Procedura e zgjedhjes së teksteve mësimore që do të përdoren nga nxënësit e arsimit parauniversitar gjatë vitit të ardhshëm shkollor pëson një sërë ndryshimesh. Për të shmangur përzgjedhjen e teksteve preferenciale, Ministria e Arsimit ka vendosur që të largojë nga komisioni i përzgjedhjes së teksteve drejtorin e shkollës, si dhe përfaqësuesin e drejtorisë së arsimit. sipas burimeve zyrtare të këtij institucioni do të jenë mësuesit dhe prindërit ata që do të kenë ndikimin më të madh në përzgjedhjen e teksteve mësimore që do të përdoren gjatë vitit mësimor 2014-2015.
Këshilltari i ministres se Arsimit, Agim Leka sqaron se për tu dhënë fund përzgjedhjeve klienteliste sikundër ka ndodhur edhe në vitet e fundit, drejtorët e shkollave, por edhe Drejtoria Arsimore nuk do të jetë pjesë e këtij komisioni. Ndryshim ky që pritet të çojë drejt zgjedhjes së teksteve më të mira dhe të përshtatshme për nxënësit. “Kjo është pjesë e ndërtimit të një sistemi të marrëdhënieve të reja që do të ketë Ministria e Arsimit, si institucion shtetëror me të gjithë shtëpitë botuese, i një sistemi të ri marrëdhëniesh që do të ketë vetë MAS me përzgjedhësit e teksteve që janë mësuesit, si mënyra e organizimit, gjithashtu të transparencës që do të bëhet, ku ne do të përfshijmë në sistemin e zgjedhjes së teksteve të gjithë komunitetin e prindërve.
Kjo është pjesë e reformës që ne kemi, ‘shkollat një qendër e rëndësishme komunitare”, ka theksuar dje në media Agim Leka. Komisioni i ngritur në MAS do të kalojë nën kontroll edhe të gjitha tekstet e hartuara deri me sot, Ministria e Arsimit në takimin e zhvilluar dje me kreun e Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikollaj është ndalur edhe tek një tjetër çështje e rëndësishme siç është ajo problemeve të shfaqura me cilësinë e diplomave, përfshirjes së mësuesve në aktivitete politike, etj. Sipas ministres nëpërmjet kartës së performancës së shkollës do të shihen pikat e forta dhe problemet e shkollave, teksa konfirmon më tej se janë konstatuar raste të korrupsionit në proceset e trajnimit të mësuesve.
”Cilësinë e diplomave qoftë me adresimin e burimeve njerëzore, konform profileve pa folur pastaj për ato procese që jemi të vendosur për të kaluar njëherë e përgjithmonë në kuptimin e largimit të shkollës nga politika, e të largimit nga procedura dhe përvoja që nuk i kanë shërbyer arsimit lidhen me aktet nepotike, klienteliste pse jo edhe korruptive të vendosjes të gjithë linjës drejtuese të arsimit duke filluar që nga mësuesi e kështu me radhë, ka deklaruar Nikolla. Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar është edhe shtimi i orëve sportive në arsimin parauniversitar.
“I bëjmë me dije që në shtatorin që vjen, pra në vitin e ri akademik ne do të kemi një situatë të përmirësuar, përsa i përket rritjes së orëve të edukimit fizik. Ndërkohë derisa të shkojmë deri atje, në çdo drejtori arsimore, respektivisht në 12 qarqet e vendit, ne do të kemi një person përgjegjës, që investigon në të gjithë situatën me orët e edukimit fizik, me burimet njerëzore, me aktivitetet sportive, me terrenet sportive e kështu me radhë”, tha Nikolla. Kjo me qëllim edhe reduktimin e obezitetit që po shfaqet tek fëmijët.