Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike (DAP), Albana Koçiu, shpjegon nismën e re të qeverisë për punësimin përmes platformës punetembare.al.
Cilat janë vendet vakante? Si do bëhet regjistrimi dhe përzgjedhja? Për sa kohë përfundon procedura?
Lexoni intervistën me znj.Koçiu në vijim…
Znj.Koçiu, çfarë është platforma punetembare.al dhe cili është qëllimi i saj?
Punetembare.al, platforma më e re, dedikuar posaçërisht punësimit të më të mirëve në administratë. Kjo është një iniciativë e re, në kuadër të dy vendimeve më të fundit të Qeverisë Shqiptare, për punësimin e studentëve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore. Është një mundësi e shkëlqyer për studentët ekselentë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit, duke filluar nga viti 2017 e në vijim, të cilët janë në kërkim të një eksperience pune në administratën publike. Të rinjtë duhet të kenë mbaruar minimalisht ciklin e parë të studimeve bachelor dhe/ose master profesional/shkencor me mesatare 9-10 (ose të baravlefshme me to) të secilit prej cikleve të studimit.
Nëpërmjet kësaj platforme çdo ekselent që plotëson kriterin bazë, mesataren dhe vitin e diplomimit, ka të drejtën e aplikimit duke përfituar nga kjo mundësi për një përvojë kualifikuese, e cila do të ndihmojë në zhvillimin e aftësive profesionale dhe në njohjen me administratën publike.
Më herët në shpalljet e Departamentit të Administratës Publike vinin vazhdimisht ankesa për moskualifikim për arsye të mungesës së eksperiencës. Tashmë falë kësaj platforme, ekselentët që do të bëhen pjesë e thirrjes dhe e përzgjedhjes do të kenë mundësinë e punësimit me kontratë 1 vjeçare, eksperiencë kjo që do të shërbejë si përvojë në librezën e tyre të punës. Eksperiencë pune që do të njihet në çdo aplikim të mundshëm, jo vetëm në administratën publike, por kudo.
Në këtë fazë të parë apo thirrje të parë për shprehje interesi për të sapodiplomuarit ekselentë, platforma punetemnare.al ofron për më të mirët 803 vende vakante, nga të cilat 601 në institucionet pjesë e shërbimit civil dhe 202 në institucionet jashtë tij (kod pune).
Ndërkohë, gjatë gjysmës së dytë të këtij viti do të kemi dhe një fazë apo thirrje të dytë interesi për ekselentët që duan të bëhen pjesë e administratës.
Si mund të regjistrohen të interesuarit, për të përfituar nga kjo mundësi?
Kushdo që është i interesuar dhe që plotëson kriteret e përmendura më sipër duhet t’i drejtohet platformës punetembare.al, ku mund të marrë çdo informacion lidhur me vendet vakante të shpallura. Ndërkohë, nënvizoj se aplikimi bëhet vetëm online, nëpërmjet kësaj platforme. Në secilën nga shpalljet e publikuara në platformë janë të përcaktuara afatet e aplikimit si dhe metodologjia e përzgjedhjes së pozicionit.
Është shumë e thjeshtë si procedurë. Duhet të hysh në platformë ku të shfaqen dy rubrika: një rubrikë dedikuar vendeve vakante të shërbimit civil dhe një dedikuar vendeve jashtë shërbimit civil, pra me kod pune. Pas këtij hapi duhet të krijosh profilin tënd. Nëse je i interesuar për shpalljet në shërbimin civil duhet të krijohet profili dhe të aplikohet për thirrjen që është publikuar nga Departamenti i Administratës Publike, dhe e njëjta procedurë ndiqet dhe për shpalljet me kod pune, ku ti hap një profil në platformë për të aplikuar për vendet jashtë shërbimit civil. Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të studentëve të ekselencës do të menaxhohet, përkatësisht nga Departamenti i Administratës Publike (DAP) për ato pozicione vakante në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil dhe nga Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet e tyre të varësisë për ato pozicione vakante në institucione të administratës shtetërore jashtë shërbimit civil.
Dokumentacioni i cili duhet të ngarkohet në llogarinë e krijuar përfshin: jetëshkrimin, fotokopjen e diplomës/diplomave (në rastin e diplomave të përfituara jashtë vendit, duhet të dorëzohet dokumenti i njohjes së diplomës nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë); listën/listat e notave, fotokopjen e letërnjoftimit (ID) dhe vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore. Me krijimin e llogarisë personale dhe ngarkimin e dokumentacionit, çdo i sapodiplomuar ekselent mund të aplikojë në secilën nga shpalljet e publikuara në punetembare.al.
Për t`u ardhur në ndihmë të gjithë të interesuarve gjatë procesit të aplikimit, në punetembare.al në rubrikën “Pyetje më të shpeshta” , kemi sjellë një listë pyetjesh shteruese që i japin kujtdo një përgjigje lidhur me çka ndodh, kush përfiton, si duhet të aplikojë, çfarë dokumentash dorëzohen, etj. Në dispozicon të ekselentëve ka dhe një adresë e-maili, [email protected], të dedikuar, ku secili që ka një problematikë apo has në vështirësi për të aplikuar mund të dërgojë një e-mail dhe do të marrë gjithë informacionin e nevojshëm nëpërmjet e-mailit.
Gjithashtu, nga dita e Hënë datë 21 Janar 2019, do të jemi pranë zyrave të karrierës në çdo fakultet, në dispozicion të studentëve të ekselencës që duan të bëhen pjesë e administratës, për çdo paqartësi në lidhje me procesin e aplikimit në punetembare.al.
Çfarë vendesh ofron platforma?
Siç e theksova dhe më sipër, janë pozicione në shërbimin civil dhe pozicione jashtë shërbimit civil, pra me kod pune. Të gjitha vendet e shpalluara janë për kategorinë ekzekutive. Për pozicionet e punës të shpallura në platformë, peshën më të madhe e zënë pozicionet për të cilat kërkohen të diplomuar në shkenca ekonomike, shkenca juridike, shkenca ekzakte (ku përfshihen inxhinieritë, shkenca kompjuterike, biologji, kimi, fizike etj), shkenca shoqërore etj., ku mund të përmend këtu mbi 200 pozicione me shkenca ekonomike, mbi 150 pozicione me shkenca juridike apo mbi 300 pozicione me shkenca shoqërore. Megjithatë ka edhe pozicione për shkenca të veçanta siç janë mjekësi veterinare, shkenca agronomike, etj.
Vendet e shpallura kërkojnë një diplomë bachelor dhe/ose master profesional/shkencor, ku nga 803 pozicione pune të shpallura në platformë, për rreth 500 prej tyre kërkohet një nivel minimal diplome bachelor. Nivelet e pagave bruto për pozicionet e shpallura variojnë nga 48 000 lekë në 75 000 lekë, ku për rreth 190 pozicione përfitohet paga bruto 75.000 lekë.
Nga pozicionet e shpallura në platformë, kryesisht pozicionet janë në aparatet ministrore dhe institucionet e varësisë së tyre. Ndërkohë që mund të përmend sistemin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ku janë shpallur rreth 280 pozicione, sistemin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ku janë shpallur rreth 130 prozicione, apo sistemin e Ministrisë së Drejtësisë ku janë shpallur rreth 95 pozicione.
Sa interes ka patur deri tani për këto vende pune?
Interesi deri më tani ka qenë i lartë, falë edhe promovimit të platformës nëpërmjet kanaleve të komunikimit, e sidomos rrjeteve sociale, kaq shumë të përdorura nga të rinjtë e sotëm. Vazhdimisht në faqen tonë në facebook nëpërmjet statuseve të ndryshme informuese kemi ftuar të gjithë të interesuarit të aplikojnë, pasi kjo mundësi është vërtetë unike, është mundësi që ofrohet për herë të parë për studentët ekselentë në Shqipëri. Deri tani deri tani numri i aplikimeve ka shkuar në 400, ndërkohë përfitoj nga rasti që të ftoj të gjithë të interesuarit të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të mos hezitojnë të aplikojnë.
Si do të përzgjidhen kandidatët, çfarë metodologjie do të përdoret për përzgjedhjen e pozicionit?
Për secilin nga grupet e pozicioneve të krijuara, studentët ekselentë të sapodiplomuar do të listohen mbi bazën e nivelit dhe llojit të diplomës që kërkon pozicioni i punës dhe mesatares. Kandidatët e kualifikuar kanë të drejtën e përzgjedhjes midis pozicioneve për grupet për të cilat janë kualifikuar dhe sipas renditjes së tyre në listat përkatëse.
Të parët përzgjedhin studentët e diplomuar në institucionet e arsimit të lartë në një nga vendet anëtare të OECD-së ose BE-së. Të dytët përzgjedhin studentët e diplomuar në institucionet e akredituara të arsimit të lartë publik në Shqipëri. Të tretët përzgjedhin studentët e diplomuar në institucionet/programet e akredituara të arsimit të lartë jopublik në Shqipëri dhe studentët e diplomuar në vende të tjera jashtë Shqipërisë, të ndryshme nga vendet e OECD-së ose BE-së.
Për kandidatët të cilët kanë mesatare të njëjtë brenda grupit ku janë përfshirë, e drejta për të përzgjedhur më parë, përcaktohet me short në prezencë të tyre.
Sa kohë i duhet aplikantit për të marrë një përgjigje?
Për secilën nga shpalljet e bëra publike janë të përcaktuara qartë kriteret dhe afatet deri kur duhet të aplikohet, kur mbyllet aplikimi dhe çfarë ndodh më pas. Është e rëndësishme të nënvizoj se çdo fazë do të bëhet publike, do të shpallet në platformën punetembare.al. Informacioni do të merret vetëm nëpërmjet platformës. Aty do të shpallen emrat e të gjithë ekselentëve që kanë shprehur interesin duke i renditur nga mesatarja më e lartë te ajo më e ulët.
Më pas të gjithë ata që do të zgjedhin një vend pune do të ftohen, do të jenë të gjithë së bashku në momentin e përzgjedhjes së vendeve të punës. Pra në varësi të llojit të diplomës dhe nivelit, aplikantët do të grupohen, do të rankohen dhe do t’u jepen vende vakante për të zgjedhur. I pari që ka mesataren më të lartë do të zgjedhë dhe kështu me radhë deri sa të ezaurohet e gjithë procedura. Siç e përmenda, çdo hap i procesit të aplikimit dhe përzgjedhjes do të bëhet nëpërmjet platformës, duke e bërë këtë proces të hapur, transparent dhe lehtësisht të monitorueshëm në punetembare.al.
Çfarë përfiton administrata nga ky rekrutim i veçantë?
Kjo iniciativë sjell absolutisht përfitime të dyanshme. Nga njëra anë janë studentët të cilët krijojnë një eksperiencë dhe një praktikë pune dhe vendosin për vijimin e karrierës së tyre në administratë apo diku tjetër dhe nga ana tjetër administrata ka shumë nevojë për energjinë pozitive të të rinjve, mendimin ndryshe, të bërit të gjërave ndryshe.
Të rinjtë mund të sjellin risi shumë të mëdha dhe në mjediset e punës, pasi vijnë me ide të reja dhe me dëshirën për t’i parë gjërat në një këndvështrim tjetër. Presim që edhe ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve të jetë më pozitiv, më cilësor, komunikimi më i ngrohtë dhe më i drejtpërdrejtë.
o.j. / dita
