Fatos Mahmutaj, gazetari që u plagos në krye të detyrës nga garda republikane më 21 janar 2011 beson se nëse nuk reformohet sistemi i drejtësisë, (gjykatat dhe prokuroritë), atëherë 21 janari do harrohet si “Gërdeci”, “Kosta Trebicka”, “Remzi Hoxha”, e dhjetëra dosje të tjera.
Sot mbushen 3 vite nga demonstrata dhe vrasjet e 21 janarit. Si gazetar që jeni përfshirë në ngjarje, jo vetëm si gazetar por dhe si një nga personat që u plagos atë ditë, 3 vite më pas si e reflektoni atë që ka ndodhur? Çfarë përfaqëson sot për ju 21 Janari, 3 vite në distancë dhe kur raporti me ngjarjen shihet më ftohtë?
U mbushën plot tre vite nga ajo ngjarje dhe gjërat veçse janë përkeqësuar. Kemi një proces pa fajtorë dhe ka mbetur vetëm dhënia e dekoratave për vrasësit e 21 janarit. E shoh 21 janarin si një ngjarje të zezë që sa vjen bëhet edhe më e shëmtuar. Kjo jo për mua personalisht, pasi unë e kam çdo gjë në rregull, por për ata katër që po kalben nën dhé si për jetimët që po rriten pa baballarë. Të mos flasim edhe për mjedisin e rëndë social që ka krijuar ajo ngjarje e zezë.
Si e vlerësoni procesin hetimor dhe atë gjyqësor në lidhje me vrasjet?
Është një nga proceset më të fëlliqur të drejtësisë shqiptare dhe si i tillë do të mbetet gjithmonë një damkë në të, edhe për shumë breza. Nuk është se drejtësia shqiptare ka reflektuar ndonjë farë serioziteti dhe autoriteti deri tani në të tjera raste, por vrasjet e bëra ditën për diell, në transmetim live nga televizionet dhe para syve të 20 mijë njerëzve, të mos quhen vrasje, vetëm në Shqipëri bën vaki.
Çfarë parashikoni të ndodhë me këtë proces në vijimësi nisur nga situata aktuale e hetimeve dhe gjykimit?
E kam paralajmëruar pafajësinë e vrasësve fiks dy vite më parë, kur çështja ndodhej ende në dorë të prokurorisë. Dukej sesi po ecnin gjërat dhe përfaqësues të hetimit po dëmtonin, fshihnin apo zhduknin provat për këtë çështje. Më pas dorën tjetër ia dha vetë gjykata dhe u prodhua ai vendim, që do merret si shembull, sesi nuk duhet të bëhet një proces.
Keni ndonjë mesazh për mazhorancën e re në raport me iniciativën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe vendosjen e drejtësisë?
Nuk dyshoj aspak në zellin dhe përkushtimin e të majtës në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por me këtë sistem drejtësie të kapur kokë e këmbë nga familja Berisha si zor që të kemi ndonjë rezultat pozitiv. Nëse nuk reformohet sistemi i drejtësisë, (gjykatat dhe prokuroritë), atëherë 21 janari do harrohet si “Gërdeci”, “Kosta Trebicka”, “Remzi Hoxha”, e dhjetëra dosje të tjera.
Kini të drejtë Fatos? Shumë të drejtë. I kam lexuar pothuajse te gjitha qendrimet tuaja ne vijimësi. Kini qënë koherente. Nderime fatos! V0- a kini te bëni me ish-ushtarakun e lartë merko mahmutaj?