Nuk janë heroina dhe kokaina drogat më të fuqishme. Efektet e pluhurit të bardhë që ne njohim nuk janë asgjë përpara makthit që të shkaktojnë fotot e të varurve nga një drogë e re me emrin krokodil. Ndoshta fillimisht ky emër nuk i është vënë për të treguar pasojat që shkakton në shëndetin e përdoruesit, por plagët në trupin e këtyre të fundit nuk ndryshojnë shumë nga ato që shkakton kafshimi i një krokodili.
Droga e fuqishme ka lindur në Rusi dhe mund të krijohet në shtëpi me disa elementë që blihen në farmaci. Efektet e saj në shëndetin e përdoruesit janë shkatërruese në një kohë fare të shkurtër. Emisioni investigativ “Iene” në Itali ka intervistuar një 41-vjeçare që është provë e gjallë e efektit të tmerrshëm që kjo lloj droge ka. Për shkak të përdorimit të drogës, gruaja duket sikur është 70 vjeçe, dhëmbët i ka pothuajse të rënë, ka vështirësi në të lëvizur dhe plagë në të gjithë trupin.

“Dëmi që shkakton Krokodili fillon menjëherë. Trupi mbushet me plagë që duken si djegie cigaresh në fillim, por me kalimin e kohës ato bëhen gjithnjë e më të mëdha, duke ngrënë mishin, shpesh edhe kockat”, tregon gruaja.
Rusia është vendi me numrin më të madh të përdoruesve të drogës, por me nisjen e krizës ekonomike, ata janë detyruar t’i drejtohen alternativës më të lirë, Krokodilit.
Kostoja e saj është e përballueshme dhe përbërësit gjenden lehtësisht në farmaci. Ky kokteil që të ha të gjallë përbëhet nga kodeina që gjendet në tabletat që merren në rast ftohjeje e cila kombinohet me disa elementë të tjerë që mund të blihen pa recetë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli
