Drejtori sportiv Haris Fakiç zbulon manovrat e Skënderbeut

Dita

Një skuadër që fiton, shkruan historinë në Europë, funksionon si një klub modern duke shitur futbollistë me shifra të paimagjinueshme deri më tani në Shqipëri dhe që vazhdon të investojë në merkato. Skënderbeu nuk ka ndërmend të ndalet, në synimin drejt titullit të gjashtë radhazi kampion. Shitjet e Olayinkas te Gent dhe Bernard Berishës te Anzhi u shoqëruan me dy përforcime në repartin ofensiv. Pas brazilianit Renatinho, goditja e radhës ishte talenti nga Tetova, Valmir Nafiu. Drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, zbulon detajet e operacionit për 21-vjeçarin, që ka luajtur te Basel, Hamburg dhe së fundmi Hapoel Nicosia.

“Kemi ndryshuar mënyrën se si veprojmë. Skënderbeu nuk do të jetë më një skuadër me kontrata 6-mujore apo 1-vjeçare. Lojtarët e afruar do të kenë marrëveshje afatgjata dhe klubi do të vijojë politikën e promovimit dhe shitjes së tyre drejt ligave të tjera. Nafiu është një talent i madh, të cilin e siguruam pas akordit me Apoel Nicosian. Ai vjen me parametër zero në ekipin tonë”.

Një tjetër objektiv i rëndësishëm në merkaton e janarit është talenti i Kombëtares Shpresa, Enis Gavazaj. Një lojtar i kërkuar nga korçarët, por ngërçi lidhet me formulën e transferimit, pasi Skënderbeu nuk pranon ta huazojë.

“Enis Gavazaj është një lojtar që na pëlqen dhe duam ta afrojë, por politika që ne po ndjekim e përjashton formulën e huazimit. Nëse ai do t’i bashkohet skuadrës, duhet gjetur një tjetër mënyrë. Ne po vazhdojmë bisedimet me Gentin e Belgjikës dhe duhet të presim e të shohim nëse ky kalim do të realizohet”.

Problemi në merkaton e Skënderbeut lidhet me përforcimet nga Nigeria. Pengesat në kompletimin me dokumentacionin tre lojtarët e afruar kanë qenë të shumta, prandaj ata nuk i janë bashkuar ekipit në Marabella të Spanjës, ndërsa priten edhe katër futbollistë të tjerë po nga Nigeria, me të cilët është gjetur akordi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *