Gjithçka në sheshin Nënë Tereza në kryeqytet është gati për të mirëpritur në 10 gusht këngëtaren Dua Lipa.
Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për Ora News ka zbuluar disa detaje nga koncerti:
“Nesër kemi një aktivitet fantastik me Dua Lipën, një histori suksesi. Një goc e re shqiptare që ia ka dalë vetë në një botë me shumë konkurrencë dhe besoj një shembull i mirë që në vend që të qahemi pse gjerat nuk funksionojnë pse të mos provojmë. Dua Lipa, Rita Ora, Majlinda Kelmendi, Luiza Gega janë historitë e njerëzve që nuk bëjnë qaramanin por mundohen të kthehen në histori suksesi”, tha Veliaj.
Por Dua Lipa nuk është këngëtarja e vetme shqiptare me famë ndërkombëtare e cila do të vijë në Tiranë. Pas saj do të jetë edhe këngëtarja Bebe Rexha e cila në rrjetin e saj twitter ka bërë me dije se në muajin shtator do të jetë në Tiranë.
