Reforma në drejtësi është një falsitet i paskrupullt, prokuroria dhe gjykatat shqiptare sot janë kthyer jo në korporata fitimprurëse, por janë shndërruar në organizata të rrezikshme kriminale. Sot në Shqipëri nuk ka drejtësi, prokuroria falsifikon provat e krimit në vendngjarje me anë të policisë gjyqësore dhe mjekësisë ligjore. Prokurori zvarrit dhe nuk ndjek ose pushon çështjen penale në favor të kriminelit. Gjykata zgjat seancat gjyqësore e nuk merr parasysh faktet. Politikani ose krimineli del i pafajshëm. KLD-ja nuk ndëshkon gjyqtarët e korruptuar, por merr para nga ata gjyqtarë për t’i vendosur në vende të preferuara. Ankesave të popullit nuk ja var askush në KLD, vargu i të cenuarve nga sistemi i drejtësisë është shumë i madh. Ky sistem drejtësie ka gjeneruar dhe prodhon vetëm krim dhe jo Drejtësi, ka falimentuar, prandaj reformë drejtësie me këta individë që kanë masakruar popullin për 25 vjet nuk bëhet. Çdo zhurmë se po bëjmë reformë është një gënjeshtër, një falsitet, një mashtrim. Nga këta nuk pritet të bëjnë kurrë reformë. Për dështimin total të sistemit të drejtësisë në Shqipëri 24 vjet dhe krimet e të këqijat që i kanë shkaktuar këtij vendi, meritojnë vetëm ndëshkim: të përjashtohen nga detyra dhe ata që e meritojnë të ndëshkohen me burg. Vendin e tyre ta zënë njerëz të shkolluar jashtë dhe nga shkolla e magjistraturës në vend. Të merren dhe nga vendet mike. Kjo është reformë mbas kaq vitesh masakrim të popullit shqiptar. Media duhet ta thotë hapur fjalën e saj. Vetëm kështu fillon themeli i shtetit të vërtetë shqiptar.
