Shqipëria importon në një vit 400 mijë tonë drithëra nga shtetet e tjera. Vitin e kaluar, vendi ynë ka importuar mbi 350 mijë tonë drithëra, produkte të regjistruara në doganat shqiptare. Ndërkohë që në vitin 2011, kjo shifër ishte rreth 380 mijë tonë drithëra në total. Të dhënat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave dhe Drejtoria e Doganave. Pjesa më e madhe e importit të drithit vjen nga Rusia (57%), e ndjekur nga Serbia (10%), Franca (8%), Kroacia (6%) dhe Italia (3%). Drithërat janë një kategori e rëndësishme e importeve në Shqipëri, me një peshë rreth 10% në totalin e importeve të artikujve ushqimorë. “Open Data Albania” ka kryer një hulumtim mbi importet dhe eksportet e drithërave në Shqipëri gjatë viteve 2010-2012.
Importet
Importet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave/shërbimeve të blera/kryera nga jashtë vendit. Eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave/shërbimeve të shitura/kryera jashtë vendit.
Eksporti i drithërave është rritur në 2011 dhe është ulur në 2012, në sasi dhe vlerë. Gjithashtu vihet re se eksportet e drithërave janë thuajse të papërfillshme krahasuar me importet dhe nevojat e vendit. Lidhur me destinacionin e eksporteve, e gjithë sasia e drithit të eksportuar gjatë viteve të fundit ka qenë drejt Kosovës. Sakaq, çmimi mesatar nga 2009 në 2010 është rritur me 18%, ndërkohë që nga 2008 në 2009 është ulur me 22%. Ndërsa indeksi i çmimeve të bukës dhe drithërave gjatë 2010 është rritur me 7.3%, dhe është ulur me 4.3%. Duke qenë një prej mallrave më të rëndësishëm të konsumuar nga familjet në Shqipëri, çmimi i drithit dhe i bukës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e popullatës.
Kontrolli
Të gjitha këto produkte, drithërat do të kontrollohen në çdo pikë kufitare në vend, nëse kanë certifikatë vërtetimi për nivelin e aflatoksinës në produkt, nëse janë kryer ekzaminimet. Nëse produkti nuk ka fletë shoqëruese, si garanci atëherë njësoj si mielli i Kosovës, edhe këto produkte do të ndalohen në doganë për të marrë mostra ekzaminimi, për t’i dërguar për ekspertizë në ISUV, Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare. Nëse analizat do të konfirmojnë se produkti është në nivele dhe parametra normalë, atëherë malli do të shpërndahet dhe tregtohet normalisht në tregun vendas. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të gjitha këto ndryshime janë në kuadër të masave për kontrollin e produkteve për nivelin e aflatoksinës. Pak ditë më parë, zëvendësministri i Bujqësisë tha se po bëhen kontrolle dhe urdhri i ministrit parashikon kontrolle edhe për nivelin e metaleve të rënda për çdo mall të importit. Sakaq, pas miellit, prodhim nga Kosova, janë liruar edhe prodhimet e tjera të drithit dhe niseshteja e ndaluar në doganën e Durrësit dhe në Morinë, pasi rezultatet e ISUV vërtetuan se produktet nuk kishin probleme me praninë e aflatoksinës mbi normativën e Bashkimit Europian. / Gazeta “Shqip”