E keni dëgjuar Berishën që thotë “qeveria ime” kur flet për qeverinë? A nuk ju duket e pavend? Në një editorial të para disa kohësh, në The Ëashington Post (The selective modesty of Barack Obama), Charles Krauthammer kritikon presidentin e vet Obama për egocentrizëm, duke e mbështetur këtë kritikë, ndër të tjera, edhe në mënyrën si e përdor Obama përemrin pronor im. Shkruan Krauthammer: “Vëreni si Obama u referohet rregullisht anëtarëve të kabinetit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë si “imi”: “sekretari im i sigurisë së vendit”, “ekipi im i sigurisë kombëtare”, “ambasadori im”. Përdorim më normal dhe më i respektueshëm do të ishte të thuhej thjesht “sekretari i sigurisë së vendit” etj. Tek e fundit, zyrtarët publikë betohen që t’i shërbejnë popullit të tyre dhe kushtetutës – jo personit që i ka emëruar…”
Krauthammer-in, si analist, unë nuk e honeps dot; por analiza e tij më shërben këtu për të ilustruar si publiku amerikan tregon vëmendje ndaj detajeve të tilla; edhe pse kultura demokratike, në SHBA, i ka rrënjët të thella dhe nuk mund të rrezikohet nga egocentrizmi – i supozuar – i një presidenti.
Në Shqipëri, përkundrazi, kultura demokratike ende është për t’u ndërtuar. Kur thotë ky Berisha “qeveria ime” etj dashur pa dashur, na shkon mendja te raportet që vendos një tip si ky me institucionet dhe me publikun. Unë e kuptoj që kjo “ime” është një pronor parazitar, që funksionon më tepër si drogë përftuese iluzionesh të madhështisë. Po Berisha vallë, a e kupton që nuk e dëgjojmë dot më?
Email nga adresa: [email protected]