Të nderuar deputetë!
Kohët e fundit, atij Parlamenti i ka ardhur kërkesa: “Për një shtesë ligji”, për t’u hequr dekoratat dhe titujt e nderit veteranëve dhe udhëheqësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të asaj epopeje të lavdishme, e cila siguroi lirinë dhe pavarësinë e vendit. Lidhur me sa sipër, kërkojmë me vendosmëri që të mos votohet nga ana juaj kjo kërkesë tërësisht antiligjore dhe e padrejtë.
Theksojmë se, nëse në kundërshtim me kërkesën tonë do të votohet dhe miratohet heqja e dekoratave, kemi bindjen se kjo do të ishte një goditje e rëndë për vlerat dhe gjithë trashëgiminë e LANÇ, gjakun e derdhur dhe sakrificat e jashtëzakonshme që bëri populli shqiptar. Rrjedhimisht, Parlamenti do ta vinte veten para një përgjegjësie të madhe historike, duke e njollosur keqas prestigjin e vet. Në të njëjtën kohë, një veprim i tillë i mbrapsht e keqdashës, do të pritej me indinjatë të thellë nga veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të LANÇ e pasardhësit e tyre si dhe nga gjithë populli që e mbështeti me gjithçka atë luftë, por dhe nga brezi i atdhetarëve e intelektualëve të këtij vendi.
Një veprim të tillë të turpshëm nuk e ka bërë asnjë shtet i Koalicionit Antifashist Botëror. Përkundrazi, këto shtete, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdojnë t’i nderojnë me tituj e dekorata veteranët e Luftës së Dytë Botërore. Kurse te ne nderohen e dekorohen kolaboracionistët, ata që bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë, në një kohë që shtetet e tjera të Koalicionit, kolaboracionistët i dënoi.
Mesa duket, pushtetarët, sa herë që e shohin veten në vështirësi për ta fituar ose mbajtur pushtetin, hedhin parrulla të luftës kundër komunizmit.
Njerëzit e këtij vendi kanë përjetuar të kaluarën dhe të sotmen. Ata e shohin me sytë e tyre gjithçka ndodh. Kaluan 25 vite dhe nuk po shohin perspektivën. Përgjegjësia për këtë është tek ata që vijnë e ikin nga pushteti duke ia lënë përgjegjësinë njeri-tjetrit.
Të nderuar deputetë, ne ju bëjmë thirrje që mos e hidhni një hap të tillë, ndryshe historia do tu vërë vulën e turpit.
KOMITETI KOMBËTAR TË ORGANIZATËS SË VETERANËVE TË LANÇ
