Spektakël dhe emocione deri në sekondën e fundit në dy ndeshjet çerekfinale të luajtur mbrëmë. Fitore 2-0 për vendasit në Londër e Dortmund, por në të parën kualifikohen vendasit, në të dytën miqtë. Real Madrid i mbijeton ankthit të përhershëm në Gjermani dhe kalon mes vuajtjesh të mëdha në gjysmëfinale. Pas fitores 3-0 në Madrid, kualifikimi dukej i mbyllur, por Klop kishte premtuar luftë deri në fund dhe ashtu ndodhi. Real mund ta kishte mbyllur ndeshjen, kur gjyqtari Skomina dha një penallti të gabuar në favor të spanjollëve, por Vaidenfeler priti gjuajtjen e Di Marias, i cili mori përsipër ekzekutimin në mungesë të Ronaldos, i cili ishte në stol. Pre aty nisi ngjitja e Dortmundit që mori besim dhe shënoi dy herë me anë të Marko Reus, falë edhe gabimeve të mëdha të mbrojtjes spanjolle. 2-0 që në pjesën e parë ishte rezultati i ëndërruar, por ai nuk ndryshoi, edhe pse Borusia pati edhe tri raste të tjera të mira, me Mkhitarian që gaboi, ndërsa Kasijas ishte heroi i madrilenëve, që më në fund kalojnë përpara. Të njëjtat shifrat edhe në “Stamford Bridge”, por Chelsea djersiti shumë deri në fund. Andre Shyrle i dha shpresë kur shënoi në minutën e 32-të, ndërkohë që në pjesën e dytë vendasit goditën dy herë shtyllat. Më pas, tri minuta para fundit blutë kalojnë në ekstazë, teksa Demba Ba shënoi golin e kualifikimit.
