Nga Ylli Polovina
Ilia Xhimitiku, lindi në lagjen Goricë me 20 korrik 1907. Do të ishte vëllai madh Miltoja që do ta shtynte në profesionin e fotografit. Në vitin 1925 i dhuron një aparat 6 x 9 të tipit “Kodak”, që e kishte sjellë nga Italia. Duke ndjerë nevojën për perfeksionim lidhet dhe punon për pak kohë me Palok Gurashin. Më vonë ai krijoi lidhje të afërta me Marubët (1929–30 kryen shërbimin ushtarak në Shkodër) e me fotografë të tjerë që ushtronin këtë mjeshtëri.
Në vitin 1936 bëri udhëtimin e parë njohës drejt Italisë. Synimi i tij ishte të plotësonte formimin si mjeshtër fotograf me pretendimin e qartë për të pasur një studio profesionale. Këtu ai u pajis me materiale dhe aparate nga më modernet të kohës, stampatricen, solucione, letër, vulën e thatë (e njohur).
Në fotografitë e trashëguara ndihet qëndrimi krijues i një artisti. Në to ndeshen figura bashkëqytetarësh apo miq dhe familjarë të tij, pamje tepër interesante të qytetit, cermoni të ndryshme fetare apo familjare, njerëz me veshje tradicionale, momente argëtimi në rrethinat, dyqanet dhe tregetarët e njohur në tregjet e qytetit dhe jetën e bujqëve në fshat. Veçanërisht interesante janë portretet që i realizon me një dritë të zgjedhur e dramatike përpara një sfondi te errët. Ata janë plot dinjitet e qetësi të brendeshme. Portrete grash të mbuluara apo me veshje të hijshme, burra te përzishëm apo me veshje tradicionale, bujq etj.
Lilo Xhimitiku fiksoi ngjarje të rëndësishme të historisë se Shqipërisë që lidhen me Beratin në kapërcyellin e gjysmës së parë të shekullit të kaluar. Ndryshimet e rëndësishme të qytetit, restaurimi i urës së Goricës, ngritja e bustit të Babë Dudë Karbunarës, përmbytjet e qytetit, hyrjen e forcave partizane në Berat, formimin i Qeverisë Demokratike apo dhe ndarjen e tapive, vizitën e Hrushovit etj. me qindra filma e fotografi.
Por fondi i fotografive të trashëguara prej tij është shumë i kufizuar për arsyen se arkiva në 13 shtator 1944 u dogj së bashku me shtepinë në lagjen Goricë, në shkurt 1954 studjoja shkatërrohet nga një stuhi dhe në vitin 1962 vërshimet e lumit përmbytin arkivin dhe studion duke u shkatëruar përfundimisht pjesa më cilësore e punës dhjetra vjeçare, arkivi i filmit dhe fotografive, aparatet dhe makinat e stampimit pa përmendur letrat dhe materialet e tjera.
Për kontributin e tij të rëndësishëm Këshilli i Bashkisë Berat e ka vlerësuar me titullin “Nderi i Qytetit të Beratit”.

Pershendetje Ylli!Te pergezoj per kete shkrim.Xhimitiket jane familje fotografesh dhe ndoshta ruajne akoma fotografi me vlera historike. Berati ruan akoma vlera te pa publikuara ; le te sherbeje ky shkrimi yt per tu pasuar nga te tjere per vlerat e ketij qyteti shumshekullor.
Me shume perzemersi- Fatmiri