Dritan Smajli: Jam gati të rikthehem te Vllaznia

redaktor

Dritan Smalji u largua para kohe nga Kukësi. Iku në heshtje, por ngriti shumë pikëpyetje me një prononcim të tijin pas finales së Kupës së Shqipërisë, të cilën e fitoi Laçi. Lezhjani akuzoi dyshen serbe të skuadrës verilindore, Radanoviç-Gvozdenoviç, si përçarëse të nënkampionëve të vendit. Tashmë, në këtë merkato vere, emri i tij ka nisur të përflitet te Vllaznia, duke qenë se është lojtar i lirë. Për të, një rikthim në Shkodër, ku ka kaluar mrekullisht disa sezone, do të ishte i mirëpritur.

Në një prononcim për “Shkodra Press”, Smajli ndihet i gatshëm të afrohet tek ekipi kuqeblu. “Të them të drejtën kam lexuar vetëm në Facebook për një rikthim timin te Vllaznia dhe normalisht më bëhet qejfi. Deri në këto momente që po flasim bashkë nuk kam asnjë kontakt nga drejtuesit kuqeblu. Smajli ka qenë dhe është i gatshëm të rikthehet në shtëpinë e tij, që është Shkodra dhe Vllaznia. Nga Vllaznia nuk jam larguar asnjëherë me dëshirë dhe këtë e di e gjithë Shkodra. Vllaznia është dhe do të mbetet në zemrën time. Me të nuk kam bërë kurrë pazare. Ish-presidenti Valter Fushaj dhe miku im Armir Grima më njohin shumë mirë. Jam i gatshëm në çdo moment të rikthehem te Vllaznia, por një gjë e tillë të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që të mos jetë vonë pastaj”, thotë Smajli.

Lidhur me të ardhmen e tij, ngaqë është futbollist i lirë, mbrojtësi lezhjan nuk është fort i qartë, por një sy dhe një vesh e ka nga Shkodra: “Nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë. Ndoshta mund të takohem këto ditë me drejtuesit e Vllaznisë dhe shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt”.

Sezoni 2014-2015 për Vllazninë ka qenë me shumë oshilacione, me mjaft probleme, por në fund u arrit mbijetesa, të paktën. A ka besim se situata do të ndryshojë në vazhdim? Smajli përgjigjet: “Normalisht, për nga emri dhe historia që ka Vllaznia, ky sezon që u mbyll nuk i shkonte për shtat. Por, një gjë pozitive është aktivizimi i djemve të rinj të akademisë, që janë me të vërtetë lojtarë shumë të mirë, por duan dhe pak kohë të jenë udhëheqësit e Vllaznisë drejt trofeve. Këtë sezon, Vllaznia fitoi shumë që afroi këto djem të shkëlqyer dhe nuk ka dalë e humbur. Me ta, e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *