. Pastaj, disa momente më vonë, ne mësuam më shumë. Një burim që merrej me sigurinë në skenën e ngjarjes kishte bërë një thirrje tjetër. Ai thoshte që kishte zëra midis kolegëve të tij se vetë Sadami mund të shfaqej aty midis orës 3:00 dhe 3:30 të mëngjesit, sipas orës së Bagdadit.

Shpejt erdhi dhe një informacion tjetër. Raportet sekrete në kohë reale mbërrinin në mes të një krize që ndodh gjithnjë në Hollivud, por kjo është tejet e jashtëzakonshme në realitet. Shefi i Grupit tonë të Operacioneve të Irakut u tërhoq në Zyrën Ovale për të marrë një thirrje telefonike të siguruar në tryezën e punës të Presidentit. Informacioni më i fundit thoshte se ata që po shkonin atje do të ishin në një malja – një fjalë arabisht që ka kuptimin “bodrum” ose “vendstrehim”. Nëqoftëse kishte një bunker, raketat kruiz nuk do qenë në gjendje të depërtonin atje. Kjo donte të thoshte se do të kërkoheshin edhe aeroplanët bombardues.

Qartësisht ne ishim në prag të një vendimi shumë të rëndësishëm. Ajo që nuk dihej ishte nëse ai do të ishte një vendim i mirë apo i keq. Bombarduesit B-2 do të viheshin në punë përpara se mbrojtja ajrore e Irakut të ishte neutralizuar. Ekuipazhet ajrore do të kishin për të besuar në dredhira dhe do të çuditeshin t’i mbijetonin një misioni të tillë. Kjo e ngriti më lart stekën.

Presidenti mori të gjithë informacionin dhe na pyeti të gjithëve ne që ishim të pranishëm se ç’mendonim. Ju mund ta shihnit atë duke lëvizur nga mënyra e mbledhjes së informacionit, deri te mënyra e vendimmarrjes. Pasandaj ai shkoi prapa tryezës së tij të Zyrës Ovale dhe urdhëroi të fillonte sulmi. Karen Hagsi dhe Dan Bartleti filluan të mbanin shënim për një njoftim presidencial që brenda pak orësh do të bënte të ditur sulmin dhe faktin se lufta kishte filluar.

Në Doha, Komanda Qendrore ishte duke hartuar një paketë sulmi. Raketat kruiz do të lëshoheshin disa orë përpara kohës së duhur të goditjes. Ndërkaq, objektet e shenjuara u ishin përcjellë tashmë avionëve B-2 që mbartnin bombat e posaçme kundër bunkerëve. Ferma Dora ishte një kompleks i madh me një numër ndërtesash. Tomi Frenks vendosi të hiqte nga lista e objekteve të shenjuara vilën që i përkiste gruas së Sadamit. Ai ishte i shqetësuar se ndërtesa do të ishte plot me gra dhe fëmijë dhe nuk donte të zmadhonte gjasat për një zarar anësor të padëshiruar. Ne prisnim me padurim rezultatet e sulmit, duke shpresuar që kjo lloj lufte mund të përfundonte me sa më pak humbje jetësh njerëzore dhe shkatërrimesh.

Disa orë më vonë, rreth dyzet raketa kruiz dhe një numër bombash nga avionët B-2 shpërthyen në kompleksin e fermës. Nuk kaloi shumë kohë dhe mbërritën informacionet e para sekrete nga skena e ngjarjes. Një nga burimet tona ishte vrarë gjatë sulmit, ndërsa dy të tjerët shpëtuan dhe braktisën njësitë e tyre ushtarake. (Më vonë u njoftua se bashkëshortet e tyre ishin torturuar nga besnikët e Sadamit). Me të zbardhur dita në Bagdad, një tjetër nga burimet tona na njoftoi se kishte dalluar dikë që dukej se ishte Sadami duke ikur nga rrënojat, me sytë nga qielli. Ky person, tha ai, kishte hipur në një ambulancë dhe ishte larguar tinëzisht. Për disa orë ne kishim arsye të shpresonim se synimi ynë për ndryshimin e regjimit mund të kishte ndodhur që në sekondat e para të luftës.

Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Të nesërmen në mëngjes ne sollëm në Zyrën Ovale pamjen nga sipër të Fermës Dora. Dukej qartë se një vilë e madhe në kompleks ishte ende e paprekur. Të kishte ndodhur që Sadami dhe bijtë e tij t’i kishin shpëtuar vdekjes në një ndërtesë të hequr nga lista e objekteve të shenjuara? Pas ngjarjes na u tha se atë mbrëmje në Fermën Dora kishte patur një mbledhje të zyrtarëve të lartë të Partisë Ba’ath, por me sa duket, pavarësisht nga dritat e kuqe në ekran, Sadami nuk ishte midis atyre që merrnin pjesë në mbledhje. Ne ishim të bindur që burimi teknik ishte duke na treguar atë çfarë ai besonte se ishte e vërtetë. Megjithatë, burimi i dytë që njoftoi se kishte parë Sadamin të dilte nga rrënojat, kishte të ngjarë ta zbukuronte historinë e tij. Kur disa javë më vonë oficerët e Agjencisë qenë në gjendje të shkonin në Fermën Dora, ata panë se burimi nuk mund të kishte parë atë që ai njoftoi nga vendi ku ndodhej.

 

Lufta shkoi shkëlqyeshëm, por paqja ishte ferr

Një nga objektivat tonë të paraluftës në jug kishte qenë nxjerrja jashtë luftimit e dy divizioneve irakiane që na kundërshtonin. Mbi 90 për qind e këtyre divizioneve përbëheshin nga shiitë. Një shiit irakian që ne e kishim rekrutuar për të kryer veprime sabotimi ishte një veteran i Luftës së parë të Gjirit dhe kishte shumë kontakte me këto divizione. Me anë të rrjeteve kontrabandiste, ne dërguam pará dhe telefona për të shtuar kontaktet me të afërmit dhe njerëzit e fisit të tij. Ushtria na dha autorizimin t’u tregonim këtyre divizioneve se Shtetet e Bashkuara kishin për të dhënë një provë të pagabueshme se po fillonte gjendja e luftës. Kur të shihnin atë, ata ishin udhëzuar të ndryshonin uniformën dhe të shkonin në shtëpi.

Prova ishte vërtet e pagabueshme. Bombat me napalm dhe artileria hapi zjarr në majën e malit Xhebel Sinam në Irakun jugor. Ndërsa forcat amerikane kaluan përmes strofullave dhe bunkerëve të divizioneve irakiane, gjetën armë, pajisje dhe uniforma të lëna mbrapa. Njëfarë rezistence u ndesh në Nasiria nga Fedajen Sadam (Fedayeen Saddam), një grup rrugaçësh Ba’athistë, besnikë të Sadamit. Ne nuk i kishim menduar Fedajenët të ishin aq të fortë. Burimet dhe kontaktet tona irakiane i kishin shpërfillur si një forcë e paefektshme luftarake.

Pushtimi ishte një sukses fillestar mjaft i madh. Rezistenca ushtarake irakiane u shua, regjimi u shpërnda, fushat naftëmbajtëse më së shumti ishin të padëmtuara. Por, ndërsa forcat amerikane dhe aleate gjarpëronin në drejtim dhe brenda Bagdadit, një zhurmë përpirëse mund të ishte dëgjuar për zgjimin e tyre. Haptazi, Koalicionit i mungonte fortësia e mjaftueshme e trupave për të garantuar krahët nga forcat sulmuese. Besimi kishte qenë se shpejtësia në përparim, si dhe “goditjet dhe frika” prej sulmeve, do t’i nënshtronin forcat armike, dhe kështu, të çliruar nga zgjedha e shtypjes, irakianët do t’i hapnin udhë paqes dhe stabilitetit. Realiteti ishte disi ndryshe.

 

… Plani për marrjen e Bagdadit u krye me saktësi. Burrat dhe gratë e ushtrisë amerikane, aleatët e tyre, si dhe oficerët tanë të Shërbimit Inteligjent, meritojnë nderimin më të madh për aftësinë, kurajën, dhembshurinë dhe përmbajtjen e tyre. Ekipet e CIA-s hynë në Bagdad më 7 prill. Më tetë, qeveria e Sadamit në të vërtetë pushoi së ekzistuari. Në një shkallë nga njëshi te dhjeta, plani për kapjen e vendit arriti të paktën në tetë. Për fat të keq, “dita e mëpasme” mirëbërëse ishte një dysh. Thënë shkurt, lufta shkoi shkëlqyeshëm, por paqja ishte ferr.

 

 

Përktheu dhe përgatiti për botim: Xhevdet Shehu

 

Vijon nesër

Nesër do të lexoni:

 

Pas shtatë vjetësh në krye të CIA-s Xhorxh Teneti i paraqit Presidentit Bush dorëheqjen

Motivimi i dorëheqjes dhe një marrëveshje midis Bushit dhe Tenetit që lajmin të mos e merrnin vesh Dik Çenej dhe Kondoliza Rajs

Një telefonatë e çuditshme nga Air Force One për djalin e Xhorxh Tenetit

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *